2008-09-03 17:51:23

365 ditë: "Bekimi i drunjve të Republikës: përpjekje për të pajtuar Kishën me Shtetin".


(03.09.2008 RV)RealAudioMP3 Sot është një ditë shumë e veçantë. Atë Jozefi mbush një enë të vogël me ujë të bekuar. Me të do të bekojë një dru, që do të jetë simbol i pajtimit të Kishës me Republikën. Prandaj atë Jozefi është tejet i lum e fishkëllen një këngë, që i jep lumni Hyjit. Atë Jozefi lindi në fillim të revolucionit, në vitin 1789. U rrit e u plak nën regjime të ndryshme, pak a shumë tolerante ndaj Kishës, ndonëse nuk munguan edhe rastet e marrëdhënieve aspak miqësore. Por ja që sivjet - e jemi në vitin 1848 - gjatë muajit shkurt filloi një revolucion i ri. Në përgjithësi, të krishterët nuk i duan revolucionarët e as revolucionarët nuk i shikojnë me sy miqësor të krishterët. Dashuria është reciproke. Por këtë radhë revolucionarët zgjodhën parullën: “Liri, barazi, vëllazërim!”. Janë ideale fisnike, që u premtojnë njerëzve një ardhmëri më të mirë, një shoqëri më të drejtë. Të gjithë ipeshkvijtë francezë, duke dëgjuar këtë parullë, e ndjenë veten të lumtur. Kështu, mbi bazën e këtyre tri fjalëve të ngarkuara me premtime, do të mund të realizohej pajtimi i madh ndërmjet Kishës e Shtetit. E kur revolucionarët u kërkuan meshtarëve të marrin pjesë në ceremonitë, që do të organizoheshin në të gjitha qytetet për mbjelljen e disa drunjve, simbol i lirisë, e për t’i bekuar, ipeshkvijtë iu përgjigjën ftesës plot entuziazëm .
Në fund të fundit, janë të krishterët ata, që i dhanë botës termat e motos së re, duke kujtuar se njerëzit janë të gjithë vëllezër e se atje ku është Krishti, atje është edhe liria. Atë Jozefi, duke dalë nga sakrestia për të shkuar në vendin ku sapo është mbjellur druri i lirisë, mendon për letrën që mori nga ipeshkvi Bove Zhinjò:
“Në se ju duket e nevojshme të mbani ndonjë fjalim të shkurtër, mos harroni të theksoni se parimet e lirisë, të barazisë e të vëllazërimit vijnë drejtpërdrejtë nga Ungjilli”.
Sigurisht Atë Jozefi do t’i kujtojë turmës, me kënaqësi të thellë, se këto parime janë vlera të krishtera. Ndoshta do të citojë edhe mendimin e një sivëllai nga Tuluza, që i duket jashtëzakonisht i drejtë: “Druri i parë i lirisë në historinë e njerëzimit u mboll njëmijë e tetëqind vjet më parë. Është “druri” që i çliroi njerëzit përgjithmonë, ‘Kryqi i Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.