2008-08-28 15:31:59

Papa në Kaliari: programi i udhëtimit.


(28.08.2008 RV)RealAudioMP3 Një udhëtim prej dymbëdhjetë orësh, duke përfshirë edhe shkuarje-ardhjen. Katër fjalime, disa takime, ndërmjet të cilave, edhe ai me të rinjtë, si dhe vizita në Shenjtëroren e Zojës së Bonarias. Këto, thënë me dy fjalë, janë etapat e shtegtimit të Benediktit XVI në Kaliari, të dielën, më 7 shtator.
Programi i hollësishëm i vizitës u bë i njohur dje nga Salla e Shtypit e Vatikanit.
Ati i Shenjtë do të arrijë në aeroportin e kryeqendrës sarde në orën 9. 30 e do të pritet nga kryeipeshkvi, imzot Gjuzepe Mani si dhe nga autoritetet më të larta civile e kishtare të vendit. Do të vizitojë, në vijim, Shenjtëroren kaliaritane, në sheshin para së cilës do të kremtojë Meshën Shenjte dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Më pas do të shkojë në Seminar, ku do të takohet me seminaristët e Sardenjës e do të drekojë me ipeshkvijtë e Ishullit.
Ndërmjet takimeve të pasdites, kujtojmë përshëndetjen drejtuar organizatorëve të vizitës, takimin, në katedrale, me meshtarët dhe me bashkësinë e Fakultetit Papnor teologjik të Sardenjës, të cilëve Papa do t’u drejtojë fjalën e rastit.
Së fundi, pak para orës 18. 00, Benedikti XVI do të takohet me të rinjtë, në sheshin Yenne të Kaliarit. Edhe në këtë rast, pasi të ketë dëgjuar dy përfaqësues të të rinjve, do t’u drejtojë fjalën të pranishmëve. Në mbrëmje Ati i Shenjtë do të rikthehet në Romë, në aeroportin e Çampinos.
Papa Racinger e viziton Kaliarin 38 vjet pas Palit VI e 23 vjet pas Gjon Palit II. Papa Vojtila e vizitoi Sardenjën nga data 18 deri më 20 tetor të vitit 1985, duke u ndaluar në disa qytete. Në takimin me besimtarët, i pati porositur “ta ndërtojnë të tashmen e të ardhshmen mbi bazat e Ungjillit, që e pasuron dhe e larton njeriun në të gjitha përmasat”, porosi që nuk do të mungojë as në takimin e ri me Papën Racinger, i cili shkon në Kaliari pikërisht kur kremtohet një Vit i posaçëm marian (16 shtator 2007- 21 shtator 2008), për të kujtuar njëqindvjetorin e shpalljes së Zojës së Bonarias, Pajtore kryesore e Sardenjës. Shenjtërorja e Zojës lartohet mbi kodrën me të njëjtin emër që nga viti 1370, kur, sipas traditës, arriti këtu nga deti.







All the contents on this site are copyrighted ©.