KAPELA PAPNORE E UDHËHEQUR NGA ATI I SHENJTË GJON PALI II PER LUMNIMIN E TEREZËS
SË KALKUTËS
(26.08.2008 RV) KAPELA PAPNORE
E UDHËHEQUR NGA ATI I SHENJTË GJON PALI II PER LUMNIMIN E SHËRBËTORES SË ZOTIT TEREZËS
SË KALKUTËS VIRGJËR THEMELUESE E KONGREGATËS SË MISIONAREVE E MISIONARËVE
TË BAMIRËSISË
SHESHI I SHËN PJETRIT, 19 TETOR 2003 E DIELA XXIX GJATË
VITIT KISHTAR DITA MISIONARE BOTËRORE.
PËRGATITJA
PËR KREMTIM Këngë: Tutta la terra… Toka mbarë Zotit i këndon Emërit
të tij i këndon lumní Kënga këndohet në Italisht, frëngjisht, gjermanisht,
spanjisht e polonisht;
HYRJE: Sot, në Ditën Misionare Botërore, mbarë
Kisha është e ftuar ta thellojë dhe ta ripohojë identitetin e vet më të thellë, thirrjen
e saj të posaçme, që i kujton se është e dërguar në botë për të dëshmuar projektin
e dashurisë së Zotit për njerëzimin. Me fjalë shpall besimin e vet në Jezu Krishtin,
të Dërguarin e Atit e ia kumton pa u lodhur kurrë Ungjillin mbarë popujve. Me veprat
e dashurisë së krishterë në ndihmë të njerëzve që vuajnë në korp e në shpirt, i ngushëllon
e i lehtëson të gjithë ata që i ka lëshuar zemra, sepse u duhet të përballojnë gjithfarë
situatash të vështira. Një vëmendje të posaçme u kushton njerëzve të braktisur,
për shkak të sëmundjes, të varfërisë e të dhunës, atyre që nuk kanë asnjeri pranë. Merr
një kuptim të veçantë në këtë Ditë Misionare, Lumnimi i Nënë Terezës së Kalkutës,
misionare e bamirësisë, ungjill i dashurisë, i jetuar pranë njerëzve më të papërfillur
nga shoqëria. Njëkohësisht del në pah ç'ka shkruar në mesazhin për këtë Ditë
Ati i Shenjtë, të cilin gjithashtu sot e kujtojmë në mënyrë të posaçme në 25-vjetorin
e Papnisë së tij. Ai i ka propozuar Kishës të bëhet: "Më kundruese", "më e shenjtë", "më
misionare"; duke mësuar në shkollën e Virgjërës Mari, "Yll i Ungjillëzimit". Në
të vërtetë - shkruan Papa - "Të gjithë besimtarët, përmes hirit të Pagëzimit, janë
të thirrur për të ecur në rrugën e shenjtërisë. Koncili i Vatikanit II, në Kushtetutën
dogmatike "Lumen gentium" nënvizon se vokacioni universal për shenjtëri
është thirrje për ta përsosur dashurinë e krishterë. Shenjtëria dhe misioni janë aspektet
themelore të vokacionit të çdo njeriu të pagëzuar. Zotimi për t'u bërë më shenjtër
lidhet ngusht me impenjimin për ta çuar kudo lajmin e mirë të shëlbimit. "Secili
besimtar"- na kujton Papa në "Redemptoris Misio" - është i thirrur të
jetë shenjt e misionar. Në shkollën e Virgjërës Mari, shkollë shenjtërie e ungjillëzimi,
posaçërisht përmes meditimit të mistereve të Rruzares e duke ndjekur shembullin e
Nënës së Krishtit, çdo bashkësi mund ta zbulojë më mirë përmasën e vet kundruese e
misionare.
Këngë: O Santissima: e Shenjtnueshmja, e mëshirshmja,
e buta, Nëna Jonë, Mari,
Nënë e dashur, e papërlyer, lutu, lutu për né.
Na ngushëllo, na mbro, Nëna jonë Mari. Në ty shpresojmë, me ty besojmë,
lutu, lutu për ne!
Lutja: Lutja ime për secilin prej jush është
që ju të jeni vetëm të Jezusit nëpërmjet shën Marisë. O Shën Mari, ma jep zemrën
tënde kaq të mrekullueshme, kaq të pastër, kaq të papërlyer, zemrën tënde kaq
të mbushur me dashuri e përvuajtëri që të më bëjë të denjë ta marr në zemër Jezusin me
anë të Bukës së Jetës dhe ta dua atë ashtu si e do ti dhe t’i shërbej atij në fytyrat
e çpërfytyruara të të varfërve. O Shën Mari, Nënë e Jezusit, bëhu Nëna ime tani. O
shën Mari, Nëna e Jezusit, më ndihmo që të jem e pastër dhe e përvuajtur si Ti, sepse
dua të jem shenjte dhe e këndshme për Trininë Shenjte, ashtu siç ishe, siç je
Ti. T’i kërkojmë Zojës sonë të na japë zemrën e saj, kaq të papërlyer, kaq të
pastër për ta dashur Jezusin që të bëhemi të denjë për ta marrë Jezusin nëpërmjet
bukës së jetës dhe pamjes së çpërfytyruar të të varfërve.
(Nënë Tereza)
I. Të dërguar si Jezusi
Nga
mesazhi i Papës: "Në asnjë epokë Kisha nuk ka pasur kaq mundësi
për ta kumtuar Krishtin, sa ç'ka sot, në sajë të zhvillimit të mjeteve të komunikimit.
Pikërisht për ketë Kisha sot është e thirrur ta bëjë sa më të dukshme Fytyrën e Dhëndrrit
të vet me një shenjtëri sa më të ndritshme. Në këtë përpjekje jo të lehtë, e di se
ka ndihmën e Virgjërës Mari. Nga ajo mëson të jetë "e Virgjër", kushtuar plotësisht
Dhëndrrit të vet, Jezu Krishtit, e Nënë e bijve të shumtë, që lind jetën e pamort.
