2008-09-06 16:03:02

365 ditë: "Ana Maria Zhavuè – burrë që s’e ka shokun".


(06.09.2008 RV)Në moshën shtatë vjeçare, ndonëse nuk kishte dëgjuar kurrë se në këtë botë ka edhe njerëz me ngjyrë, Ana Maria Zhavuè shikon në ëndërr disa fëmijë zezakë, që e thërrasin “nënë e dashur”. Prandaj, kur më 1816 qeveritari i ishullit Bourbon (zonë franceze e Oqeanit Indian, në lindje të Madagaskarit, e cila sot njihet me emrin ishulli Reynion) i kërkon të kujdeset për fëmijët që banojnë në ishull, Ana Maria pranon pa asnjë mëdyshje. Është vullneti i Zotit,
Ana Maria lindi në vitin 1779, në një fermë të fshatit Zhalanzhë, në Francën qëndrore. Është vajzë e çuditshme, që nuk ka frikë nga asgjë. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kur revolucionarët i ndjekin këmba-këmbës meshtarët refraktarë, apo kundërshtarë të regjimit të ri, e të krishterët, që i ndihmojnë, rrezikojnë jetën, Ana Maria u prin natën, nëpër pyje e ara, priftërinjve që vijnë të kremtojnë fshehurazi Meshën Shenjte e t’u japin ngushëllimin e fundit njerëzve, në prag të vdekjes.
Në moshën njëzet e gjashtë vjeçare, bëhet murgeshë e, së bashku me tri motra të tjera, themelon Institutin e Shën Jozefit të Klynì, i cili shquhet për edukatën moderne që u jep të rinjve. Shumë shpejt këto rregulltare do të kërkohen nga pak kudo: përveç ishujve Burbon, edhe në kolonitë e tjera franceze e angleze. Në Sent Lyi të Senegalit Ana Maria zbulon dramën e skllavërisë së zezakëve. Përpiqet me të gjitha forcat për t’i ndihmuar e për t’i shkëputur nga bota e zymtë, në të cilën jetojnë. Në vitin 1828 niset për në Guajanë, në Jug të Amerikës, me tridhjetë e gjashtë murgesha e gjashtëdhjetë e tre kolonë, bujq, punëtorë e zejtarë. Qeveria i ngarkon detyrën të krijojë në Manë, qytet në breg të lumit me të njëjtin emër, një koloni të krishterë, ku do të mblidhen zezakët e liruar nga skllavëria. Hapen rrugë të reja, ndërtohen shtëpi, lërohet toka, mbillet, i lartohen Zotit lutjet nga kapelat e para të sapo ngritura. Ky projekt ndiqet me admirim nga poeti francez Lamartin, që e vlerëson lart në raportin e tij për zhdukjen e skllavërisë. Në të njëjtin vit, më se pesëqind skllevër të liruar, i besohen Ana Marisë, e cila i mikpret në ‘republikën’ e Guajanës e i përgatit për jetën shoqërore, familjare e fetare.
Në vitin 1848, kur shpallet dekreti për zhdukjen e skllavërisë, zezakët e Manës duan ta zgjedhin deputete.
Kuptohet vetvetiu se jo të gjithëve u pëlqen veprimtaria e Anës: kolonët, që shfrytëzojnë skllavërinë për interesat e tyre, e urrejnë me gjithë zemër. Madje përpiqen ta vrasin. Ajo arrin të shpëtojë nga atentati, por vdes pak më vonë, në vitin 1851. Edhe sot e kësaj dite, mijëra rregulltare të Klynì janë të pranishme në mbarë botën.
Prandaj një ditë, mbreti Luigj Filipi, duke dashur të shprehë admirimin për këtë grua, tha: “Zonja Zhavue është burrë i fortë!”. Kështu mbeti Ana në kujtesën e botës!







All the contents on this site are copyrighted ©.