2008-09-04 19:02:24

365 ditë: "Imzot Afrë derdh gjakun për punëtorët parizianë".


(04.09.2008 RV)RealAudioMP3 “Republika i mbyll ofiçinat kombëtare”.
Lajmi përhapet me shpejtësinë e dritës nëpër rrugët e kryeqytetit. Dhjetra mijëra punëtorë parizianë, tani të pa punë, janë shkatërruar; republika u shterron të vetmin burim jetese. Pas pak kohe nisin të organizohen manifestime të fuqishme. Ngrihen edhe barrikada. Në Paris situata bëhet gjithnjë më e nderë. Britmat e manifestuesve zëvendësohen me të shtëna armësh. Dy ditë më pas, më 25 qershor 1848, nis beteja. Ndërkaq imzot Afrë, kryeipeshkëv i Parisit, i tronditur thellë nga ushtrimi i dhunës, vendos të dalë, t’u flasë punëtorëve e të rivendosë paqen.
Pasdite vonë imzot Afrë, me veladonin e tij ngjyrë vjollce, shkon në vatrën më të zjarrtë të luftimeve. Misioni është tepër i rrezikshëm. Ata që janë përpjekur të dialogojnë, para tij, kanë mbetur të gjithë të vrarë. Tunden shamitë e bardha e ipeshkvi ecën përpara, i shoqëruar nga një grup i vogël, i çarmatosur, paqësor. Kapërcen një barrikadë, një tjetër akoma. Situata bëhet gjithnjë më e nderë; imzot Afrë vijon t’i ftojë punëtorët t’i zëvendësojnë armët me dialogun paqësor. Por ja që, papritmas dy plumba shpojnë heshtjen që, për disa sekonda, ka mbetur e varur ndërmjet dy palëve.
“Tradhti!” – bërtet dikush.
Por të shtënat vazhdojnë. E, krejt paprimtas, kryeipeshkvi lëkundet e bie përdhe, i goditur nga një plumb që është nisur drejt tij. Punëtorët e rrethojnë, të pakënaqur. Nuk deshën në asnjë mënyrë ta vrisnin, sepse feja e guximi i imzot Afrë, zgjuan në shpirtin e tyre respekt e admirim. Nuk dihet kush qëlloi, e as që do të zbulohet kurrë.
Kur i thonë se mund të vdesë nga plaga, imzot Afrë nuk shqetësohet fare, vetëm lutet:“Zoti im, po ta fali jetën time! Pranoje, që të marrë fund rrjedhja a gjakut të pafajshëm të punëtorëve. Jeta ime nuk vlen shumë, po ti merre. Do të vdisja i lumtur, në se kjo luftë e tmerrshme do pushonte, në se flijimi im do të shërbente për t’i shpëtuar njerëzit nga vuajtje të reja. Thoni punëtorëve se u përbehem t’i ulin armët, t’i japin fund kësaj lufte kaq mizore. Qeveria nuk mund t’i braktisë. Do t’u hapë vende të reja pune në Paris. Thoni, ju lutem t’i japin fund revoltës, për të mirën e tyre”.
Dy ditë më vonë, pas një agonie të gjatë, imzot Afrë jep shpirt, pikërisht kur luftimet në rrugë kanë pushuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.