2008-09-01 17:07:43

Në Engjëllin e Tënzot, thirrje e Papës për t’i dhënë fund emigracionit të parregullt.


(01.09.2008 RV)Lutja e djeshme e Engjëllit të Tënzot, që Benedikti XVI e kremtoi në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos, ishte e ngarkuar me reflektime të fuqishme. Përballë së njëjtës turmë, mbledhur në oborr, që e duartrokiti dhe e brohoriti disa herë, Papa, i tronditur thellë nga faqet dramatike të kronikës së kohëve të fundit për tragjeditë e emigrantëve, u kërkoi me forcë vendeve ku arrijnë, t’i hapin portat me frymë humanitare; e vendeve, prej nga nisen, t’i shkulin nga rrënjët elementët kriminalë, që fshihen pas këtyre udhëtimeve, të cilat vënë në rrezik jetën e mijëra njerëzve.
Udhëtime shprese, që kthehen në ankth pa fund. Burra, por gjithnjë më shpesh, edhe gra, me fëmijë të shtrënguar në krahë ose akoma në bark, strukur në skafe të vogla, sfidojnë forca shumë më të mëdha se të tyret, për të ikur nga varfëria ose nga luftërat e, tepër shpesh, mbetën të shtypur nën peshën e këtyre forcave. Prej vitesh, për fat të keq, ujërat e Mesdheut janë bërë një varr vigan nën qiellin e hapur, ku gjejnë vdekjen mijëra emigrantë. E tragjedia më e fundme, që flet për 70 të mbytur 40 milje larg Ishullit të Maltës, të mërkurën e kaluar, e nxiti Benediktin XVI t’i kushtojë një reflektim të gjatë, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar dje paradite në Kastel Gandolfo. Pasi kujtoi, me shqetësim të thellë, numrin e madh të viktimave të këtyre përpjekjeve për të kapërcyer detin e ripohoi se emigracioni është fenomen tepër i lashtë, i gjithëpranishëm në marrëdhëniet ndërmjet popujve e kombeve, Papa vërejti:
“Emergjenca në të cilën është shndërruar në kohët tona, krijon një mori pikëpyetjesh e, ndërsa nxit solidaritetin tonë, kërkon njëkohësisht, të jepen përgjigjet e duhura politike. E di se shumë instanca zonale, kombëtare e ndërkombëtare po merren me çështjen e emigracionit të parregullt: i miratoj dhe i inkurajoj që ta vijojnë veprimtarinë e tyre me ndjenjë përgjegjësie e frymë humanitare. Ndjenja të larta përgjegjësie duhet të kenë edhe vendet e origjinës, jo vetëm sepse janë nënshtetasit e tyre, por edhe për të zhdukur shkaqet e emigracionit të parregullt, si dhe për të shkulur nga rrënjët, të gjitha format e kriminalitetit, që lidhen me të”.
Përveç kësaj – vijoi Benedikti XVI- vendet evropiane, cak nga drejtohen emigrantët, janë të thirrura të arrijnë një marrëveshje të përbashkët për nismat dhe strukturat gjithnjë më të përshtatshme, që t’u përgjigjen nevojave të emigrantëve të parregullt:“Këta të fundit, pastaj, duhen sensibilizuar për vlerën e jetës së tyre, pasuri unike, gjithnjë e çmueshme, që duhet mbrojtur nga rreziqet tepër të mëdha, të cilave u nënshtrohen, në kërkim të përmirësimit të kushteve të jetesës e për detyrën e respektimit të ligjit, të cilit duhet t’i binden të gjithë. Si Atë i përbashkët, e kam për detyrë t’u tërheq të gjithëve vëmendjen mbi këtë problem e të kërkoj bashkëpunimin bujar të individëve e të institucioneve për ta përballuar e për të gjetur rrugëzgjidhje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.