2008-09-02 17:45:09

Irak: katolikët e myslimanët luten së bashku për paqen.


(02.09.2008 RV)Lutja e përbashkët për paqen dhe bashkëjetesën vëllazërore mblodhi në katedralen e Kirkukut, në veri të Irakut, prijës fetarë të krishterë, myslimanë: synitë e shiitë, arabë, kurdë e turkomanë. Njëzëri i drejtuan Zotit himne, psalme, lutje e lexime nga Shkrimi Shenjt. Lutjet u ndoqën nga kryetarë fisesh, përfaqësues të botës politike e ushtarake. Edhe dy gra myslimane lexuan lutje për paqen.
“Me lutje – theksoi kryeipeshkvi Lyi Sako – mund të realizojmë pajtimin e të rivendosim paqen; lutja i shndërron zemrat e mendjet. Lutja të ndihmon t’i pranosh të tjerët, pavarësisht nga ndryshimet. Lutja është zë që i drejtohet Zotit për ndihmë në situata të vështira, zë që arrin te froni i Hyjit!".
Ky takim, në fillim të Ramazanit, tingëlloi edhe si thirrje drejtuar besimtarëve myslimanë për të agjëruar, për t’u lutur e për të punuar për paqen e pajtimin. Në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin, besimtarët e të gjitha feve në Irak mund ta fitojnë betejën kundër dhunës e t’i thellojnë më tej harmoninë e vëllazërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.