2008-09-04 18:58:27

Të krishterët e Lindjes, nga India, në Pakistan e Irak - viktima të persekutimit fetar!


(04.09.2008 RV)RealAudioMP3 Në Indi, ipeshkvijtë denoncojnë se sulmet e fanatikëve hindusitë kundër të krishterëve në shtetin e Orisës, vijojnë. Kryeministri Manmohan Singh, u ka siguruar familjeve të viktimave mbrojtjen e shtetit dhe i ka quajtur padrejtësi sulmet e fanatikëve hinduistë kundër të krishterëve, duke shtuar edhe se dhuna i kundërvihet drejtësisë, prandaj nuk mund e nuk duhet të vijojë. Kisha, që po bën bën përpjekje bashkëpunimi me shtetin për t’i dhënë fund dhunës, ka vendosur që më 7 shtator të kremtohet një Ditë lutjeje e agjërimi për paqen. Atë George Manimala, vikar ipeshkvnor për Kishat Lindore, me telefon nga Delhi, i fton të gjithë të krishterët të luten për paqe e dialog në Orisa:

Përgjigje: - Ne lutemi për paqen e u kërkojmë të gjithë katolikëve, të krishterëve në përgjithësi, të luten për situatën në Orisa. Ka shumë rëndësi lutja e të gjithëve për paqen, zhvillimin e harmoninë. Është e rëndësishme edhe dëshmia që japin të gjithë për dashurinë e pajtimin!
 
Pakistan: shumë të krishterë janë viktima të persekutimit fetar.
Jo vetëm në Indi të krishterët jetojnë me frikë e janë viktima të persekutimit fetar. Kjo ndodh edhe në Pakistan. Denocimin, përmes Lëvizjes ‘Ndihmë për Kishën që vuan”e bën Atë Emanuel Asi, françeskan kapuçin, famullitar i Lahores e sekretar i Komisionit Biblik në vend.
Akoma sot - tregon atë Asi – të jesh i krishterë në Pakistan, do të thotë të jesh nënshtetas i dorës së dytë, por kjo nuk i pengon aspak besimtarët të jenë krenarë për fenë e tyre, ndonëse janë njerëzit më të varfër, më të përjashtuarit nga të gjitha të drejtat. Dialogu ndërfetar bëhet gjithnjë më i vështirë edhe për shkak të akuzave për prozelitizëm. E kohët e fundit është shtuar në mënyrë të ndjeshme edhe numri i sulmeve kundër pakicave fetare, realizuar nga myslimanët në formën e ‘fatwa’, (vendimit të gjykatave islamike, që mund të dënojnë me vdekje jo të krishterët), të rrëmbimeve e të sulmeve kundër vendeve të kultit. Mjeti më i keq i persekutimit fetar mbetet i ashtuquajturi ‘ligji mbi blasfeminë’, që i dënon me vdekje ose me burgim të përjetshëm ata që fyejnë Kuranin ose që flasin keq kundër Muhametit.

Irak: vriten dy të krishterë, por jo për çështje feje.Në Irak ushtarakët amerikanë vranë gabimisht dy ushtarë të krishterë irakianë pranë Bagdadit. Dhuna vijon edhe në Mosul, qytet irakian i Kurdistanit, ku të krishterët po jetojnë ngjarje dramatike. Pardje u vra Tarik Katami, mjek i krishterë 65 vjeçar, i rrëmbyer pak ditë më parë nga një bandë terroristësh, megjithëse kishte marrë nga familja një shumë prej 20 mijë dollarësh. Vrasja pason mbytjen, katër ditë më parë, të një të krishteri tjetër. E të gjithë e kujtojnë mirë haraçin e gjakut që pagoi Mosuli në marsin e kaluar, me vrasjen e kryeipeshkvit, imzot Paulos Faraj Rahho, rrëmbyer e mbytur nga terroristët. Gjatë vitit të kaluar 47 të krishterë janë vrarë vetëm në Mosul, ku gjatë gjithë vitit 2008 nuk kanë pushuar sulmet kundër ndërtesave kishtare. Ipeshkvi Filip Nazhim, prokuror i Patriakanës të Babilonisë së Kaldejve pranë Selisë së Shenjtë, shpjegon se nuk është e drejtë të flasim për urrejtje kundër të krishterëve në Irak, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Në të vërtetë nuk ekziston çështja e një Iraku, që është kundër të krishterëve. Siç e dini, sot gjithë populli irakian vuan nga sulmet terroriste, që vijojnë ditë për ditë kundër popullsisë së pafajshme, kësaj popullsie të martirizuar, që e dëshiron prej kohe paqen. Prandaj kur bie një bombë a kur nis një sulm, nuk i dihet më a mbyt të krishterë apo myslimanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.