2008-09-05 19:03:22

Ditën e festës liturgjike të Nënë Terezës, Kisha në Itali lutet për të krishterët e Orisës.


(05.09.2008 RV)RealAudioMP3 Në ditën e përkujtimit liturgjik të së Lumes Nënë Terezë, Kisha italiane shpreh, me një Ditë lutjeje e agjërimi, afërsinë e saj shpirtërore me besimtarët indianë të Orisës, viktima të dhunës kundër të krishterëve. Kryesia e Konferencës ipeshkvnore italiane bashkon zërin me thirrjen e fuqishme të Benediktit XVI, që dënoi çdo sulm kundër jetës njerëzore, duke i nxitur të gjithë të kërkojnë rrugët e paqes e të harmonisë. I intrevistuar nga Radio Vatikani, kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane, kardinali Anxhelo Banjasko, pasi shpjegon se kjo ditë kremtohet për t’i shprehur solidaritetin më të thellë e më të krishterë vëllezërve në fe, ndalet tek figura e së Lumes Nënë Terezë:

Përgjigje: - Nënë Tereza është një shembull tejet i madh, e jo vetëm për Indinë, por për mbarë botën, për Kishën në veçanti. Na kujton se mënyra më e mirë, më e frytshme për t’iu përgjigjur persekutimit, thellësisht të padrejtë, është ajo e dashurisë dhe e faljes. Nënë Tereza na mëson të vihemi në shërbim të njerëzve të varfër, të vuajtur në korp e në shpirt, për dashuri të Krishtit e të Kishës. Prandaj, nga njëra anë, uroj që feja e të krishterëve të forcohet gjithnjë e më shumë përmes gjakut të martirëve, por nga ana tjetër, të pohojmë të vërtetën, të mbajmë qëndrim kundër padrejtësive, pa harruar kurrë forcën e madhe të faljes e të dashurisë.

 
Kremtimi i Ditës së sotme nga ana e Kishës italiane u prit me mirënjoihje nga ipeshkvijtë indianë, të cilët do ta kremtojnë Ditën e tyre të lutjes për Orisën të dielën e ardhshme, më 7 shtator. Ndërkaq sot Misionaret e Bamirësisë u gjunjëzuan para varrit të Nënë Terezës dhe iu lutën të ndërmjetësojë për paqen në Orisë. Intervistuam zëdhënësin e episkopatit indian, atë Jozef Babu, me telefon nga Nju-Delhi.

Pyetje: - Sot Kisha kujton Nënë Terezën. A mund të themi se edhe në këto kohë kaq të vështira, të krishterët e Indisë janë shenjë dashurie e shprese, si Nëna e madhe të varfërve?

Përgjigje: - Plotësisht e vërtetë. Nënë Tereza ishte simbol universal i dashurisë, i bamirësisë e i shpresës. Indianët, pavarësisht nga feja, e donin dhe e respektonin. Zëri i saj pajtonte, mjekonte plagët, sillte bashkimin në Indi, prandaj unë besoj se ndjekësit e të gjitha grupeve fetare vijojnë ta dëgjojnë zërin e saj e mesazhin e saj, e ne dëshirojmë që ky mesazh të jehojë fuqimisht kudo, e sidomos, në shtetin e Orisës.







All the contents on this site are copyrighted ©.