Prof.Badallaj: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare në
Prishtinë
(28.8.2008 RV)Prej të hënës më 18
gusht deri më 29 gusht,me Seminarin e 27 –të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe
Kulturën Shqiptare, Prishtina është bërë vendtakim i albanologëve nga e gjithë bota.
Në këtë tubim me karakter shkencor dhe kulturor, që konsiderohet si i veçantë, përpos
specialistëve nga të gjitha trojet shqiptare, marrin pjesë edhe rreth 200 ekspertë
të gjuhës shqipe nga vende të ndryshme të botës. Sipas Imri Badallajt, drejtor
i Seminarit, aktiviteti ka filluar me kurse intensive të mësimit të shqipes, ligjërata
të veçanta të gjuhësisë, pastaj edhe ligjërata për letërsinë shqiptare, referime shkencore,
tryeza të rrumbullakëta si dhe ekskursione, në mënyrë që seminaristët të njihen më
për së afërmi me bukuritë natyrore dhe veprimtaritë kulturore të qendrave të ndryshme
të Kosovës. Në Seminar trajtohen tre përvjetorë të rëndësishëm: 100-vjetori
i Kongresit të Manastirit, 70- vjetori i vdekjes se Millosh Gjergj Nikollës- Migjenit,
dhe 100- vjetori i lindjes se filologut të njohur shqiptar, Eqrem Çabej. "Gjatë çdo
pasditeje mbahen referime, ku përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme apo pjesëmarrësit
e seminarit shfletojnë rezultatet e tyre shkencore ku ata jetojnë dhe veprojnë. Në
këto referime ata sjellin rezultate të mira jo vetëm në fushën e albanologjisë, por
në përgjithësi në fushat shkencore, sepse vijnë nga të gjitha vendet e botës", - thekson
Badallaj. Shqipja, si një nga gjuhët më të vjetra të botës, po fokusohet në diskutimet
e seminarit të 27-të, ku shumë filologë të njohur nga Europa, Azia, Amerika e Jugut
dhe Australia, po referojnë tezat e tyre. Në këtë kuadër, po diskutohet edhe për temën
"Shqipja në rrjedhën e globalizmit". Kumtesat do të përmblidhen në dy botime; në atë
të gjuhësisë dhe letërsisë. Kujtojmë se Seminari organizohet nga Fakulteti i
Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë
dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Financiarisht mbështetet nga Ministria
e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në Kosovë. Po më hollësisht mbi punimet,
synimet e çështjet tjera që karakterizojnë këtë takim të përvitshëm shkencor të
dëgjojmë drejtorin e këtij Semari prof. Imri Badallaj; sot ju propozojmë pjesën e
parë të intervistës së profesorit, dhënë don David Gjugjës….