2008-08-29 17:38:41

Martirizimi i Shën Gjon Pagëzuesit. Papa: “Në historinë e Kishës nuk do të mungojë kurrë persekutimi”.


(29.08.2008 RV)RealAudioMP3 Gjoni e vulosi misionin e tij me martirizim. Herodi Antipa, pasi e burgosi në fortesën e Makerontes, në Lindje të Detit të vdekur, në Jordaninë e sotme, ia preu kokën në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e tij. U martirizua sepse pati ngritur gishtin kundër Herodiadës, kunatës së Herodit, që bashkëjetonte me të. E ishte ajo që, duke shfrytëzuar bukurinë e së bijës, Salomesë, kërkoi kokën e kundërshtarit, duke menduar se kështu do t’ia mbyllte gojën përgjithmonë.
Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë. Së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet jo vetëm vdekja, por edhe lindja. Gjithsesi ai mbetet vetëm një gisht tregues, i drejtuar nga Krishti, që është qëndra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Isenhaimit, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grunevald, që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516, e vendos Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit, me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet.
Gjoni, i biri i Zakarisë dhe i Elizabetës, kushërirës së Virgjërës Mari, predikoi pendesën dhe kthimin e zemrave, për të përgatitur kështu ngjarjen e madhe të mbretërisë mesianike, tashmë krejt të afërt. Në shenjë spastrimi nga mëkatet e lindjeje për një jetë të re, i zhyste në ujërat e Jordanit ata që e pranonin predikimin e tij. I pagëzonte. Prej këndej vjen emri i tij: Shën Gjon Pagëzuesi. Ai ëshë profeti i madh, që e quajti Krishtin: Qingji i Zotit, ai që shlyen mëkatet e botës” dhe e pranoi si Mesinë e shumpritur.
Shën Gjon Pagëzuesi, figurë e pasqyruar ndër të gjitha llojet e arteve, është dëshmitari i parë martir i krishtërimit.
Paraardhës i Krishtit me fjalë e me vepra, na kujton se Zoti na thërret në shërbim të tij që nga kraharori i nënës.
Nuk ka ndryshuar, për njerëzimin e shekullit XXI rruga e treguar dymijë vjet më parë nga Shën Gjon Pagëzuesi, përmes së cilës arrihet qetësia e paqja. Është rrugë që na kujton drejtësinë e britmës së lartuar nga pararendësi në shkretëtirë: "Përgatitjani rrugët Zotit, drejtoni shtigjet e tija!".
Kjo britmë profetike vijon të dëgjohet në rrjedhë shekujsh. E dëgjojmë edhe në epokën tonë, ndërsa njerëzimi vijon ecjen në histori. Ai u tregon rrugën që duhet të ndjekin njerëzve të mijëvjeçarit të tretë, në kërkim të qetësisë e të paqes .
Prandaj Benedikti XVI i fton gjithë të krishterët ta ndjekin shembullin e Shën Gjon Pagëzuesit, sepse feja kërkon nga ne ta shpallim qartë të vërtetën e dashurisë ungjillore, pa frikë e pa iu nështruar kurrë kushtëzimeve të botës:
Në historinë e Kishës – pohon Benedikti XVI – nuk do të mungojë kurrë persekutimi, por pikërisht persekutimi bëhet burim i misionit të të krishterëve të rinj të cilët, si Shën Gjon Pagëzuesi, e kumtojnë të vërtetën pa frikë:
Si profet i vërtetë, Gjoni bëri dëshmi për të vërtetën, pa kompromise. Denoncoi shkeljet e urdhërave të Hyjit, edhe kur ata që nuk i respektonin, ishin njerëz të pushtetshëm. Kështu, kur akuzoi Herodin e Herodiadën për shkelje kurore, e pagoi me jetë, duke e vulosur me martirizim shërbimin e tij ndaj Krishtit, që është vetë e Vërteta. T’i lutemi të ndërmjetësojë për ne, së bashku me Zojën e Bekuar, që edhe në ditët tona Kisha t’i qëndrojë gjithnjë besnike Krishtit e ta dëshmojë me guxim të vërtetën e tij e dashurinë e tij për të gjithë”. (Engjëlli i Tënzot, 25 mars 2007)
Gjithsesi – na kujton Papa – Gjoni nuk e kërkoi martirizimin. Martirët e të gjitha kohëve duan vetëm të dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fortë se dhuna e se urrejtja”.
"Ata nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit.  Martirizimi i krishterë përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit ". (Engjëlli i Tënzot 25 mars 2007).
T’i falësh persekutorët, t’i duash armiqtë: ky është revolucioni i krishterë, që mund të bëhet realitet vetëm në se njeriu e lë veten të formohet nga Shpirti Shenjt që, në bashkim me Krishtin, e shndërron vdekjen në jetë:
"Martiri i krishterë aktualizon fitoren e dashurisë mbi urrejtjen e mbi vdekjen. Të lutemi për ata që vuajnë për shkak të besnikërisë ndaj Krishtit e Kishës së tij. Zoja e Bekuar, Mbretëresha e Martirëve, na ndihmoftë për të qenë dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit, duke iu përgjigjur armiqve me forcën çarmatosëse të së vërtetës e të dashurisë ". (Engjëlli i Tënzot, 26 dhjetor 2006).







All the contents on this site are copyrighted ©.