2008-08-30 15:09:12

365 ditë: "Vëllezërit e Regensburgut, që ndoqën dy rrugë të ndryshme, për të arritur tek Krishti".


(30.08.2008 RV)“E pabesueshme!”.
Zemra e Teodorit të Regensburgut rreh si të ishte çmendur. Sjell e përsjell nëpër duar një letër, që sapo e ka marrë. Shkrimi mbi zarf është i të vëllait, pa asnjë dyshim. E pra Teodori nuk i beson dot syve. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Alfonsi u zemërua tepër me të, kur zbuloi se ishte bërë i krishterë. Familja e tyre ishte hebreje e për Alfonsin, pagëzimi i të vëllait ishte fyerje e rëndë për Zotin e etërve.
Që kur u zemëruan, Alfonsi nuk kishte folur më me Teodorin e ai nuk kishte kurrfarë lajmi prej vëllait. I pati dërguar vetëm një ftesë për martesë e asgjë më. Pesëmbëdhjetë vjet në heshtje të plotë. E tani…
“Sigurisht do të më ketë shkruar për të më qortuar se u bëra meshtar. Sikur ta dinte sa të lum e ndjej veten, sa e bukur më duket jeta ime e re!”.
Teodori e hap zarfin dalë-nga-dalë, i shqetësaur e plot emocion. Gjëja e parë që lexon, është data: 20 janar 1842. Teodori nis të lexojë. Sytë i zgurdullohen aq, sa i duken si dy bila bilardoje.
“E pabesueshme!”, përsërit.
I vëllai është bërë i krishterë. Gjatë një shtegtimi në Romë, ka hyrë në një Kishë thjeshtë për ta vizituar e aty i është dukur Zoja e Bekuar. Në çastin e fundit Alfonsi e ka ndjerë veten krejt të shndërruar. E kush? Ai që i urrente për vdekje të krishterët. E vetë Alfonsi shkruan se duhej një mrekulli për ta bërë të besojë në Krishtin. Pastaj i lyp falje të vëllait, sepse e ka bërë të vuajë, duke u zemëruar aq keqas me të. Letra nënshkruhet: “Alfons Maria”.
Teodori e lexon me dhjetra herë, për t’u siguruar se nuk është në ëndërr. Do të dishëronte të hovte përpjetë nga gëzimi për nder të Marisë, që i priu të vëllait drejt Hyjit. Maria ishte hebreja e parë që e pranoi Jezusin, Mesinë!
Teodori thotë me vete:
“Është mrekulli që Nëna e Jezusit t’i ndihmojë bijtë e popullit të zgjedhur të besojnë në Birin e saj. Jam kaq i lum që e ndihmoi tim vëlla!”.
Ndërmjetësia e Marisë në jetën e Alfonsit i jep Teodorit një ide. Më 1846 themelon një shkollë, që njihet me emrin‘Zoja e Sionit’. Sioni është një nga kodrat e Jeruzalemit. Në këtë shkollë do të pranohen vajza hebreje, prindërit e të cilave kanë nisur të hyjnë në rrugën e krishterimit. Me ndihmën e Zojës, Teodori do t’ia dalë mbanesh t’u prijë shumë njerëzve të tjerë drejt Jezusit.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.