2008-08-27 17:53:36

Me Nënë Terezën : “Vdekja është diçka e bukur”.


(27.08.2008 RV)Për shkencën “Vdekja është përfundmi i funksioneve biologjike, që shënon mbarimin e qenieve të gjalla”. Për shumkënd, vdekja është e tmerrshme. Për Shën Françeskun është ‘motër, ndërsa për Nënë Terezën, ‘diçka e bukur’. Pse? Na e shpjegon vetë e Lumja e parë shqiptare, në emisionin e 23-të të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, të cilin do ta vijojmë deri në ditën kur Ajo vetë u kthye në shtëpinë e Atit:

“Jam e bindur se të gjithë njerëzit që vdiqën në duart tona, gëzojnë lumninë e pasosur në qiell.
Janë shenjtorë të vërtetë.
Kënaqen të gjithë në praninë e Zotit.
Ndoshta në këtë botë nuk i deshi askush, por atje, në qiell, pa asnjë dyshim, Zoti i do fort.
Ju lutem ta falënderoni bashkë me mua Hyjin Atë, për gjërat e bukura që bënë motrat tona në shtëpinë e njerëzve në prag të vdekjes.
Vdekja është diçka e bukur.
Do të thotë të kthehesh në shtëpi.
Është e natyrshme që ikja e njeriut të dashur na vetmon.
Por kjo nuk ia prish aspak bukurinë këtij çasti: i dashuri ynë shkon tek Hyji.
Kujtoj takimin tim të parë me vdekjen. Një ditë, ndërsa isha në kërkim të të varfërve, gjeta, në rrugë të madhe, një grua që po jepte shpirt, gjysëm e ngrënë nga minjtë.
E çova në spitalin më të afërt, por nuk e pranuan.
Me që ngula këmbë, u detyruan, me shumë keqardhje, ta mbanin.
Që atë çast vendosa të kërkoj një vend për t’u siguruar këtyre njerëzve kujdesin e nevojshëm në çastin e fundit të jetës.
Shkova në bashki e kërkova një lokal, duke sqaruar se për të tjerat do të mendoja vetë.
Më çuan në tempullin e hyjneshës Kali, në Kaligat, e më dhanë një strehë. Deri atë çast kishte shërbyer për pritjen e shtegtarëve që shkonin të nderonin hyjneshën.
Kjo u bë strehë për mijëra njerëz, që i mblodhëm nga rrugët e i ndihmuam të vdisnin si engjëjt. I mbyllën sytë me një vdekje të bukur, që i shpëtoi nga mundimet jetës, për t’u hapur portën mahnitëse të shtëpisë së Atit!".







All the contents on this site are copyrighted ©.