2008-09-05 18:00:58

365 ditë: "Ligji Falù, autorizon hapjen e shkollave të krishtera".


(05.09.2008 RV)“Është shtrembër. Zhvendoseni paksa nga e majta!”.
Meshtari, i hipur mbi një stol, e zhvendos. Një goditje me çekan e gjithçka është në rregull. I Kryqëzuari vendoset drejt mbi murin e klasës, sipër dërrasës së zezë. Meshtari kërcen nga stoli e, së bashku me sivëllaun, shikojnë, tepër të kënaqur, të Kryqëzuarin, drejtuar nga klasa. Në dukje, të varësh një kryq në mur, duhet të ishte diçka pa ndonjë rëndësi të madhe: prandaj të lind vetvetiu pyetja pse dy meshtarët, që bënë një gjë kaq të zakonshme, janë tejet të lum. Janë të lum, sepse pikërisht sot, e jemi në gusht të vitit 1850, gjesti që kryen ka një kuptim të jashtëzakonshëm, historik!
“I dashur Federik… ty Zoti të bekoftë!”, thotë meshtari më i moshuar. Njeriu, të cilit sapo ia kujtoi emrin, është Falù, ministri francez i arsimit i cili, aty nga gjysma e marsit, ia doli mbanesh të miratojë një ligj, që mban emrin e tij: ligji Falù. Sipas këtij ligji, lejohet të hapen shkolla, në të cilat nxënësit mund të formohen me botëkuptim të krishterë.
Në Francë, mësimi i besimit në shkolla ishte ndaluar prej kohe. Në vitin 1806 Napoleoni pati vendosur ta lërë plotësisht në dorë të shtetit edukimin e fëmijëve. Zgjedhja e programeve mësimore, përgatitja e mësuesve, provimet e konkurset ishin të gjitha nën kontrollin e shtetit.
Më 15 mars 1850 Federik Falù propozoi ta shfuqizonte këtë monopol! E tani dy meshtarët po përgatitin për fillimin e vitit shkollor, një nga shkollat e para, që quhen ‘të lira’ , dmth që nuk drejtohen më nga shteti, por nga shoqatat e krishtera. Prandaj janë kaq të kënaqur, kur e shikojnë përsëri kryqin mbi dërrasën e zezë. Mësuesit e krishterë do t’ua ndriçojnë mendjen nxënësve me dritën e fesë; arsye e fe nuk i kundërvihen njëra-tjetrës, por e ndihmojnë njëra-tjetrën.Kanë kaluar më se njëqind e pesëdhjetë vjet nga kjo ngjarje, por në Francë ligji Falu vijon të jetë në fuqi. Në shkollat e lira apo private, nxënësit mund të formohen edhe sot me botëkuptim të krishterë. Shkollat publike e private bashkëjetojnë pa kurrfarë problemi e prindërit mund t’i regjistrojnë lirisht fëmijët e tyre në shkollën që dëshirojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.