2008-08-29 17:32:14

Imzot Mambertì në Mitingun e Riminit: të luftohet kristianofobia, ashtu si antisemitizmi e islamofobia.


(29.08.2008 RV)RealAudioMP3 “Selia e Shenjtë lufton për lirinë fetare që shkelet në shumë vende të botës!”. Kjo është sinteza e fjalimit të sekretarit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì, sot në Rimini. Kristianofobia, apo urrejtja kundër të krishterëve – kujtoi imzot Mambertì - duhet luftuar me të njëjtën vendosmëri, me të cilën luftohen antisemitizmi, apo urrejtja kundër hebrenjve, e islamofobia. Kristianofobia gjen shprehjen e vet në informacionin e gabuar për të krishterët, që i bën viktima, në diskriminim për shkak të masave ligjore e në persekutimin e tyre. Për imzot Mambertì, duhen ndihmuar refugjatët e krishterë irakianë e, në vendet evropiane ku ndodhen si emigrantë të parregullt, t’u normalizohet statusi. Prelati kujtoi dhunën e ushtruar kohët e fundit kundër të krishterëve në Indi, por edhe situatën në Irak: këtu, para vitit 2003, kishte rreth një milion të krishterë, sot s’ka mbetur as gjysma. Të tjerët kanë ikur në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme. Vetëm në vitin 2007, në zona të ndryshme të botës, u vranë 21 misionarë. Këto fakte kujtoi imzot Mambertì, i cili ripohoi me forcë impenjimin e Benediktit XVI për respekimin e lirisë fetare, ashtu si edhe të Gjon Palit II, që ka kujtuar vazhdimisht se kjo liri është në bazë të të gjitha të drejtave të tjera, duke përfshirë edhe të drejtën për të jetuar. Prandaj është detyrë themelore e diplomacisë vatikanase ta mbrojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.