2008-08-27 17:53:14

Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Palit, bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës kundër të krishterëve në shtetin indian të Orisës.


(27.08.2008 RV)“Të respektohet shenjtëria e jetës njerëzore, duke u impenjuar për të rivendosur harmoninë dhe bashkëjetësën paqësore”: në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI ngriti me forcë zërin kundër dhunës në shtetin indian të Orisës, që po vë në provë të rëndë bashkësinë e krishterë. Thirrjen për situatën në Indi, Papa e bëri në përfundim të katekizmit, kushtuar Shën Palit, të cilin e quajti nxitje e përhershme për impenjimin kishtar të të gjithë besimtarëve. Kjo e sotmja është audienca e parë e përgjithshme, mbajtur në Vatikan, që nga 2 korriku i kaluar. Benedikti XVI e rilidhi fijen e këputur pikërisht në këtë audiencë, duke vijuar ciklin e katekizmit për figurën e Shën Palit– në kuadrin e vitit kushtuar Apostullit të Popujve.

“Papa është pranë të krishterëve, viktima të dhunës në shtetin indian të Orisës”. Në audiencën e sotme të përgjithshme, Benedikti XVI u foli besimtarëve për trishtimin e thellë me të cilin i priti lajmet nga Orisa, ku kundër bashkësive të krishtera vijon të ushtrohet dhuna, që shpërtheu pas vrasjes së liderit hinduist, Svami Lakshmananda Sarasvati. Duke kujtuar vrasjen e disa njerëzve, plagosjen e shumë të tjerëve, shkatërrimin e qendrave të kultit, të pronave të Kishës e të shtëpive private, Ati i Shenjtë kërkoi me forcë që jeta njerëzore të respektohet në çdo rrethanë:
“Ndërsa dënoj në mënyrë të prerë çdo sulm kundër jetës njërëzore, shenjtëria e së cilës kërkon respekt nga të gjithë, u shpreh afërsinë dhe solidaritetin tim vëllezërve e motrave në fe, që po kalojnë një provë kaq të rëndë. I lutem Zotit t’i shoqërojë e t’i ndihmojë në këtë kohë vuajtjeje e t’u japë forcë për të vijuar shërbimin e dashurisë në favor të të gjithëve. I ftoj liderët fetarë dhe autoritetet civile të punojnë së bashku për rivendosjen e harmonisë e të bashkëjetesës paqësore ndërmjet anëtarëve të bashkësive të ndryshme, që e kanë dalluar gjithnjë shoqërinë indiane”.
Para thirrjes për Orisën, Papa u foli besimtarëve për etapat kryesore të jetës së Shën Palit. Një jetë e jashtëzakonshme – e quajti Ati i Shenjtë – kushtuar plotësisht kumtimit të Ungjillit, duke vënë në shërbim të tij të gjitha energjitë, pa marrë parasysh provat e rënda, që iu desh të kalojë. Benedikti XVI e përshkroi kështu figurën e Apostullit të Popujve, duke cituar një fragment nga Letra drejtuar Korintianëve:
“Ai shkruan: ‘gjithçka bëj për Ungjillin’, duke ushtruar bujarisht atë që e quan ‘shqetësimi për të gjitha Kishat”. Ky është Pali që kemi parasysh, nxitje e përhershme për impenjimin kishtar të të gjithëve”.
Reflektimi i Papës nisi që nga lindja e Shën Palit, rreth vitit 8 pas Krishtit, datë e cila përcaktoi edhe kremtimin, më 2008, të Vitit kushtuar Apostullit. I lindur në Tars, ku pati qenë prokonsull edhe Ciceroni, Pali, që fliste greqisht, që kishte një emër me zanafillë latine e nënshtetësinë romake, ishte hebre i diasporës:
Pali pra, ndodhej në kufirin e tri kulturave të ndryshme e ndoshta edhe për këtë arsye, ishte i gatshëm t’i përshtatej frymës universalistike, siç do ta tregojë gjatë gjithë jetës”.
Shën Pali mësoi edhe një punë dore. Atë të mjeshtrit për prodhimin e çadrave – shpjegoi Ati i Shenjtë – e në vijim u ndalua posaçërisht në formimin rinor të Palit i cili, rreth moshës 12-13 vjeç, u largua nga Tarsi, për të shkuar në Jeruzalem. Këtu u edukua nga Gamalieli - Plaku, sipas rregullave më të rrepta të farizeizmit, duke u bërë zelltar i flaktë për mbrojtjen e Torahut mosaik:
“Pikërisht mbi bazën e ortodoksisë të fuqishme fetare, që e fitoi atje, në lëvizjen që njihej si e Jezusit të Nazaretit, ai pa një rrezik të madh për identitetin judaik më ortodoks”.
Ja pra pse – shtoi Papa – Pali ndjehej krenar kur e persekutonte Kishën e Hyjit. Sjella e tij ishte shprehje e intolerancës. E megjithatë, pikërisht në këto rrethana, do të bënte kthesën e madhe në rrugën drejt Damaskut. Kjo ngjarje – paralajmëroi Benedikti XVI - do të jetë në qendër të vëmendjes në audiencën e ardhshme të përgjithshme. Më pas Ati i Shenjtë vijoi të fliste për tre udhëtimet misionare të Shën Palit, i pari nga të cilët, në të vërtetë, i qe besuar Barnabës. Ndërsa udhëtimin e dytë do ta kryesonte vetë Pali, menjëherë pas mbledhjes, që njihet me emrin ‘Koncili i Jeruzalemit’, në të cilin Apostujt vendosën të mos ua impononin paganëve të kthyer në fenë e krishterë, nënshtrimin ndaj ligjit të Moisiut. Gjatë udhëtimit të tretë, ndoshta në Korint - vijoi të kujtonte Papa – Pali shkroi më të famshmen nga Letrat, atë drejtuar Romakëve, që përmbledh gjithë kumtimin e tij.
Pas përfundimit të katekizimit, duke përshëndetur besimtarët e gjuhës franceze, Papa uroi që shembulli i Shën Palit të na mësojë ta dëshmojmë pa u lodhur kurrë Krishtin e t’i përballojmë me guxim provat e jetës, në emër të Tij e me besim se e kemi gjithnjë pranë.
Duke folur, pastaj, italisht, Benedikti XVI iu drejtua në mënyrë të veçantë seminaristëve, që marrin pjesë në takimin veror të nxënësve të Seminareve të Mëdha:
“Ju uroj të përgatiteni shpirtërisht, teologjikisht e baritorisht për ta ushtruar mbi baza të shëndosha shërbimin tuaj të ardhshëm, në rrethanat e shoqërisë së sotme, pjesa më e madhe e së cilës është e shekullarizuar”.
Në fund, përshëndetja e zakonshme, drejtuar të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve. Shembulli i Shën Monikës, që e përkujtojmë sot, e i birit të saj, Agostinit, që do ta kremtojmë nesër - përfundoi Ati i Shenjtë – ju ndihmofshin ta shikoni me besim të paepur Krishtin, dritë në vështirësi, mbështetje në prova e prijës në çdo çast të jetës njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.