2008-08-26 18:08:26

Në Indi sulme shqetësuese kundër të krishterëve. Selia e Shenjtë thirrje t’i jepet fund dhunës!


(26.08.2008 RV)“Vdekje të krishterëve!”– me këtë parullë fanatikët hinduistë të Indisë lindore, e pikërisht të shtetit të Orisës, sulmuan kisha e qëndra të bamirësisë, duke vrarë një besimtar dhe një misionare laike. Gruaja, e djegur gjallë në një ndërtesë të kallur flakë nga fanatikët, ishte 20 vjeçe e punonte pranë jetimores, drejtuar nga misionarët e krishterë në Kuntapali. Aty nga mesi i gushtit, në Andra Pradesh u mbyt mizorisht edhe rregulltari karmelitan, atë Tomas Pandipalil, ndërsa po shkonte të kremtonte Meshën Shenjte.
E bashkë me ipeshkvijtë indianë, pak ditë më parë, edhe kryeipeshkvi i dioqezës së Kutak Bubaneshvar në Orisë, imzot Rafael Shenath, dënoi ashpër vrasjen e liderit hinduist Laksananda dhe hodhi poshtë çdo hamendje për vrasjen e tij nga katolikët.

 
Ndërkaq, një Komunikatë Shtypi e Selisë Apostolike, thekson:
Lidhur me lajmet tragjike të ushtrimit të dhunës kundër besimtarëve dhe institucioneve të Kishës katolike, që vijnë nga India, Selia e Shenjtë, ndërsa u shpreh solidaritetin Kishave vendase dhe Kongregatave rregulltare të përfshira në këtë valë, i dënon këto veprime, të cilat cënojnë dinjitetin dhe lirinë e njerëzve e vënë në rrezik bashkëjetesën paqësore civile. Njëkohësisht u bën thirrje të gjithëve që, me ndjenjë përgjegjësie, t’i jipet fund çdo shfaqjeje të dhunës e të rivendoset atmosfera e dialogut dhe e respektit të ndërsjelltë.







All the contents on this site are copyrighted ©.