(02.09.2008 RV)Në emisionin e 28-të
ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, duke shfletuar librin ‘Jeta ime’,
e Lumja e parë shqiptare na flet për “Fuqinë e lutjes”.
“Kemi
nevojë të lutemi, po aq sa të marrim frymë. Pa lutje, nuk mund të bëjmë
asgjë! Për mua është tejet e rëndësishme të jem e krishterë. Është
gjithçka, sepse çdo njeri duhet të veprojë sipas hirit që Hyji i jep shpirtit të tij. Hyji
i jep çdo shpirti që ka krijuar mundësinë të rrijë ballë për ballë me Të, ta pranojë
ose të mos e pranojë. Zoti ka mënyrat e metodat e veta për të punuar në
zemrat e njerëzve. Ne nuk mund ta dimë kurrë si e kur i afrohet njeriu
Zotit. Por ndërkaq, përmes mënyrës si sillet njeriu, mund ta kuptojmë menjëherë
a i shërben Hyjit apo jo! Mënyra si e jeton secili nga ne jetën e vet, është
shprehja më e qartë dhe prova më e sigurtë, që tregon a i përket Zotit apo jo, pavarësisht
nga fakti se mund të jetë hinduist, mysliman apo i krishterë. Koha ime është
plotësisht në shërbim të të tjerëve. Ashtu edhe koha e motrave të mia. Punojnë
pa pushuar për të mirën e të sëmurëve e të fëmijëve. Nuk u mbetet kohë
as për të shkruar një letër. Thoni atyre që na shkruajnë: ‘Mos
na e merrni për të keq, në se nuk ju përgjigjemi. Kemi punë, tepër. Shumë
vende kanë një zakon fort të dashur për të krishterët: këmbanën e Engjëllit. Në
një nga qytetet, ku shërbejnë, motrat, dëgjuan njerëzit duke u ankuar: “Si
është e mundur që nuk e dëgjojmë prej kohe këmbanën e Engjëllit të Tënzot? Na pëlqente
t’i luteshim Zojës së Bekuar, sapo niste të tingëllonte, për të kumtuar lajmin e mirë
të mishërimit të Shëlbuesit…”. Ia çuan këto fjalë në vesh famullitarit,
e ai u përligj duke thënë se nuk kishte kohë t’u binte këmbanave tri herë në ditë
e se famullia nuk mund të paguante një këmbanar. Motrat u treguan të gatshme
ta kryejnë edhe detyrën e këmbanarit. E njerëzit e ndjenë vetën të lumtur, sepse nisën
ta thonë rishtas lutjen e Engjëllit të Tënzot. Të varfërit kanë uri për
Hyjin. Kanë dëshirë ta dëgjojnë atë që u flet për Të. Shqetësimi
më i madh i tyre, nuk është mungesa e sendeve materiale. Atyre u pëlqen
të dëgjojnë se kanë në qiell një Mik të madh, një Atë, që i do, që mendon për ta!".