… Kisha nuk ka frikë t'i thotë me zë të lartë botës se Krishti është "Rruga, e Vërteta,
Jeta" (Gv 14, 6); nuk druhet të kumtojë me gëzim se "Lajmi i mirë e ka qëndrën e
vet, madje vetë përmbajtjen e vet, në personin e Jezu Krishtit, në Fjalën e Mishëruar,
në të vetmin Shëlbues të botës" ( Rosarium Virginis Mariae, 20)".
Nga
porositë e Nënë Terezës "Dëshiroj
me gjithë zemër ta ndez dritën e dashurisë së Krishtit në zemrën e çdo krijese. Hyji
na dashuron e vijon të na përdorë, mua e ty, për të ndezur dritën e dashurisë së Tij
në botë. Lëre jetën tënde të ndriçohet nga vërtetësia e Tij, kështu që Zoti të vijojë
ta dashurojë botën përmes nesh. Mundohu me gjithë zemër të bëhesh dritë e shkëlqyer".
Anglisht:
“Ne nuk duhet të kemi frikë që ta shpallim dashurinë e Jezusit dhe të duam ashtu si
Ai na ka dashur. Puna që duhet të bëjmë, pavarësisht se e vogël dhe e përvuajtur,
duhet bërë në shenjën e dashurisë së Krishtit në veprim. Gëzohuni që Krishti edhe
një herë, ecën nëpër botë në ju e nëpërmjet jush bën mirë. Në Shkrimet e Shenjta
lexojmë se Zoti e deshi aq shumë botën, sa i dha Birin e Tij të vetëm. Zoja jonë e
pranoi Atë në krahëror me zemër të përvuajtur, me zemër të pastër e shkoi me nxitim
t’ua jepte Jezusin të tjerëve. Ajo shkoi në shtëpinë e Elizabetës vetëm për t’i shërbyer.
Ajo e ktheu dashurinë për Jezusin në veprim për të tjerët. Për këtë erdhi Jezusi,
për t'i dashur të tjerët ashtu si i do Zoti. Shën Maria na mësoi si t’i shërbejmë,
si ta duam njëri-tjetrin. Ku fillon kjo dashuri? – në shtëpi. Familjet që luten sëbashku
qëndrojnë sëbashku. Prandaj, nëse qëndroni sëbashku, do ta doni njëri-tjetrin ashtu
si Zoti do secilin prej jush. Nuk është e nevojshme të bëni gjëra të mëdha, por gjëra
të vogla me dashuri. Shën Maria shkoi në shtëpinë e Elizabetës për të bërë gjëra të
vogla. Ne e dimë si shkoi e kur mbërriti; qe foshnja që lëvizi gjithë gëzim. Shën
Gjoni u zgjodh për ta njohur Jezusin”.
Këngë: S' jam më unë që
jetoj R/ S' jam më unë që jetoj, por Krishti jeton në mua, Është
Zoti që më desh, që jetën ma dhuroi.
Jeta ime me Krishtin u kryqëzua
është
fshehur sot në Të, kjo jetë që po jetoj.
R/S' jam më unë që jetoj, por
Krishti jeton në mua, Është Zoti që më desh, që jetën ma dhuroi.
Me
Të i vdekur, i ringjallur me Të në gëzim,
Shpirti i Tij që më shëlboi,
jeton sot në shpirtin tim! Lutje: O Jezus, bari i shpirtrave, që i
thirre Apostujt për t'i bërë peshkatarë njerëzish, tërhiqi rishtas shpirtrat e
zjarrtë e fisnikë të të rinjve, për t'i bërë ndjekësit e shërbëtorët e tu: bëji
të kenë etjen tënde universale të shëlbimit, për të cilën e përsëritë çdo ditë
flijimin tënd. Ti, o Zot, gati gjithnjë për t'u bërë ndërmjetësi ynë, hapi horizontet
e botës mbarë, atje ku lutja e heshtur e vëllezërve kërkon dritën e së vërtetës
e ngrohtësinë e dashurisë; që duke iu përgjigjur thirrjes sate, ta vijojnë në
tokë misionin tënd, të ndërtojnë Korpin tënd mistik që është Kisha e të jenë
kripë e botës e dritë e tokës. Pali VI
II. "Nuk jam më unë që jetoj,
por Krishti që jeton në mua"
Nga Mesazhi i Papës
"Lutja
plot besim drejtuar Virgjërës Mari përmes Rruzares së përditshme dhe meditimit të
mistereve të jetës së Krishtit, do të theksojë se misioni i Kishës duhet ndihmuar
sidomos me lutje. "Dëgjimi" i fjalës së Zotit, si na këshillon Rruzarja, i afron besimtarët
te Zoja e Bekuar e cila "i ruante gjithë këto gjëra duke i medituar në zemër të vet"
(Lk. 2, 19). Meditimi i vazhdueshëm i fjalës së Zotit bëhet ushtrim për të jetuar
"në bashkim të gjallë" me Jezu Krishtin - përmes - mund të themi - Zemrës së Nënës
(Rosarium Virginis Mariae, 2). … Duke kundruar misteret e Rruzares, besimtari merr
zemër për ta ndjekur Krishtin e për të jetuar si Zoti deri në atë masë, sa të mund
të pohojë, me fjalët e Shën Palit: "Nuk jam më unë që jetoj, por Krishti që jeton
në mua". (Gal. 2, 20).
Nga porositë e Nënë Terezës: Faqe
46 “Përpiquni të bëheni dashuria e Jezusit, mëshira e Jezusit – prania e Jezusit
për njëri-tjetrin dhe për të varfërit, të cilëve u shërbeni. E gjithë kjo do të bëhet
e mundur nëse rrini afër Shën Marisë, Nënës së Jezusit dhe Nënës sonë. Ajo do t’ju
udhëheqë dhe do t’ju mbrojë dhe do t’ju ruajë Vetëm për Jezusin”.
