2008-08-27 17:53:24

Të premten shkollat katolike në Indi do të mbyllen në shenjë proteste; kardinali Gracias kërkon ndërhyrje të shpejtë të autoriteteve.


(28.08.2008 RV)Vijon dhuna në shtetin indian të Orisës, ku po zgjërohet fronti i revoltave të organizuara nga radikalët hinduistë. Numri i viktimave, deri tani i përkohshëm, ka arritur në 11 vetë. Qeveria shpalli ndalimin e qarkullimit në disa qytete, duke aktivizuar edhe forcat e mbrojtjes së rendit. Por sulmet nuk reshtin. Për të protestuar kundër dhunës në vijim, të premten e ardhshme dyert e shkollave katolike do të mbeten të mbyllura. Më 7 shtator do të organizohet edhe një ditë lujtje e agjërimi. Bashkësia e krishterë ka frikë se situata mund të keqësohet më tej dhe kërkon mbrojtje e siguri më të madhe. Këtë nënvizon edhe kryeipeshkvi i Bombeit, kardinali Osvald Gracias, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Të krishterët e Orisës po jetojnë me frikë, sepse nuk e dinë ç’mund të ndodhë. Janë shkatërruar të paktën 25 kisha të krishtera. Dhuna vijon e armiqësia shtohet. I kemi drejtuar një thirrje qeverisë, që të ndërhyjë sa më shpejt.

 
Pyetje: - Papa bëri sot thirrje drejtuar prijësve fetarë e autoriteteve civile, që të punojnë së bashku për rivendosjen e bashkëjetesës paqësore. Ç’mund të na thoni për dialogun ndërmjet realiteteve të ndryshme në Indi?

 
Përgjigje - Ka shumë nisma, ndërmarrë nga Kisha katolike për dialogun, shumë nisma që po japin edhe rezultate të mira. Për fat të keq në Orisë nuk ka pasur nisma të kësaj natyre.

 
Pyetje: - Kur flasim për persekutim, mendojmë sidomos për vendet islamike ose për regjimet komuniste. Por, me sa duket, ka edhe vende të tjera, si India, ku intoleranca ushqehet nga fanatizmi hinduist. Cilat janë karakteristikat e këtij sulmi të ri antikristian në Orisa?

 
Përgjigje: - Në dhjetor pati një valë dhune kundër të krishterëve. Pas këtyre episodeve, situata u përmirësua, por tensioni mbeti i lartë. Dy-tri ditë më parë, u vra një udhëheqës hinduist, e kjo që po shikojmë, është reagim ndaj kësaj vrasjeje.

 
Pyetje: - Në Indi dhuna po ndjek rrugën që vërehet edhe në shtetet e tjera, ku bashkësitë e krishtera persekutohen, sepse mbrojnë parimet e bazuara mbi dinjitetin e njeriut e mbi lirinë. Hirësi, a mund të themi se fondamentalizmi përpiqet jo vetëm t’i kundërvihet kristianizmit, por edhe vetë mënyrës së jetesës në botën perëndimore…

 
Përgjigje: - Pa tjetër, sepse këto forca fanatike nuk duan që Kisha të punojë për të drejtat e njeriut, për të varfërit. Nuk duan që Kisha të punojë për përmirësimin e nivelit të jetesës së këtyre njerëzve. Prej këndej burojnë edhe problemet e sotme.

 
Pyetje: - Ndërmjet armiqve të sistemeve totalitare janë edhe edukimi e ungjillëzimi, që i frymëzojnë njerëzit të luftojnë për lirinë e të mos e durojnë mbylljen në kafazet e regjimeve shtypëse. Prej këndej, a mund të themi se fondamentalizmi është i paracaktuar të dështojë?

 
Përgjigje: - Sigurisht, nuk mund të ketë sukses. Ne i mbështesim shpresat tona në ngjalljen e Krishtit dhe e dimë mirë se fitorja përfundimtare i përket gjithnjë Jezusit!







All the contents on this site are copyrighted ©.