2008-08-31 13:35:10

Një javë me Benediktin XVI, i cili sot e kremtoi Engjëllin e Tënzot nga Kastel Gandolfo…


(31.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Papa e kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot në Kastel Gandolfo, në praninë e qindra besimtarëve e shtegtarëve nga vende të ndryshme të botës. Para lutjes, kryesoi, në formë private, Meshën Shenjte me një grup nga ish-studentët e tij të “Ratzinger Schülerkreis”, që arritën dje në Kastel Gandolfo, për t’u takuar me ish-Profesorin e tyre, Benediktin XVI.

Por, kujtojmë se sot është dita e fundit e gushtit: data 31. Nesër fillon shtatori e me të, edhe veprimtaritë e dendura të Shenjtërisë së Tij, duke nisur që nesër me audiencën, në të cilën Papa do të presë Ingrid Betankur. Madje mund të themi se tashmë kanë filluar me audiencën e përgjithme të së mërkurës së kaluar, që Papa e kremtoi përsëri në Vatikan.
Në audiencën e përgjithshme Ati i Shenjtë u foli besimtarëve për trishtimin e thellë me të cilin i priti lajmet nga Orisa e Indisë, ku kundër bashkësive të krishtera vijon të ushtrohet dhuna. Duke kujtuar vrasjen e disa njerëzve, plagosjen e shumë të tjerëve, shkatërrimin e qendrave të kultit, të pronave të Kishës e të shtëpive private, Ati i Shenjtë theksoi se është pranë të krishterëve, viktima të dhunës, dhe kërkoi me forcë që jeta njerëzore të respektohet në çdo rrethanë.
Para thirrjes për Orisën, Benedikti XVI u foli besimtarëve për etapat kryesore të jetës së Shën Palit. Një jetë e jashtëzakonshme – e quajti Ati i Shenjtë – kushtuar plotësisht kumtimit të Ungjillit, duke vënë në shërbim të tij të gjitha energjitë, pa marrë parasysh provat e rënda, që iu desh të kalojë.

 
Me shtatorin, pra, Papa do të rifillojë menjëherë veprimtaritë e rëndësishme, duke nisur nga shtegtimi në Kaliari, më 7 shtator.
Një udhëtim prej dymbëdhjetë orësh: me katër fjalime, disa takime, ndërmjet të cilave, edhe ai me të rinjtë, e me vizitën në Shenjtëroren e Zojës së Bonarias.
Papa Racinger e viziton Kaliarin, pikërisht kur kremtohet një Vit i posaçëm marian (16 shtator 2007- 21 shtator 2008), për të kujtuar njëqindvjetorin e shpalljes së Zojës së Bonarias, Pajtore kryesore e Sardenjës.
Vjen, pastaj, Franca, ku Benedikti XVI do të shtegtojë nga 12 deri më 15 shtator. Do të vizitojë Parisin e do të jetë në Lurdë me rastin e 150-vjetorit të Dukjeve të Virgjërës Mari para bareshës së vogël, Bernardetës Subiru.
Më pas, sinodi i ipeshkvijve, kushtuar Fjalës së Hyjit, që do të mbahet në Vatikan nga data 5 deri më 26 tetor 2008, për të cilin, natyrisht, Papa ka filluar të përgatitet prej kohe. Këto ditë emëroi edhe sekretarin e përgjithshëm të Asamblesë së 12-të Sinodit të Ipeshkvijve. Është kryeipeshkvi i Kinshasës, Imzot Laurent Monsengvo Pasinya, që zëvendëson në këtë detyrë, ipeshkvin e Bolzano-Bresanonses, Vilhelm Emil Eger, i cili vdiq papritur pak kohë më parë. Ndërkaq përgatitjet për Sinodin kanë hyrë në fazën e fundit përgatitore.
Ka shumë mundësi, pastaj, që Papa të jetë duke vijuar pjesën e dytë të librit mbi Jezusin e duke plotësuar enciklikën e tij shoqërore, e cila pritet prej kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.