2008-08-29 17:38:06

Ambasadorja e SHBA-së pranë Selisë së Shenjtë, Meri Glendon, dhe imzot Paul Hinder, vikar apostolik në Arabi, të ftuar në Mitingun e Riminit. Situata e Kishës në Arabi.


(29.08.2008 RV)RealAudioMP3 Përvoja e shërbimit meshtarak e misionar e kryeipeshkvit të katedrales së ‘Nënës së Hyjit’ në Moskë, imzot Paolo Pecit dhe historia prekëse e ‘Engjëllit të Burundit’, që shpëtoi 10 mijë fëmijë nga dëshprimi, por edhe drejtësia dhe të drejtat e njeriut, janë faqe të ndryshme të së njëjtës medalje, që vijojnë të shpalosen në Mitingun e Riminit. Janë faqe të një protagonizmi ‘të ndryshëm’, që vjen nga skajet më të largëta të Planetit.
Të drejtat e njeriut duhet të bazohen mbi arsyen e mbi rendin natyror, për të mos u bërë pre e viktimë e dëshirave që, gjithnjë më egoiste, po e sulmojnë në mënyrë të rrezikshme jetën njerëzore, duke krijuar tmerre, në emër të dhembshurisë për njeriun. Nuk mund të ketë të drejta, pa përgjegjësi. Ky është thelbi i diskutimit, në të cilin morën pjesë Meri Ejn Glendon, ambasadore amerikane pranë Selisë së Shenjtë dhe profesori Jozef Vailer, specialist i së drejtës ndërkombëtare, i cili në fjalën e tij kujtoi Biblën si dhe fjalimin e Benediktit XVI drejtuar Kombeve të Bashkuara me rastin e 60-vjetorit të Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut.

Për jetën dhe misionin e tij foli në Miting edhe imzot Paolo Peci, i cili kujtoi se njeriu duhet të mësohet ta vërë Krishtin në qendër të jetës së vet, në çdo rrethanë, e jo vetëm në fusha të veçanta. Në se nuk jemi në lidhje të vazhdueshme me Krishtin, jeta kthehet në llogari, në shqetësim të vazhdueshëm për atë që dëshirojmë, por që nuk e kemi – kujtoi ipeshkvi e, në vijim, foli edhe për takimet me popat ortodoksë, takime që nuk pasqyrohen në faqet e gazetave, por që krijojnë ditë për ditë lidhje të reja ndërmjet të krishterëve. Ekumenizmi nuk është bashkim utopik, i bazuar mbi mohimin e identitetit vetjak. Shpesh herë nuk është aspak e lehtë të afrohesh me të tjerët e t’ua hapësh zemrën. Por ne e dimë se Krishti, duke e mundur vdekjen, mundi edhe armiqësitë e përçarjet – tha në përfundim Imzot Peci.

Quhet ‘Engjëlli i Burundit’ Margaritë Barankitse, themeluese e Shtëpisë Shalom, dëshmia e së cilës preku thellë qindra pjesëmarrës në Miting. Megi – siç thirret shkurtimisht – shpëtoi nga vdekja 10 mijë fëmijë të të dyja etnive në konflikt, hutu e tutsi, duke iu përgjigjur kështu pyetjes që bëri shumkush ato ditë: ‘Ku është Zoti?’. Tani këta fëmijë janë shpresat për të ardhmen e vendit.

RealAudioMP3 Në sallat e Mitingut u dëgjua edhe një dëshmi e rëndësishme për gjendjen e të krishterëve në Gadishullin arab. E solli vikari apostolik në zonë, imzot Paul Hinder, i cili përshkruan, në mikrofonin tonë, gjendjen e pakicës katolike, që formon një bashkësi shumkulturore të ndërlikuar:

Përgjigje: - Këta të krishterë, që ka mundësi të jenë të paktën dy milionë në të gjithë gadishullin, jetojnë sipas kushteve të vendit ku ndodhen, vend ku liria fetare lë shumë për të dëshiruar, ose më mirë të themi, nuk ka liri fetare, ashtu si e kuptojmë ne. Kjo liri është shumë e kufizuar. Megjithatë, në të gjitha vendet, duke përjashtuar Arabinë Saudite, kemi mjediset tona, ku mund ta kremtojmë ligjërisht liturgjitë, kemi famullitë tona. Për shembull, në Emiratet Arabe kemi shtatë famulli e shpresoj se në të ardhmen do të kemi dhe më shumë. Në Oman kemi katër, e po ashtu edhe në Jemen. Ndërsa në Katar kemi vetëm një famulli, për të gjithë vendin. Ndodhet në Bahrain. Pastaj, siç thashë më sipër, situata është e veçantë në Arabinë Saudite, ku gjithsesi diçka po lëviz.

 
Pyetje: - Pra mund të themi se të krishterët pranohen…

 
Përgjigje: - Të krishterët tolerohen, kanë edhe mundësinë të deklarojnë se janë të krishterë, të paktën në pesë nga këto vende. Kjo nuk është vështirësia më e madhe, ndonëse edhe këtu nuk mungojnë grupet fanatike. Po marrim rastin e Abu Dhabi-t: atje nuk ka asnjë pengesë për ata që kanë simbole fetare. Të krishterët shpesh kanë Rruzaren Shenjte në makinë e unë mund të eci rrugëve me veshjet e klerikut.

 
Pyetje: - Imzot Hinder, a keni shpresa të krijoni hapësira të reja, për shembull, me vendet e Arabisë Saudite?

 
Përgjigje: - Shpresa është, e pastaj janë edhe disa shenja: për shembull fakti se mbreti i Arabisë më ftoi edhe mua të marr pjesë në Konferencën e Madridit kushtuar dialogut. Për fat të keq nuk munda të shkoja, sepse isha në Ditën Botërore të Rinisë, në Sidnei. Por mund të them se vërehet dëshira për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet dy feve të mëdha monoteiste e nuk ka dyshim se përpjekjet e palës myslimane janë të ndershme.







All the contents on this site are copyrighted ©.