2008-09-05 18:24:42

“Kur të vdes – thoshte Nënë Tereza – do të jem në gjendje t’ju ndihmoj më shumë…” Biografi e së Lumes shqiptare


(05.09.2008 RV)Në katin e parë të Shtëpisë kryesore të Motrave të Bamirësisë në Lower Circular Road, është një kapelë e thjeshtë e pa stoli, ku që nga 13 shtatori 1997, pas funeralit solemn shtetëror, pushojnë eshtrat e Nënë Terezës. Jashtë, në mesin e rrjetit të imtë të rrugicave, zhurmat shurdhuese të motropolit indian: zile karrocash, zëra fëmijësh, frenat e një trami, që përshkon udhët e ferrit e të mjerimit. Ndërsa brenda, duket sikur koha ndalet, e kristalizuar në një lloj flluske, që nuk e lë të shkojë përpara. Në kapelë gjendet një varr i varfër, pa shumë lajle e lule, një bllok i bardhë betonarme ku është vendosur Bibla personale e Nënë Terezës dhe një shtatore e Zojës me një radhë lulesh në qafë, pranë një pllake mermeri, mbi të cilën është shkruar në anglisht një rresht nga Ungjilli i Shën Gjonit: “Duajeni njëri-tjetrin, siç ju kam dashur unë juve” (15,12).
Nënë Tereza, në shekull Agnes Gonxha Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup të Maqedonisë së sotme, nga një familje katolike shqiptare. 18 vjeç vendosi të hyjë në Kongregatën e Motrave Misionare të Zojës sonë të Loretos. U nis më 1928 për në Irlandë e një vit më vonë ndodhej në Indi. Në vitin 1931, Agnes mori kushtet e para me emrin e ri motër Mari Tereza e Jezusit Fëmijë (zgjedhur për devocionin e saj ndaj shenjtes së Lizjësë), dhe për rreth 20 vjet u mësoi histori e gjeografi vajzave të familjeve të pasura në kolegjin e murgeshave të Loretos në Entali, zona lindore e Kalkutës. Pas murit rrethues të kuvendit ishte Motijhil, me erën e athët e mbytëse, një nga baltovinat më të mjera të megalopolit indian, plehu i botës. Nga larg, motër Tereza mund të ndjente erën e keqe që arrinte deri në kolegjin e saj luksoz, por nuk e njihte. Ishte fytyra tjetër e Indisë, një botë më vete për të, të paktën deri në atë mbrëmje të shënuar të 10 shtatorit 1946, kur ndjeu “thirrjen e dytë” ndërsa po shkonte me tren për në Darjeling, për ushtrimet shpirtërore.
Gjatë asaj nate një frazë vazhdoi t’i ushtonte në kokë gjatë krejt udhëtimit, thirrja plot dhimbje e Jezusit në kryq: “Kam etje!”. Një thirrje e mistershme, që me kalimin e orëve bëhej gjithnjë e më e qartë dhe më e pranishme: ajo duhej ta linte kuvendin për më të varfërit e të varfërve. Për atë lloj njerëzish që nuk janë asgjë, që jetojnë të braktisur nga të gjithë, për botën e të mjerëve që çdo ditë jetojnë agoninë e vet në trotuaret e Kalkutës, pa pasur as dinjitetin për të vdekur në paqe.
Motër Tereza la kuvendin e Entalisë me pesë rupi në xhep dhe me sarin me shirita blu të indianeve më të varfëra, pas gati 20 vjetësh të kaluara në kongregatën e Motrave të Loretos. Ishte 16 gushti i vitit 1948. Gonxha e vogël nga Shkupi bëhej Nënë Tereza dhe fillonte, nga ai moment, rruga e saj prej gjiganteje.
Më 7 tetor 1950 Kongregata e re fiton njohjen e saj të parë zyrtare, atë dioqezane. Është dita e një feste mariane, festa e Rruzares, e sigurisht nuk është e rastit, meqë familja e re rregulltare i kushtohet pikërisht shën Marisë. Dashuria e thellë e Nënë Terezës për Zojën kishte rrënjë të forta në fëmijërinë e saj, në Shkup, kur e ëma, Drande, që ishte shumë fetare, i çonte gjithnjë fëmijët e saj (përveç Gonxhes ishin edhe Lazi e Agia) në kishë e tek të varfërit, dhe çdo mbrëmje thonin rruzaren sëbashku.
“Urdhëri ynë – lexohet në kapitullin e parë të Kushtetutës – i kushtohet Zemrës së Papërlyer të Marisë, Shkak i Gëzimit tonë dhe Mbretëreshë e Botës, sepse lindi si kërkesë e saj e falë ndërhyrjes së saj të vazhdueshme u zhvillua e vazhdon të rritet”.
