2008-09-01 17:08:07

Emocioni i thellë i Ingrid Betankur, që u prit nga Benedikti XVI në Kastel Gandolfo.


(01.09.2008 RV)RealAudioMP3 Takim tepër emocionant sot në Kastel Gandolfo. E pritur prej dy muajsh, audienca e paradites së sotme, në të cilën Benedikti XVI priti Ingrid Betankur, u jetua nga ish-kandidatja për presidente në zgjedhjet kolumbiane, me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje e dashurie për Atin e Shenjtë. Betankur, e rrëmbyer në shkurt të vitit 2002 dhe e liruar më 2 korrikun e kaluar, shoqërohej nga nëna dhe bijtë e saj.
Në përfundim të takimit me Papën, Ingrid shkoi në selinë e provincës së Romës, për një takim tjetër zyrtar, që pasohet nga veprimtari të tjera të dendura, gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në Itali. Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit dhe i Radios sonë, e përshkruan kështu, atmosferën e audiencës, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

“Një klimë, do të thosha, e ngarkuar me emocion të madh, sepse Ingrid e dëshironte tepër këtë takim me Atin e Shenjtë, gjë që e tha që në çastin e parë të lirimit të saj. E kjo, sepse koha e burgimit ishte për të kohë e një përvoje tepër të pasur shpirtërore, kohë lutjeje, e prej këndej kishte vërtetë dëshirë t’ia komunikonte Atit të Shenjtë vlerën që pati për të feja, pa të cilën vështirë se do ta kishte kapërcyer me sukses një periudhë kaq të vështirë. E deshi edhe ta falënderonte për lutjen e Tij, për afërsinë, për disa shenja, përmes të cilave Ati i Shenjtë shprehu qëndrimin e mbështetjen shpirtërore për të gjitha pengjet, e posaçërisht, për të. Kujtojmë se Ati i Shenjtë e priti nënën e Ingrid Betankur në njërën nga audiencat e tij të përgjithshme e i tha fjalë ngushëlluese, të cilat Ingrid, ende e burgosur, i dëgjoi në radio, e kjo e preku thellësisht. Kështu mund të themi se ky takim vulosi një përvojë, gjatë së cilës natyrisht Ingrid vuajti shumë, por pati edhe një ngushëllim të madh shpirtëror”.

Siç u shpreh Atë Lombardi, nga vuajtja e madhe që pësoi Ingridi, u kalit më tej karakteri i saj i krishterë, e kështu ajo nuk e humbi kurrë besimin në Zotin. E këtë e dëshmoi publikisht në raste të ndryshme.

E vetmja gjë që rrëmbyesit nuk mundën ta mbajnë peng, ishte feja e saj. I vodhën gjashtë vjet e gjysëm nga jeta, por jo atë besim, që vetëm lutja, e përsëritur qindra herë duke kaluar nëpër gishta Rruzaren e bërë me spango e me pulla, mund ta bëjë më të fortë se vetë dëshpërimi. Tashmë ka hyrë në arkivin e kujtesës televizive figura e saj në gjunjë, mbi pistën e areportit të Katamit, pranë Bogotasë, duke falënderuar Zotin e ata që e shpëtuan nga burgimi e i krijuan përsëri mundësitë të kthehet në gjirin e familjes, të nënës, të bashkëshortit e të fëmijëve.
Më 2 korrikun e kaluar, kur për Ingridin jeta filloi përsëri, një nga dëshirat e para ishte të takohej me Papën Benedikti XVI i cili, në shkurtin e kaluar, e priti nënën e saj, Jolandën, në Vatikan. E një dëshirë tjetër, e realizuar dhjetë ditë pas lirimit, gjunjëzimi para Zojës së Lurdës, më 12 korrikun e kaluar, rrethuar nga një turmë e madhe, nën një shi të rrëmbyer. Hynë në arkivin e kujtesës edhe sytë e kthjelltë të Ingridit, lartuar drejt Zojës së Papërlyer, ndërsa gërshetonte gishtrinjtë me ato të fëmijëve. Gjatë këtyre 60 ditëve pas lirimit, e pamë me qindra herë Ingridin në televizor, por ne na pëlqen të ruajmë përgjithnjë në kujtesë, dy gjunjëzimet aq shprehëse: në aeroportin e Katamit e pranë Shpellës së shpresave të mëdha, në Lurdë. Dy dëshmi pamore të një bindjeje të thellë, shprehur nga ish-senatorja franko –kolumbiane, që u mbytën shumë shpejt nga zhurma e mediave, të cilat i tërheqin deklarata të një tipi tjetër: “Duhet të kemi gjithnjë një përshpirtëri të madhe, në se nuk duam të shkasim në greminë”. E ne urojmë që kjo dëshmi t’u japë zemër edhe 700 pengjeve të tjera, që janë akoma në duart e FARK.







All the contents on this site are copyrighted ©.