2008-08-30 15:18:49

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 22-të ‘A’! Gjurmëve të Jezusit


(30.8.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik teë kishës.
Leximet biblike të Meshës së kësaj së diele na mësojnë se udha e Zotit është udha e kryqit. Kështu nga liturgjia e Fjalës Hyjnore, na paraqitet kryqi si përcaktim e zgjedhje e jetës dhe thirrja për të ecur gjurmëve të Krishtit. Të ndjekësh Jezusin si individalisht apo edhe si bashkësi do të thotë të heqësh dorë nga mënyra e arsyetimit ‘sipas njerëzve’ e të orijentohesh sipas mënyrës së arsyetimit ‘ të Zotit’. Këtë më së miri na mëson Jezusi, të cilin pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, e paraqet pikërisht në çastin kur Ai e shfaq vendimin e tij para nxënsve për t’u nisur drejt Jerusalemit, që do të thotë drejt kryqit e me këtë rast Jezusi ndeshët me këndërshtimin e Pjetrit, i cili orvatet ta bind Mësuesin të heqë dorë nga një vendim i tillë. Mirëpo “Jezusi filloi t’u thotë se duhej të vuante shumë e do të vritet…” Që atëherë qendra e tërë historisë njerëzore është fytyra e Zotit të kryqëzuar. Ky është shkandulli i krishtërimit. Ta pranosh Jezusin si Mesi është diçka e pranueshme. Mirëpo fakti që Mesia duhet ta përfundoi jetën e vet me një vdekje të tmerrshme, përbindëshe, ja ajo që vërtetë është e papranueshme. Me Pjetrin edhe i përsërisim Jezusit: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri Jezus! Ty s’do të ndodhë një gjë e tillë!”. “Ti Jezus mashtrohesh sepse bota nuk do të shpëtohet për një kryqëzim më tepër ndër miliona kryqëzime të historisë. Eshtë marrëzi. Përdorë mjete tjera, pushtetin, sakralitetin, mrekullinë, autoritetin”. E pikërisht këte Jezusi refuzon. Ai zgjedhë shërbimin, varfërinë e shpirtit, përdëllimin, urinë për drejtësi, zemrën e pastër, ndërtimin e paqes, butësinë, kryqin. Kryqi është shenja maksimale që Zoti na ka dërguar, pika e fundit në të cilën gjithçka e çdogjë takohet: udhët e qiellit, udhët e zemrës, udhët e tokës, ku çdo gjë është shkruar me germa gjaku e dashurie, të vetmet që nuk gënjejnë e nuk mashtrojnë. Kryqi, thotë Jezusi, duhet marrë, duhet zgjedhur si udhë e jetës së vërtetë. Më tepër këtu mund t’i dëgjoni leximet biblike e komentin mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të të viti A….RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.