2008-08-30 18:47:19

Përfundoi Mitingu i Riminit.


(31.08.2008 RV)Përfundoi dje Mitingu i Riminit, organizuar nga Lëvizja ‘Bashkim e Çlirim’, ku protagoniste ishin paqja, fetë, të drejtat e njeriut dhe problemet më të mprehta ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me Kaukazin e me Lindjen e Mesme. Rreth këtyre temave folën sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì; kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Zhan Lyi-Toran; Ambasadorja e SHBA-së pranë Selisë së Shenjtë, Meri Glendon; vikari apostolik në Arabi, imzot Paul Hinder; ministri i jashtëm italian, Franko Fratini, sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së Shteteve Arabe, Amre Musa e personalitete të tjera nga vende të ndryshme të botës, të gjithë, të ftuar në Miting.
“Selia e Shenjtë lufton për lirinë fetare që shkelet në shumë vende të botës!”. Kjo është sinteza e fjalimit të sekretarit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì në Rimini. Kristianofobia, duhet luftuar me të njëjtën vendosmëri, me të cilën luftohen antisemitizmi e islamofobia, theksoi prelati i cili, pasi kujtoi dhunën e ushtruar kohët e fundit kundër të krishterëve në Indi e situatën në Irak, kujtoi se liria fetare është në bazë të të gjitha të drejtave të tjera, duke përfshirë edhe të drejtën për të jetuar. Prandaj është detyrë themelore e diplomacisë vatikanase ta mbrojë.
Ndërsa kardinali Toran nënvizoi se Këshilli Papnor që drejton, “duhet t’i shpeshtojë takimet me botën hinduiste”, pa harruar edhe rëndësinë e reciprocitetit në vendet e kultit, lidhur me botën myslimane.







All the contents on this site are copyrighted ©.