2008-08-29 17:14:45

Rusia akuzon: “Pas sulmit gjeorgjian në Osetinë e jugut fshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”


(29.8.2008 RV)Amerika dhe Rusia gjithnjë e më tepër thikë e brisk me njëra-tjetrën. Kryeministri rus Vladimir Putin tha se pas vendimit të Gjeorgjisë për të dërguar trupa në Osetinë e jugut fshihen SHBA-ës. Shtëpia e Bardhë u përgjigj e indinjuar duke thënë se “Kjo është diçka pakuptim”. Ndërkaq parlamenti gjeorgjian miratoi një rezolutë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë.

Marrëveshje të reja për bazat ushtarake ruse në Osetinë e jugut dhe në Abkhazi, ndërsa Bashkimi Europian po përgatit takimin e jashtëzakonshëm, që nis me 1 shtator.
Rusia dhe Osetia e jugut do të nënshkruajnë me 2 shtator një marrëveshje për vendosjen e bazave ushtarake në territorin e republikës separatiste. Po ashtu edhe Abkhazia deklaroi se është e gatshme t’i japë Moskës mundësinë për të vendosur baza në territorin e vet. Kështu tha i ashtuquajturi ministër i jashtëm i republikës separatiste osete. Ndërkaq katër anije të grupit detar të përhershëm të NATO-s në Mesdhe së bashku me fregatën rumune “Mbreti Ferdinand” morën pjesë sot në një stërvitje të përbashkët në Detin e Zi, në ujrat rumune. Akuza e Rusisë se këto manovra kishin të bëjnë me konfliktin në Gjeorgji, u përgënjeshtruan nga të dyjat palët pjesëmarrëse në stërvitje. “Manovrat kanë qenë në program prej më shumë se një viti e gjysmë, dhe pala ruse është njoftuar. Për më tepër anijet nuk do të çojnë ndihma humanitare në Gjeorgji.”

Kaukaz: komisari europian Hamarberg kërkon respektim të të drejtave njerëzore dhe ndihma për të shpërngulurit.
Një thirrje për paqën dhe kërkesa për ndihma humanitare për popullsitë e goditura nga konflikti. Me këto kërkesa u mbyll vizita njëjavore në Gjeorgji e Tomas Hamarbergut, komisar për të drejtat njerëzore të Këshillit të Europës. “Nevojitet që të dyja palët në konflikt të veprojnë menjëherë për të zgjidhur çështjet humanitare” vuri në dukje Hamarberg, i cili pastaj ftoi autoritetet gjeorgjiane dhe osete që të marrin masa për nevojat e të shpërngulurve në mënyrë të menjëhershme dhe efikase” me “strehimi të përshtatshëm, ushqim, veshmbathje, letërnjoftime dhe ndihmë mjekësore.” Gjatë qëndrimit të tij në zonën e Kaukazit, shpjegon agjencia SIR, komisari europian luajti një rol themelor në lirimin e 95 civilëve mbajtur is robër nga gjeorgjianët dhe osetët.
Ndërkaq nga drejtuesit e Këshillit të Europës u bënë të njohura qëndrime të reja kundër njohjes së pavarësisë të Abkhazisë dhe Osetisë nga ana e Rusisë. Kryetari i Kongresit për pushtetin vendor, Javuz Mildon e dënoi ashpër vendimin e Moskës: “Ky akt nuk është lajm i mirë për Europën dhe për Kaukazin në veçanti.”







All the contents on this site are copyrighted ©.