2008-09-01 17:08:58

Sot Kisha katolike kremtoi festën e Shën Egjidit


(01.09.2008 RV)RealAudioMP3 Epoka në të cilën jetoi Egjidi abat (në frëngjsht Zhil), nuk njihet me sakëtsi. Disa mendojnë se është fjala për Egjidin që u dërgua në Romë nga Shën Qesari i Arles në fillim të shekullit VI: të tjerë mendojnë se jetoi një shekull e gjysëm më vonë dhe e datojnë vdekjen e tij rreth viteve 720 e 740. Në këtë drejtim është e paktë edhe ndihma që na jep gojëdhëna rreth jetës së tij. E kjo, sepse ndërmjet ngjarjeve të ndryshme të jetës së shenjtit, kujton edhe ato, që i shohim sot e kësaj dite në dy vetrata e në një skulpturë në portën e Katedrales së Shartrë. Në vetratat, Shën Egjidi paraqitet duke kremtuar Meshën e duke nxjerrë nga Zoti hirin e faljes së një mëkati që kishte bërë Karli i Madh, të cilin nuk kishte guxuar t’ia rrëfente asnjë meshtari tjetër. Por duhet të kujtojmë se Karli i Madh jetoi në vitet 768-814.
Varri i Shenjtit, që nderohet në një Abaci të zonës së Nimes, ka shumë mundësi të jetë i epokës merovingike, ndonëse shkrimi mbi rrasë duhet të jetë skalitur aty nga shekulli X, kur u shkrua edhe jeta e Abatit të Shenjtë. Jeta e Shën Egjidit është një përmbledhje gojëdhënash, që u ruajtën në kujtesën popullore, më tepër për t’i përforcuar besimtarët në fe. Të shumta - dëshmitë e kultit të Shenjtit në Francë, Belgjikë e Holandë.
Është pajtor i vetmitarëve, nënave e kuajve. Emri i tij vjen nga greqishtja e do të thotë ‘i lindur në Egje’. Paraqitet me simbolet e shkopit baritor e të drenushës. E ky simbol buron nga gojëdhëna, sipas së cilës Zoti i çoi Shenjtit një drenushë për ta ushqyer me qumësht, kur jetonte krejt i vemuar, larg çdo fytyre njerëzore, në mes të një pylli të dendur.
Në familjen françeskane emri Egjid është shumë i dashur, sepse i nderuar nga disa të lum, ndërmjet të cilëve, më i njohuri, është shoku i tretë i Shën Françeskut, Fra Egjidi, fshatari i urtë, gjithnjë ‘shend e verë’, që kremtohet më 23 prill.







All the contents on this site are copyrighted ©.