“Kush është
Jezusi për mua? Jezusi është Fjala e mishëruar. Jezusi është Buka e Jetës. Jezusi
është Flija e gozhduar në Kryq për mëkatet tona. Jezusi është Flija e flijuar në
Meshën Shenjtë për mëkatet e botës dhe të miat. Jezusi është Fjala për t’u thënë. Jezusi
është e vërteta për t’u treguar. Jezusi është Rruga ku duhet ecur. Jezusi është
Drita për t’u ndezur. Jezusi është Jeta për t’u jetuar. Jezusi është Dashuria
për t’u dashur. Jezusi është gëzimi për t’u ndarë me të tjerët. Jezusi është
Flija për t’u ofruar. Jezusi është Paqja për t’u dhënë. Jezusi është Buka e
Jetës për t’u ngrënë. Jezusi është I Urituri për t’u ushqyer. Jezusi është i
Eturi për t’u ngopur me ujë. Jezusi është i Paveshuri për t’u veshur. Jezusi
është i Pastrehu për t’u marrë në shtëpi. Jezusi është i Sëmuri për t’u mjekuar. Jezusi
është i Braktisuri për t’u dashur.
Ruaje dlirësinë e syve Që Jezusi të shohë
nëpërmjet tyre. Ruaje dlirësinë e gojës Që Jezusi të flasë nëpërmjet gojës tënde. Mbaji
duart e pastra Që Jezusi të punojë me duart e tua. Mbaje mendjen të pastër Që
Jezusi të mendojë me mendjen tënde. Ruaje zemrën të pastër Që Ai të dojë me
zemrën tënde. Kërkoji Jezusit ta shkojë jetën e tij brenda teje, sepse: Ai është
e Vërteta e përvuajtur Ai është Drita e Bamirësisë Ai është Jeta e shenjtërisë”.
Këngë: Jesus is my life
Lutja (Anglisht) Jezus,
në zemrën time, unë besoj në dashurinë tënde të dhimbshme për mua, unë të dua. Sepse
unë të përkas Ty, Unë dua të jap gjithçka timen për Ty. Më përdor plotësisht. Më
ndaj copë copë. Cdo pjesë do të jetë jotja. O Shën Mari, ma jep zemrën tënde
kaq të mrekullueshme, kaq të pastër, kaq të papërlyer, zemrën tënde kaq të mbushur
me dashuri e përvuajtëri sa të më bëjë të denjë për të marrë në zemër Jezusin me
anë të Bukës së Jetës dhe ta dua Atë ashtu si e do ti dhe t’i shërbej në pamjet
e çpërfytyruara të të varfërve. (Nënë Tereza)
III. Të shikosh
Jezusin në të varfrin
Nga Mesazhi i Papës: "E
ndjekur nga vështrimi plot kujdes i Virgjërës Mari, bashkësia kishtare rritet si një
familje e gjallëruar nga ndikimi i fuqishëm i Shpirtit Shenjt dhe, gati për të pranuar
sfidat e ungjillëzimit të ri, kundron fytyrën përdëllyese të Jezusit në vëllezërit,
posaçërisht ndër të varfrit e nevojtarët, në ata që janë larg nga feja e nga Ungjilli".
Porosi
e Nënë Terezës:
“Ta dhurojmë vetveten me Të e për Të. Lëre Atë të shohë
me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me këmbet tuaja,
të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj. Ai është e vetmja Dashuri
që vlen të ndjehet, e vetmja Rrugë që meriton të ndiqet, e vetmja dritë që ia vlen
të kërkohet, e vetmja jetë që ia vlen të jetohet. Ai ka bërë kaq shumë për ju – tani
është radha juaj “të bëni” diçka për Të. Ai vdiq në kryq për të treguar dashurinë
më të madhe, e Ai vdiq për ju e për mua e për atë të gërbulurin, për atë njeriun aty
që po vdes nga uria, e për atë person gjysëm lakuriq që është shtrirë në rrugë, jo
vetëm në Kalkutë, por edhe në Afrikë, në Nju Jork, në Londër e në Oslo – dhe nguli
këmbë që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu si deshi Ai secilin prej nesh. Ne mund ta
lexojmë qartë këtë në Ungjill, “doni ashtu si ju kam dashur; ashtu si Ati më ka dashur
mua, unë ju dua juve”. Kur Ati e deshi shumë, na e dha Atë neve, dhe sa më shumë që
ta duam njëri-tjetrin, aq më shumë duhet t’i japim njëri-tjetrit, deri në dhembje. Nuk
mjafton për ne të themi “Unë e dua Zotin, por nuk e dua fqinjin”. Shën Gjoni thotë
se je gënjeshtar nëse thua se e do Zotin, por nuk do fqinjin. Si mund ta duash Zotin,
që nuk e sheh, nëse nuk e do fqinjin, që e sheh, e prek, jeton me të? Kjo gjë është
me rëndësi për ne: të kuptojmë se dashuria, që të jetë e vërtetë, duhet të dhembë”. “Unë
besoj se ne nuk jemi punonjëse sociale. Ndoshta ne bëjmë punë sociale për sytë e njerëzve,
por në të vërtetë, ne jemi ato që kundrojnë Krishtin në zemër të botës. Sepse ne prekim
Korpin e Krishtit për 24 orë me radhë! Ne jemi 24 orë në praninë e Tij, ju edhe
unë. Edhe ju duhet të përpiqeni që ta sillni Zotin në familje, sepse familjet që luten
sëbashku qëndrojnë sëbashku. Mendoj se ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba
apo armë që ta shkatërrojmë ose ta sjellim paqen – duhet veç të qëndrojmë bashkë,
ta duam njëri-tjetrin, të sjellim atë paqe, atë gëzim, atë fuqi të pranisë së Zotit
për njëri-tjetrin në shtëpi. Ne do të jemi në gjendje ta shtypim kështu të keqen në
botë. Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë mjerim dhe me lutjen tonë,
me flijimin tonë, që fillon në shtëpi – dashuria fillon në shtëpi. E nuk ka rëndësi
sa shumë gjëra bëjmë, por me sa dashuri veprojmë. Është për Zotin e gjithpushtetshëm
– sa shumë gjëra bëjmë, nuk ka rëndësi, sepse ai është i pafundëm, por me sa dashuri
veprojmë – ajo ka rëndësi. Sa shumë bëjmë për Zotin nëpërmjet personit të cilit i
shërbejmë?”.
