Sot Kisha përkujtoi Shën Monikën, Nënën e Shën Agostinit
(27.08.2008 RV)Monika lindi në Tagaste, qytet i lashtë i Numidisë, në vitin
332. Në rini studioi e meditoi Shkrimin Shenjt. U martua me Patricin, pronar i vogël
i Tagastes, anëtar i këshillit bashkijak. I shoqi, që nuk qe bërë ende i krishterë,
ishte njeri i mirë e i përzemërt, por edhe zemrak e autoritar. Nga kjo martesë lindën
tre fëmijë: Agostini, Navigo e një vajzë, që nuk i dihet emri. 39 vjeçe, Monika mbeti
e vejë e iu desh të kujdesej për të gjithë familjen. Natën e Pashkëve të vitit 387,
realizoi ëndrrën më të bukur të jetës: e pa Agostinin, që ishte transferuar në Milano
e ishte bërë i krishterë i bindur, duke u pagëzuar, së bashku me të gjithë familjarët.
Domethënë Zoti i kishte pranuar lutjet e saj, i kishte parë lotët e saj. Më pas Agostini
vendosi të rikthehej në Afrikë e të ndiqte jetën murgare. Në veprën e tij të famshme
‘Rrëfime’, i kushton vëmendje të posaçme bisedave shpirtërore me nënën e tij, në shtëpinë
e qetë të Osties, etapë e ndërmjetme, para nisjes për në Afrikë, që e përforconin
në fe dhe e mbushnin me ngushëllim: tashmë ajo, më shumë se nënë, ishte për të birin
burim i krishtërimit. Monika vdiq pasi vuajti nga ethe tepër të forta, ndoshta
nga malaria. Ishte data 27 gusht e vitit 387 e ajo sapo i kishte mbushur 56 vjet.
Bijëve u la amanet ta varrosnin trupin e saj ku të donin, pa u shqetësuar për këtë,
por ta kujtonin kudo që ndodheshin, para elterit të Zotit. Ashtu si Zoja e Bekuar,
së cilës u përpoq me të gjitha forcat t’i përngjante, Monika qe “seli e dijes e nënë
e shtëpisë”, sepse mbolli dijen shenjte në zemër të të bijve, duke i dhuruar botës
një gjeni, si Shën Agostini, ipeshkëv e Doktor i Kishës. Trupi i Shën Monikës
mbeti në Kishën e Shën Aureas të Ostias me shekuj, deri më 9 prill të vitit 1430,
kur reliket e nënës së Agostinit u mbartën në Romë, në Kishën e Shën Trifonit, sot
e Shën Agostinit, e u vendosën në një sarkofag të skalitur mjeshtrisht nga Izaia i
Pizës, në shekullin XV. Shën Monika është model e pajtore e nënave të krishtera.
Emri i saj është shumë i përhapur e festa i kremtohet më 27 gusht, një ditë para festës
të të birit, që vdiq më 28 gusht të vitit 430.