2008-09-04 18:56:35

Të dielën, Benedikti XVI shkon në Kaliari të Sardenjës. Të rinjtë përgatiten ta presin.


(04.09.2008 RV) RealAudioMP3 Vlojnë përgatitjet në Kaliari për vizitën e Papës Benedikti XVI, që të dielën do të shkojë për të kremtuar së bashku me sardët 110-vjetorin e shpalljes së Zojës si Pajtore më e Madhe e krejt Sardenjës. Paradite, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën në tremen e Shenjtores së Zojës sonë të Bonarisë. Pasdite, takimi në katedralen e Kaliarit me meshtarët, seminaristët dhe bashkësinë e Fakultetit Papnor Teologjik të Sardenjës. Vizita e 11-të baritore e Benediktit XVI në Itali do të përfundojë me takimin me të rinjtë në Sheshin Jene. Si përgatiten të rinjtë për këtë takim? Të dëgjojmë imzot Mozè Marçìa, ipeshkëv ndihmës i Kaliarit:
Ky takim është përgatitur prej kohësh; në muajin mars kemi përvijuar një rrugë shpirtërore për të gjithë, të rinj e jo, në të gjitha famullitë e dioqezës e të rajonit sard, një buletin ku ishin pasqyruar Zoja, Kisha dhe Papa. Më pas, pas Pashkëve, kemi botuar një buletin tjetër, veçmas për të rinjtë, ku pasqyroheshin tri temat themelore: Maria, Kisha dhe figura e shën Pjetrit. Kjo rrugë u përshkua deri në përfundim të korrikut. Tani, si përgatitje në prag të ngjarjes, të shtunën më datë 6, në mëngjes, do të priten të rinjtë pranë Panairit Kampionar të Sardenjës, paradite katekizmi dhe pasdite do të kryhet Udha e Lumnive, e cila është një rrugë edhe fizike, përveçse shpirtërore. Grupe prej 100-150 të rinjsh do të përshkojnë këtë itinerar në pikat më të rëndësishme historike të Kaliarit, duke reflektuar mbi Lumnitë, për të përfunduar me Rrëfimet dhe adhurimin e Eukaristisë, e cila do të vazhdojë deri në orën 2 të natës. Më pas, pushim për të pritur të dielën më 7 shtator, arritjen e Papës dhe kremtimin eukaristik të orës 10.30. Në mbrëmje takimi i shumëpritur me Papën.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.