Këngë: I Thirst
Është Jezusi
ai që ndjen brenda vetes urinë e të varfërve, etjen dhe lotët e tyre. Si Jezusi,
ne duhet të bëhemi një me njerëzit tanë, të bëhemi një me ata në të gjitha gjërat,
përveç mëkateve. Jezusi u bë kaq shumë një me të varfërit Saqë mori pamjen e
shërbëtorit. Feja jonë në Jezusin duhet të na bëjë që të duam, e dashuria duhet
të na çojë drejt shërbimit. Por shërbimi nuk është i mundur pa lutjen. IV.
Të dërguar për të sjellë paqen
Nga Mesazhi i Papës: "Lufta
e padrejtësia e kanë zanafillën në zemrën, ku mbretëron "ndasia". Kush e bën të vetin
misterin e Krishtit - e Rruzraja pikërisht këtë synon - mëson të fshehtën e paqes
dhe e vë në themel të planeve të tij për jetën. (Rosarium Virginis Mariae, 40). Në
se ritimi i Rruzares bëhet masë për ritmin e jetës sonë, ky do të ishte mjet i zgjedhur
për të ndërtuar paqen në zemrat e njerëzve, në jetën e familjeve e të popujve. Me
Virgjërën Mari mund të nxjerrim gjithçka nga Biri i saj, Jezusi. Me ndihmën e Zojës
së Bekuar nuk do të ngurrojmë t'i kushtohemi bujarisht përhapjes së lajmit ungjillor,
deri në skajet më të largëta të tokës".
Nga porositë e Nënë Terezës:
Anglisht “Punët tona të dashurisë nuk janë gjë tjetër veçse punë paqeje.
T’i bëjmë me dashuri e efikasitet më të madh – secili në punën e vet të përditshme:
në shtëpi, me fqinjët, rrotull jush. Gjithnjë është Krishti ai që ka thënë: Isha
i etur – jo për ujë, por për paqe që ngop etjen e pamëshirshme për luftë. Isha
i zhveshur – jo pa rroba, por pa atë dinjitetin e mrekullueshëm që burrat e gratë
bartin në trupin e tyre. Isha pa shtëpi – jo pa strehën me tulla, por pa zemrën
që kupton, që mbulon e dashuron”. “Lajmi i Mirë është: paqe për të gjithë njerëzit
vullnetmirë, dhe kjo është diçka që e duam të gjithë – paqen e zemrës. Zoti e deshi
botën kaq shumë sa dha Birin e tij. Ishte një dhuratë; megjithëse Zotit i dhembi,
ai e deshi aq shumë botën sa i dha Birin e tij. Ai ia dha Atë Vrigjërës Mari e çfarë
bëri ajo pastaj? Sapo Krishti erdhi në jetën e saj, ajo shkoi menjëherë, me nxitim,
për t’i dhënë Lajmin e Mirë botës. Sapo shkoi në shtëpinë e kushërirës, fëmija, fëmija
i palindur – fëmija në kraharorin e Elizabetës, hovi me gëzim. Ai fëmijë i vogël i
palindur ishte lajmëtari i parë i paqes. Ai e njohu Princin e Paqes, ai e kuptoi se
Krishti kishte ardhur për të sjellë Lajmin e Mirë për ju e për mua”.
Këngë: I
lartë e i lumnueshëm Zoti
R/ I lartë e i lumnueshëm Zoti, zemrën time
shndritë, Më jep fe të fortë, shpresë të qartë e dashuri, Përvujtëri të thellë
më jep, dije e urtí e dritë Që të mund t'i vë në jetë urdhnimet tua me gëzim.
Të
lutem, o Zot, ta rrëmbejë
forca e zjarrtë e e ëmbël e dashurisë sate mendjen
time nga gjithçka, që të vdes për dashuri tënde, si Ti që vdiqe për dashurinë
e dashurisë sime.
R/ E lartë e e lumnueshme në Zotin, zemra ime shndritë, Më
jep fe të fortë, shpresë të qartë e dashuri, Përvujtëri të thellë më jep, dije
e urtí e dritë Që të mund t'i vë në jetë urdhnimet tua me gëzim.
Lutje:
Më
bëj, o Zot, mjet të paqës sate: Ku ka urrejtje, të çoj dashurinë, atje ku ka
fyerje, faljen ta çoj, ku grindje ka, të çoj bashkimin atje ku dyshohet, fenë
unë ta çoj. Ku ka gabim, të çoj të vërtetën, ku vret dëshprimi, shpresën ta
çoj. Ku ka trishtim, të çoj gëzimin E atje ku ka hije, dritë ta çoj. Bëj,
Zot, të kërkoj ngushëllim për të tjerët Më shumë se sa për vete; Të kuptoj,
më shumë se të më kuptojnë, të dua, më tepër se të më duan. Sepse kur jep, ke
marrë, kur falë, ke gjetur përdëllim, e atëherë kur vdes, do të ngjallesh
në amshim!
Përfundim: anglisht Kur jeni mbushur me gëzim, lëvizni më shpejt
dhe dëshironi të ecni për t’i bërë mirë gjithkujt. Gëzimi është një rrjetë dashurie,
me të cilën kapim shpirtra – pikërisht sepse ne jemi plot me gëzim, të gjithë na
pëlqejnë dhe duan të qëndrojnë me ne për të marrë dritën e Krishtit. Gëzimi i Jezusit
është shkëlqimi i dashurisë së Atit të Tij. Gëzimi i Jezusit është shpresa për
lumturinë e përjetshme. Gëzimi i Jezusit është flaka e dashurisë që digjet. Nuk
mund të jeni Gëzim pa Flijim. Dashuria për njëri-tjetrin – ky është Gëzimi. “Do
ta dinë se jeni të mitë, nga dashuria që keni për njëri-tjetrin”.
