2008-08-30 18:48:50

Me Nënë Terezën : “Krishti ka uri ndër të Varfërit”.


(31.08.2008 RV)RealAudioMP3 Të gjithë njerëzit, që besojnë në Zotin, besojnë edhe në jetën e pasosur, mundohen ta jetojnë Ungjillin e Krishtit, për të gëzuar një ditë me Zotin në Parajsë. Po si është Parajsa? Na e kanë përshkruar shumë poetë e artistë. Mjafton të kujtojmë ‘Parajsën’ e Dante Aligerit. Po ne, në emisionin e 26-të të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, duke shfletuar librin ‘Jeta ime’, do ta shohim sot me syrin e së Lumes së parë shqiptare:

 
“Shumë kohë më parë mora një letër nga një brazilian, në gjendje të shkëlqyer ekonomike e shoqërore.
Më shkruante se e kishte humbur plotësisht shpresën në Zotin e besimin në njeriun. Nuk meritonin asnjë vëmendje.
Për më tepër, kishte lënë edhe punën e s’mendonte tjetër, veçse të vriste veten.Por një ditë, ndërsa po kalonte para një dyqani ku shiteshin orendi shtëpijake, pa në televizor motrat e mia duke shërbyer në Shtëpinë tonë për njerëzit në prag të vdekjes. U mrekullua nga ngrohtësia njerëzore që buronte prej duarve të tyre, në sa u fshinin njerëzve, në agoni, ballin e rimë me djersën e vdekjes.
Më shkruante se, pasi kishte parë këtë skenë, kishte rënë në gjunj në rrugë të madhe e, pas sa e sa vitesh, kishte nisur të lutej. E kishte marrë vendim të rikthehej tek Zoti e t’i besonte përsëri njeriut, me bindjen se Hyji vijon ta dojë botën. Se Krishti ka uri ndër të varfërit, të cilëve vendosi t’u shërbejë.
Kujtoj se në kohët e para të misionit tim të ri, pata ethe të forta e, nëpër jerm, e pashë veten para vetë Shën Pjetrit, me çelësat e Parajsës në brez.
Më pa, më njohu e më tha:
‘Nisu prej këndej. Këtu s’ka punë për ty. Në qiell s’ka baraka’.
U zemërova sa më s’ka e iu përgjigja:
‘S’ka, por do të ketë! Unë do ta mbush qiellin me varfanjakët e mi, e kështu në Parajsë do të ketë edhe baraka”.
U riktheva, pastaj, në tokë. Nuk vdiqa. Ethet më lanë e nuk shkova në shtëpinë e Zotit, ku sigurisht nuk do të ketë kurrë nevojë për barakat e mia! E ku të gjithë do të shkojmë një ditë…”.







All the contents on this site are copyrighted ©.