Figura e Virgjërës frymëzoi aq shumë Statutin e Misionareve të Bamirësisë, saqë secili prej 10 kapitujve të Kushtetutës fillon me një citim nga ngjarjet mariane të Ungjillit. Zoja quhet Misionarja e parë e Bamirësisë për arësye të vizitës që i bëri Elizabetës, ku dha prova bamirësie të flaktë në shërbim të kushërirës më të vjetër, e cila kishte nevojë për ndihmë. Përveç kushteve të zakonshme të varfërisë, pastrisë dhe bindjes, çdo misionare e Bamirësisë bën edhe një të katërt: “shërbimin e përkushtuar e pa interes për më të varfërit ndër të varfër”, duke pasur shën Marinë si shembull e ikonë shërbimi me gjithë zemër, bamirësie të vërtetë.
Përshpirtëria ndaj Zemrës së Papërlyer të Marisë është një aspekt tjetër i karizmës mariane dhe misionare të veprës së Nënë Terezës, praktikuar me mjetet më tradicionale e më të thjeshta: Rruzarja e Shenjtë që thuhet çdo ditë e në çdo vend, edhe rrugës; kulti i festave mariane (marrja e kushteve caktohet gjithnjë në këto festa); lutja plot besim drejtuar shën Marisë dhe shpërndarja e medaljeve të mrekullueshme (Nënë Tereza ua dhuronte të gjithë njerëzve që takonte); imitimi i virtyteve të Nënës së Zotit, sidomos të përvujtërisë, heshtjes, bamirësisë.
“I thirst” (Kam etje) është e shkruar në kryqin e Shtëpisë Nënë e në çdo kapelë – në çdo anë të botës – të çdo shtëpie të familjes rregulltare të Nënë Terezës. Kjo frazë, thirrja e dhimbjes së Jezusit mbi kryq, që i kishte jehuar në zemër mbrëmjen e “thirrjes së saj të dytë”, përbën çelësin e përshpirtërisë të së Lumes.
Figura e imët e Nënë Terezës, trupi i saj i brishtë i përkulur nga lodhja e sëmundja, fytyra e saj e gdhendur nga rudha pa fund janë tashmë të njohura në mbarë botën. Kush e ka takuar, sikur vetëm një herë, nuk ka mundur ta harrojë më: drita e buzëqeshjes së saj pasqyronte dashurinë e saj të madhe. Të tërhiqje vështrimin e saj, të syve të saj të thellë, të dashur, të qartë, të krijonte ndjesinë e habitshme se ishe në qendër të vështrimit të vetë Hyjit.
Aktive dhe kontemplative njëkohësisht, tek Nëna përqëndroheshin idealizmi dhe realizmi, pragmatizmi dhe utopia. Asaj i pëlqente ta quante veten “lapsi i vogël i Zotit”, një mjet i thjeshtë në duart e Tij. Pranonte me përvujtëri, se kur lapsi të bëhej një bisht pa vlerë, Zoti do ta hidhte tej, duke ua besuar të tjerëve misionin e saj apostolik: “Kush beson në mua, veprat që bëj unë edhe ai do t’i bëjë, e do t’i bëjë më të mëdha” (Gj 14,12).
Nënë Tereza vdiq në Kalkutë, në mbrëmjen e së premtes 5 shtator 1997, në orën 21.30. Ishte 87 vjeç. Më 26 korrik 1999 u hap, tri vjet para pesëve të parashikuara nga Kisha, procesi i lumnimit të saj; kjo, për vullnet të Atit të Shenjtë Gjon Palit II, i cili deshi ta përshpejtonte procedurën. Për njerëzit, Nënë Tereza është shenjte që tani.
Mesazhi i saj është gjithnjë aktual: Secili duhet të kërkojë Kalkutën e vet, të pranishme edhe në rrugët e Perëndimit të pasur, në ritmin frenetik të qyteteve. “Mund ta gjesh Kalkutën në të gjithë botën – thoshte ajo – nëse ke sy për të parë. Kudo ka njerëz që s’i do kush, për të cilët nuk kujdeset kush, të braktisurit, të harruarit”.
Bijat e bijtë e saj shpirtërorë vazhdojnë t’u shërbjenë “më të varfërve ndër të varfër” në jetimore, lebrozarë, shtëpi për të moshuar, për vajza nëna, për njerëz të destinuar të vdesin. Janë rreth 5000, duke përfshirë edhe dy degët mashkullore, më pak të njohura, të shpërndarë në rreth 600 shtëpi në të gjithë botën; pa numëruar mijëra vullnetarët e laikët e shuguruar që vazhdojnë veprën e saj. “Kur të vdes – thoshte Nënë Tereza – do të jem në gjendje t’ju ndihmoj më shumë…”








All the contents on this site are copyrighted ©.