Këngë:
Qiejtë tregojnë
IIIKREMTIMI I EUKARISTISË
RITI
I HYRJES Bashkëkretojnë me Atin e Shenjtë 43 ( ) kardinaj, ipeshkvij
e meshtarë. Nga Shqipëria bashkëkremtojnë me Atin e Shenjtë - Shkelqesia
e Tij, Imzot Angelo Massafra, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore dhe Kryeipeshkëv metropolit
i Shkodrës dhe Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv Durrës-Tiranës. Në
delegacionin ekumenik marrin pjesë Përfaqësuesit e Fortlumturisë së Tij, Anastas,
Kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithé Shqipërisë: Shkelqesia e Tij Joan Pelushi
I nderuari Atë Luke Alexander Veronis I nderuari Atë Arben Koroveshi
Në delegacionin ndërfetar të Shqipërisë bëjnë
pjesë: Përfaqësueit e Bashkësisë Myslimane Sunnite të Shqipërisë: Shkelqesia
e Tij Haxhi Sabri Koçi, Myftia i Madh, i shoqëruar nga i biri, Qeramet Koçi, Haxhi
Zylyftar Dervishi; Haxhi Bujar Mullahi
Përfaqësues të bashkësisë Myslimane
Bektashiane të Shqipërisë: Shkelqesia e Tij Reshat Sinan Bardhi, Kryetar i bashkësisë;
Zoti Kujtim Kadri Ahmataj, Zoti Subi Dedej, Zoti Pëllumb Beqir Kartoshi. Kishën
katolike të Shqipërisë në kremtim e përfaqëson Monsinjor Dodë Gjergji, Administrator
Apostolik i Sapës; Ndërsa Ati i Shenjtë dhe bashkëkremtuesit
drejtohen nga elteri vijon Kënga e Hyrjes IUBILATE DEO Brohoriteni
Zotin, ju të gjithë njerëzit e tokës, shërbejini Zotit me gëzim, paraqituni para Tij
me ngazëllim; R/ Ta dini se Zoti është Hyj, ai na krijoi e ne jemi të tij,
populli i tij e grigjë e kullotës së tij. R/ Kapërceni portat e tij me himne
hiri, tremet e tij me këngë lavdërimi, lavdërojeni, bekojeni emrin e Tij! R/ Sepse
i mirë është Zoti, e amshuar është mëshira e Tij, besnikëria e Tij i përket të gjitha
breznive. R/
Ati i Shenjtë: P/
Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. R/ Amen. P/ Paqja qoftë me
ju! R/ E me shpirtin tënd.
Ati i Shenjtë udhëheq kremtimin dhe punën
e pendimit: Vëllezër e Motra: edhe në ditët tona Zoti frymëzon shembuj
të rinj shenjtërie. Disa imponohen përmes zgjedhjes radikale, ashtu siç bëri
Nënë Tereza e Kalkutës, që sot po e radhitim ndërmjet të Lumëve. Në të dallojmë
urgjencën për t'u vënë në shërbim të të gjithëve e veçanërisht të të varfërve
e të harruarve, të më të fundit ndër të fundëm. Ajo na tregon edhe se nga shenjtëria Vjen
aftësia për ta kumtuar Krishtin, pa asnjë kusht.
Eshtë një propozim i fuqishëm në
këtë Ditë Misionare Botërore, - që po e kremtojmë me Virgjërën Mari, e cila
është misionarja e parë e Ungjillit - në përfundim të vitit të Rruzraes, e
me hirin e saj për ministerin tim si Bari i Kishës Universale në selinë romake
të Shën Pjetrit. Vetëm për një Kishë Shenjte e Misionare. Për këtë kemi nevojë, t'i
lutemi Zotit të ketë mëshirë për ne! Pas një heshtjeje të shkurtër, këngëtari
këndon lutjen: K: - Krisht - Ti drita jonë! O Zot, ki mëshirë! B:
-O Zot, ki mëshirë! K: Jezus Zot, ti shpëtimi ynë! O Krisht,
ki mëshirë! B: - O Krisht, ki mëshirë!
K: Jezu Krisht, ti
Mëshira jonë O Zot ki mëshirë! B: - O Zot ki mëshirë! A. SH/
Hyji i gjithëpushtetshëm pastë mëshirë për ne, na i faltë mëkatet tona e na priftë
në jetën e pasosur. R/ Amen! RITI I BEATIFIKIMIT Imzot
Lucas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, i afrohet katedrës së Atit të Shenjtë së bashku
me Postulatorin dhe i kërkon që kremtimi të vazhdojë me Lumnimin e Shërbëtores të
Zotit, Terezës së Kalkutës:
Shenjti Atë Papë, kryeipeshkvi
i Kalkutës i kërkon (lyp) përvujtërisht Shenjtërisë Suaj të ketë mirësinë ta shkruajë
në numrin e të Lumëve Shërbëtoren e Nderuar të Hyjit, Terezën e Kalkutës!
