2008-08-29 17:39:07

Me Nënë Terezën: “U turpërova para kryqit ”.


(29.08.2008 RV)RealAudioMP3 Të merresh gjithë jetën me varfërinë e me të varfërit: t’i shikosh si lindin e si vdesin. Sesi, ndërmjet lindjes e vdekjes, vuajnë jo vetëm për bukën e gojës, por edhe për pakëz ngrohtësi njerëzore. E shuhen, pastaj, në mënyra nga më të ndryshmet: vdesin për një pikë qumësht, akoma ferishte, apo bëhen ushqim i minjve, pas vdekjes në vetmi e harresë të plotë. Skena të tilla na shpalosen parasysh, në emisionin e 25-të të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, duke shfletuar librin ‘Jeta ime’.
Bota nuk i do këto pamje, dëshiron t’i harrojë. Po ato vijojnë të jenë realitet e secili nga ne duhet të turpërohet para Kryqit, në se nuk bën diçka për ta lehtësuar sadopak këtë mjerim, që fshihet pas fasadës së gëzimit të rremë të botës, në të cilën jetojmë:

“Më erdhi turp kur i lartova sytë drejt Kryqit të Krishtit. Ishte hera e parë që turpërohesha kështu. E kjo, për shkak të një vizite të papritur, që nuk do ta harroja kurrë .
Atë ditë në shtëpinë tonë erdhi një nënë e re, me një foshnjë të njomë ndër krahë.
Më tha se kishte trokitur në portat e dy-tre kuvendeve, duke kërkuar një gotë qumësht për ferishten.
I ishin përgjigjur:
‘Ti s’je tjetër, veçse një vagabonde. Shko, moj vajzë, e kërko punë, para se të trokasësh portë më portë!’. E fjalë të tjera të kësaj natyre…
Kur arriti në shtëpinë tonë, ia mora menjëherë foshnjën, që sakaq m’u shua ndër krahë.
Më erdhi turp ta shikoja Kryqin e Krishtit, sepse Krishti dha jetën për ne, e ne s’jemi të zotët t’i japin as një gotë me qumësht, një fëmije kaq të njomë…
Të nesërmen Motrat më treguan se kishin shkuar në një vend, ku duhej të kishte vdekur dikush. Të paktën kështu i kishin njoftuar.
Porta ishte e mbyllur.
Motrat trokitën, por nuk morën asnjë përgjigje. U detyruan ta hapnin me forcë.
E dini ç’ panë?
Panë minjtë që hanin kufomën e një gruaje, e cila po kalbej e shtrirë në dysheme, ku duhet të kishte dhënë shpirt kush e di se kur.
Motrat u përpoqën të mësonin diçka për të vdekurën: si quhej, kur kishte lindur, ç’profesion kishte ushtruar, a kishte familje, fëmijë, të afërt…
Askush nuk qe në gjendje t’ua jipte këto njoftime.
E kjo është varfëria më e tmerrshme: vetmia, frika, mendimi se nuk na do njeri, se askush nuk çan kokën për ne. Këto janë shqetësimet e njeriut të kohës sonë, shqetësime që duhet t’i lehtësojmë, duke bërë gjithçka mundemi.
Prandaj e hapëm Shtëpinë për njerëzit në prag të vdekjes. Është shtëpia e Krishtit, i cili nuk ka strehë.
Të varfërit tonë të uritur, janë vetë Krishti i unshëm e i etshëm!”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.