2008-09-01 17:08:41

“Mrekullia e lumturisë sonë ”.


(01.09.2008 RV)RealAudioMP3 Nuk janë të shumtë njerëzit e kohëve tona, që e kërkojnë lumturinë duke trokitur portë më portë për të lypur lëmoshë. E jo për vete, por për të tjerët. Të paktë ata, që mendojnë se mund të jesh i lum, duke mjekuar ditë për ditët plagët e gërbulës a të sëmundjeve të tjera ngjitëse. Të paktë njerëzit, që e përfytyrojnë lumturinë me fytyrën e varfërisë e të të varfërve. Si mund të shpjegohet, atëherë, misteri i lumturisë së Nënë Terezës e motrave të saj? Përgjigjen e gjejmë në emisionin e 27-të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, duke shfletuar librin ‘Jeta ime’.

“Të varfërit tanë nuk janë të tillë, sepse u pëlqen.
Ndërsa ne e zgjodhëm varfërinë lirisht, me pëlqimin tonë.
Duam të jemi të varfër, si Krishti që, duke qenë i pasur, deshi të lindte, të jetonte e të punonte në mes të të varfërve.
Në Kushtet rregulltare të Kongregatës sonë, shkruhet:
“Ne e të varfërit tanë e mbështesim gjithë besimin në Provaninë Hyjnore. Nuk na vjen turp të lypim portë më portë, sepse jemi gjymtyrë të Krishtit, i cili jetoi me lëmoshë gjatë jetës së tij publike e të cilit i shërbejmë në njerëzit e sëmurë e të varfër”.
Në se Kongregata është vepër e Zotit, sigurisht që do ta vijojë misionin.
Por në se motrat nuk do të ishin më besnike, nuk do të punonin më për lavdi të Zotit, Ai mund të vendosë që Kongregata të zhduket.
Mrekullia nuk qëndron në aftësinë tonë për ta kryer mirë veprimtarinë e përditshme.
Mrekullia duhet parë në faktin se, pavarësisht nga natyra e veprimtarisë sonë, ne jemi të lumtura!
Ajo që bëjmë nuk është hiçgjë.
Është Krishti ai, që bën gjithçka.
Atij i takon gjithë lavdia.
Zoti nuk më kërkon të kem sukses.
Më kërkon të jem besnike.
E më ka dhënë një dhuratë shumë të çmuar: shëndetin!”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.