Jetëshkrimi:
Nënë
Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup në një familje thellësisht fetare në të cilën
mbretëronte dashuria. Më e vogla ndër fëmijët e Kolë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua
me emrin Gonxhe Anjeza. E ëma, e mbetur vetëm, me tre fëmijë në ngarkim pas vdekjes
së t'et, kishte një karakter të ëmbël, por të vendosur, që ndikoi shumë në personalitetin
dhe në drejtimin e ardhshëm të Nënë Terezës. Në moshën 18 –vjeçare, me dëshirën
për t’u bërë misionare, ajo e la shtëpinë për të shkuar në Institutin e Zojës së Bekuar,
i njohur si Motrat e Loretos, në Irlandë. I dhanë emrin motër Mari Tereza. Në dhjetor
u nis për në Indi dhe arriti në Kalkutë më 6 janar 1929. Motër Tereza mori kushtet
e para rregulltare në maj 1931 dhe kushtet e përjetshme më 24 maj 1937. Që nga ajo
kohë ajo u quajt Nënë Tereza. Pasi mori kushtet e para, dha mësim në Shkollën e Shën
Marisë në Entali të Kalkutës dhe, më 1944 u bë drejtoreshë e shkollës. Ishte e njohur
për bamirësi, altruizëm, guxim, aftësi për punë të rënda, talent natyror për organizim,
dhe besnikëri e gëzim për jetën e shuguruar. Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi
me tren nga Kalkuta në Darjeling për ushtrimet shpirtërore të përvitshme, Nënë Tereza
mori nga Zoti atë që është quajtur “frymëzimi” “thirrja brenda thirrjes”. Që nga ajo
ditë, etja e Jezusit për dashuri dhe shpirtra zuri rrënjë në zemrën e saj, dhe dëshira
për ta shuar këtë etje për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër,
u bë forca tërheqëse e jetës së saj. Pasi mori lejet e nevojshme, më 17 gusht
1948 ajo la kuvendin e Loretos dhe hyri në botën e të varfërve. Me të u bashkuan nxënëset
e dikurshme të shkollës së Shën Marisë dhe më 7 tetor, Kongregata e re e Misionareve
të Bamirësisë u vendos zyrtarisht në Kryedioqezën e Kalkutës. Brenda një kohe të shkurtër,
Nënë Tereza hapi shkollat e para të mjerimit dhe qendrat shëndetësore në shumë vende
të qytetit. Dekreti i Papës Pali VI më 1 shkurt 1965 e inkurajoi Nënë Terezën
që ta zgjerojë misionin për të varfërit e çdo kontinenti, ndërsa thirrjet shtoheshin
vazhdimisht. Me qëllim që t’u përgjigjej më mirë nevojave fizike dhe shpirtërore
të të varfërve, Nënë Tereza themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë, më 1963;
më 1976 degën kundruese të motrave, më 1979 Vëllezërit Kundrues dhe më 1984 Etërit
Misionarë të Bamirësisë. Duke ndarë me të përshpirtërinë, shumë laikë u bënë Bashkëpunëtorë
për të Sëmurët dhe të Vuajturit, Bashkëpunëtorë, Misionarë laikë të Bamirësisë. Më
1981 ajo filloi Lëvizjen Corpus Christi për Meshtarët. Në vitin 1997, Motrat e
Nënë Terezës numëronin rreth 4 mijë anëtare të shpërndara në 610 degë në 123 vende
të botës. Në mars 1997 ajo bekoi pasardhësen e saj të sapozgjedhur si Eprore të Përgjithshme
të Misionareve të Bamirësisë. Më 5 shtator, jeta tokësore e Nënë Terezës mori
fund dhe ajo “shkoi në shtëpinë e Zotit”. Varri i saj në Shtëpinë Mëmë shpejt u bë
një vend shtegtimi dhe lutjeje për njerëz nga të gjitha fetë, për të varfër e të pasur. Në
përgjigje të kërkesave të panumërta si nga hierarkia, ashtu edhe nga besimtarët e
mbarë botës, Kongregata për Ceshtjet e Shenjtërve lejoi fillimin e Kauzës së Lumnimit
dhe të Kanonizimit të Nënë Terezës në Kryedioqezën e Kalkutës, në më pak se dy vjet
pas vdekjes. Procesi dioqezan vazhdoi nga 26 qershori 1999 deri më 15 gusht 2001.
Dekreti për njohjen e virtyteve heroike të Nënë Terezës u miratua nga Papa Gjon Pali
II më 20 dhjetor 2002.
Pasi dëgjojnë disa të dhëna biografike të Shërbëtores
së Hyjit, të gjithë ngrihen në këmbë. Vetëm Ati i Shenjtë rri ulur dhe shqipton solemnisht
FORMULËN
E LUMNIMIT
Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllaut tonë
Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat
e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e
Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit,
Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që fetsa e saj të kremtohet në
vendet e sipas regullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes
së saj për qiell, më 5 shtator. ASH/ Në emët të Atit e të Birit e
të Shpirtit Shenjt R/ Ameeeeeeeeeen!
Pranë elterit vendosen reliket
e së Lumes së re. Schola: Aleluja! Bashkësia përsërit: Aleluja! Schola:
Lavd e lumni të qoftë ty, o Zot: në banesën e Shenjtërve, e kurorëzuar me lumní
e nder, shkëlqen Shërbëtorja Jote, Tereza, e ndërmjetëson për né! Asambleja:
Aleluja!
Kryeipeshkvi i Kalkutës falënderon Atin e Shenjtë: Atë i
Shenjtë, Kryeipeshkvi i Kalkutës falënderon Shenjtërinë Tuaj, që e shpallët sot të
Lume, Shërbëtoren e nderuar të Hyjit, Terezën e Kalkutës.
Kryeipeshkvi dhe
Postulatori shkëmbejnë përqafimin e paqes me Atin e Shenjtë
Këndohet
"Gloria" Ati i Shenjtë intonon "Gloria in exelsis: - "Lumni i qoftë
Hyjit": shkolla e asambleja këndojnë e brohorasin për Hyjin e për Krishtin Zot.
ASH/
Lavdi i qoftë Hyjit në lartësitë qiellore!
Shkolla: E paqe njerëzve
vullnetmirë mbi tokë!
Bashkësia: Ne po të lavdërojmë. Po të bekojmë,
po të adhurojmë, po të madhërojmë.
Shkolla: Po të falënderojmë për lumninë
tënde të pakufi Zot, perendí, Mbret qiellor - Atë i gjithëpushtetshëm.
Bashkësia:
Zot, ti Biri i Njëlindur, Jezu Krisht, Zot, Perendi, ti qingji i Zotit, Bri i Atit
Shkolla:
Ti që shlyen mëkatet e botës
Bashkësia: Ki mëshirë për ne
Shkolla:
Ti që shlyen mëkatet e botës
Bashkësia: Pranoje lutjen tonë.
