2008-09-06 16:07:59

Benedikti XVI porosit ipeshkvijtë e Nikaraguas të dialogojnë, të ndihmojnë të varfërit e të denoncojnë padrejtësitë.


(06.09.2008 RV)Një Kishë, që t’i jetojë vuajtjet e të varfërve e që, duke dëshmuar të Vërtetën ungjillore, të luftojë kundër varfërisë e pabarazisë – këtë u kërkoi Benedikti XVI ipeshkvijve të nikaraguanë, të cilët i vlerësoi shumë për ndihmën që i japin popullit:
"Observo con satisfacción que, como Pastores, compartís las vicisitudes..."
Në një vend si Nikaragua, në të cilin varfërisë dhe emigracionit u shtohen pabarazitë shoqërore e situata e acaruar politike, Papa lavdëroi përpjekjet e prelatëve për krijimin e klimës së dialogut, pa hequr dorë nga mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut e nga denoncimi i padrejtësive. Shenjtëria e Tij i nxiti të vijojnë përpjekjet për krijimin e një koncepti të ri mbi politikën, e cila duhet parë jo si ambicie për pushtet e për kontroll, por si shërbim bujar e i përvujtë, që i bëhet së mirës së përbashkët.
Papa i lavdëroi ipeshkvijtë edhe për nismat e shumta të bamirësisë e të solidaritetit në favor të nevojtarëve. Më pas u ndalua në mënyrë të veçantë tek formimi i meshtarëve dhe i laikëve, që kryejnë detyrën e katekistëve.
"Es imprescindible que estos generosos servidores y colaboradores..."
Ati i Shenjtë i nxiti prelatët nikaraguanë t’i ndjekin me kujdes këta shërbenjës bujarë e bashkëpunëtorë të misionit ungjillëzues të Kishës. Theksoi me forcë edhe detyrën e formimit të një kleri të përgatitur nga ana shpirtërore, intelektuale e njerëzore. Papa kërkoi të zgjidhen me kujdes të madh kandidatët për seminar, që të jenë, pastaj, ‘meshtarë shembullorë’ e t’i japin një hov të ri punës baritore me rininë, me të sëmurët në spitale e me të burgosurit.
"Una mención especial merecen las instituciones educativas..."
Më pas Benedikti XVI foli për rolin e institucioneve edukative në vend, që kryejnë një shërbim jashtëzakonisht të vlefshëm për shoqërinë.
Duke kujtuar përshpirtërinë popullore, që në Nikaragua është shumë e ndjeshme, u bëri thirrje ipeshkvijve ta gjallërojnë vazhdimisht, përmes veprimtarisë baritore, që ndriçon kuptimin e gjesteve e të simboleve, duke u prirë besimtarëve drejt misterit të shëlbimit e të shpresës, i cili u përket të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.