Shkolla:
Ti që rrin në të djathtën e Atit;
Bashkësia: Ki mëshirë për ne! Shkolla:
Pse vetëm ti je gjithëshenjti;
Bashkësia: ti vetëm je Zoti;
Shkolla:
ti vetëm gjithilarti, O Jezu Krisht, së bashkut me Shpirtin Shenjt në lumturinë
e Hyjit
Shkolla e bashkësia: Amen!
Orazione colleta
Ati
i Shenjtë: Të lutemi: O Atë, ti që ke dërguar në Botë Krishtin, dritën e
vërtetë, ndikoje Shpirtin Shenjt që të hedhë farën e së vërtetës në zemrën e njerëzve
e t'i bëjë të gatshëm për t'iu bindur fesë, që të gjithë bijtë tuaj, të rilindur
përmes pagëzimit, të formojnë të vetmin popull të Besëlidhjes. Nëpër Zotin tonë
Jezu Krishtin, Birin tënd, që është Hyj e jeton e mbretëron me Ty, së bashku me Shpirtin
Shenjt, për gjithë shekuj të shekujve. R/ Amen!
LITURGJIA E FJALËS
LEXIMI
I Në se jep jetën e vet si flije shpërblyese, do të shohë një trashëgim jetëgjatë
Nga
Libri i Izaisë profet: 53, 2.3.10-11 Shërbëtori
i Tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. Ishte i përbuzur, më i
mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet
fytyra; i përbuzur, këndej as s'e çmonin për asgjë. Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë
me vuajtje. Në se e jep jetën e vet si fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi
jetëgjatë, me anën e tij do të kryhet vullneti i Zotit. Për shkak të vuajtjes
së shpirtit të tij, do të shohë dritën e do të ngihet me njohjen e saj. Shërbëtori
im i drejtë do të shfajsojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t'i marrë!
R/Fjala
e Zotit. R/Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 32 R/ Na e jep, o Zot, mëshirën
tënde, sepse në ty shpresojmë.
E drejtë është fjala e Zotit, besnike
- çdo vepër e tij. E do tagrin e drejtësinë, përplot është toka me mirësinë
e Zotit.R/
Ja, sytë e Zoti rrinë zgjuar mbi ata që ia kanë frikën, mbi ata
që shpresojnë në mirësinë e tij. për t'i shpëtuar nga vdekja, e për t'i ushqyer
në kohë të urisë.R/
Shpirti ynë shprson në Zotin, ai është ndihma jonë,
mburoja jonë. Mirësia jote qoftë mbi ne, O Zot, mbi ne që në ty shpresojmë gjithmonë.
R/
Leximi II Lexim prej letrës drejtuar hebrenjve 4,
14-16 Vëllezër, mbasi e kemi krypriftin e madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili
ka përshkuar qiejtë - të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse, nuk kemi
kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar
të gjitha, sikurse ne, me përjashtim të mëkatit. T'i afrohemi, prandaj, plot guxim
fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohën
e duhur!
Fjala e Zotit R/Falënderojmë Hyjin!
Brohoritja për Ungjillin
Ndërsa
diakoni sjell solemnisht librin e ungjijve në ambonë, bashkësia brohoret për Krishtin,
që është i pranishëm në Fjalën e tij. Ndërmjet besimtarëve që i afrohen me procesion
eletrit, janë edhe shqiptarët Armand Cako, dhe Orselina Paluca.
Shkolla:
Aleluja! Shkolla: Jezu Krishti erdhi që të shërbejë, e të japë jetën
e vet si shpërblim për të gjithë. Bashkësia: Aleluja
UNGJILLI (Mk.
10. 35-45) Biri i njeriut erdhi që të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim
për të gjithë.
LEXIM I UNGJILLIT SHENJT SIPAS MARKUT
Në
atë kohë, Jakobi e Gjoni, të bijtë e Zebedeut, iu afruan Jezusit dhe i thanë: "Mësues,
dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë. "Çka dëshironi - u tha Jezusi - të
bëj për ju?". Ata i thanë: "Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën
e tjetri në të majtën tënde". Jezusi u përgjigj: "Nuk dini çka lypni. A jeni të
zotët ta pini kelkun (gotën) që e pi unë? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin
unë pagëzohem? "Jemi të zotët" - i përgjigjën ata. Jezusi vijoi: "Vërtetë do
ta pini kelkun që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzimin që unë pagëzohem. Por
të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time - kjo nuk është në
pushteitn tima ta jap - kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati". Kur
e morën vesh dhjetë të tjerët, u zemruan me Jakobin e me Gjonin. Prandaj Jezusi i
thirri për rreth e u tha: "Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë
me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e vet. Kështu veç, nuk
duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të
bëhet shërbëtori juaj, dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi
i tëgjithëve, sepse Biri i Njeriut nuk erdhi për të qenë i shërbyer, por
që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë. Fjala
e Zotit R/ Lavdi të qoftë Ty, o Krisht!
Homelia
Homelia
e Atit të Shenjtë Gjon Palit II, mbajtur gjatë kremtimit të Eukaristisë në Lumnimin
e Nënë Terezës Vatikan, 19 tetor 2003
1."Kush
dëshiron të jetë i pari ndërmjet jush do të jetë shërbëtori i të gjithëve"
(Mc. 10, 44) . Këto fjalë të Jezusit drejtuar nxënësve, që jehuan rishtas pak
më parë në këtë Shesh, tregojnë cila është rruga që çon në "madhështinë" ungjillore.
Eshtë e njëjta rrugë që përshkoi vetë Krishti, deri në Kryq; një udhë dashurie e shërbimi,
që përmbys çdo logjikë njerëzore. "Të jesh shërbëtor i të gjithëve!". Nga kjo
logjikë është udhëhequr Nënë Tereza e Kalkutës, Themeluese e Misionareve e
Misinarëve të Bamirësisë, të cilën sot kam gëzimin ta shkruaj në Librin e të Lumturve.
I jam mirënjohës personalisht kësaj gruaje guximtare, të cilën e kam ndjerë gjithnjë
pranë meje. Ikonë e Samaritanit të mirë, ajo shkonte gjithandej për t’i shërbyer
Krishtit ndër më të varfrit. S’kishte luftë as konflikt që ta ndalonte. Herë pas
here vinte të më fliste për përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore. Kujtoj,
për shembull kur,duke marrë Çmimin Nobel, pati thënë: “Në se dëgjoni se ndonjë grua
nuk do ta mbajë fëmijën e saj e dëshiron ta abortojë, përpiquni ta bindni të ma sjellë
mua atë fëmijë. Unë do ta dua, duke parë në të shënjën e dashurisë së Hyjit” (Oslo,
10 dhjetor 1979). 2. A s’është domethënës fakti që Lumnimi i saj ngjet pikërisht
në ditën kur Kisha kremton Ditën Misionare Botërore. Me dëshminë e jetës së
saj Nënë Tereza na kujton se misioni ungjillëzues i Kishës kalon përmes dashurisë
e bamirësisë së krishterë, të ushqyer nga lutja e nga dëgjimi i Fjalës së Zotit.
Simbol i këtij stili misionar është figura që e paraqet të Lumen e re duke shtrënguar,
me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte. Kundrim e veprim,
ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të
cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes.
3.
“Kush dëshiron të jetë i madh ndërmjet jush, duhet të bëhet shërbëtori juaj"
(Mk. 10. 43). Me emocion të posaçëm po kujtojmë sot Nënë Terezën, shërbëtoren e madhe
të të varfërve, të Kishës e të botës. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit
të shërbimit të përvuajtur. Ajo nuk pati vendosur të ishte thjeshtë e fundmja, por
shërbëtorja e njerëzve më të fundmë. Si Nënë e vërtetë e të varfërve, ajo vendosi
t’i provojë vetë format e ndryshme të varfërisë. Madhështia e saj qëndron në aftësinë
për të dhënë pa pritur shpërblim, për të dhënë “deri në dhëmbje”. Jeta e saj radikale,
ishte Ungjill i gjallë. Britma e Krishtit në kryq "Kam etje!" (Gjn. 19: 28), që shpreh
dëshirën e thellë të Zotit për njeriun, hyri në thelb të shpirtit të Nënë Terezës
dhe gjeti një tokë pjellore në zemrën e saj. Të shuash etjen e Jezusit për dashuri
dhe për shpirtra njerëzore, në bashkim me Shën Marinë, Nënën e Krishtit, u bë qëllimi
i vetëm i jetës së Nënë Terezës; u bë forcë e brëndshme, që e shtynte atë të mos kujdesej
për vetveten dhe të vraponte papushim rreth e përqark globit për të punuar për shpëtimin
dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër.
4. “Atë që bëni për
më të voglin e këtyre vëllezëve të mi, ma keni bërë mua”. (Mt. 25: 40) Kjo
pjesë e Ungjillit kaq e rëndësishme për të kuptuar shërbimin e Nënë Terezës ndaj
të varfërve, ishte baza e bindjes së saj, e besimit se duke prekur trupat e shkatërruar
të të varfërve, prekte Korpin e Krishtit. Ajo i shërbente vetë Jezusit, të fshehur
pas pamjes së mjerë të të varfërve më të varfër. Nënë Tereza zbuloi kuptimin më të
thellë të shërbimit si vepër dashurie që, duke u bërë për të uriturit, të eturit,
të huajtë, të zhveshurit, të sëmurët, të burgosurit, (cf. Mt. 25: 34- 36), bëhet
për vetë Jezusin. Duke e parë atë tek të varfërit, ajo i shërbeu me devocion
të thellë, dhe shprehu kështu delikatesën e dashurisë për Dhëndrrin e saj. Prandaj
në dhurimin e plotë të vetvetes për Zotin dhe për të afërmin, Nënë Tereza e realizoi
plotësisht vetveten dhe zbuloi cilësitë më fisnike të femërsisë së saj. Ajo
donte të ishte një shenjë e dashurisë së Zotit, e pranisë së Zotit, e mëshirës së
Zotit, dhe kështu na kujton të gjithëve vlerën dhe dinjitetin e secilit prej bijve
të Zotit, që janë krijuar për t'u dashur dhe për të dashur. Prandaj Nënë Tereza ishte
ajo që i çonte shpirtrat tek Zoti e Zotin tek shpirtrat dhe shuante etjen e Krishtit,
sidomos për ata që kishin më shumë nevojë, për ata që e shikonin vagëllimthi fytyrën
e Zotit, me sytë e mjegulluar nga vuajtja e dhimbja.
5. "Biri
i njeriut ka ardhur për të dhënë jetën e vet në shpërblim të shumkujt" (Mc
10, 45). Nënë Tereza jetoi mundimet e Tij të dhimbshme posaçërisht në vitet e gjata
"të errësirës së brëndshme". Kjo provë, të cilën ajo e pranoi si "dhuratë e privilegj",
i shkaktoi dhimbje të thekshme. Në orët më të errta, ajo lutej edhe më fort para të
Shenjtnueshmit Sakrament. Kjo tronditje e rëndë shpirtërore e bëri të njësohej
gjithnjë më shumë me ata, të cilëve u shërbente çdo ditë, duke provuar dhimbjen
e nganjëherë, dhe braktisjen. I pëlqente të përsëriste se varfëria më e madhe është
të jesh i padëshirueshëm, të mos kesh njeri që kujdeset për ty.
6. “Na
e jep o Zot hirin tënd, në ty shpresojmë!" Sa herë, ashtu si Psalmisti, edhe
Nënë Tereza, në çastet e përhumbjes shpirtërore i përsëriti Zotit të vet. "Në Ty,
në Ty shpresoj, Zoti im!" Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin,
këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë
në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin
ta ndjekim shembullin e saj. Virgjër Mari, Mbretëreshë e të gjithë shenjtërve,
na ndihmo të jemi zemërbutë e të përvujtë, si kjo lajmëtare sypatrembur e dashurisë. Na
ndihmo t’i shërbejmë me gëzim e buzëqeshje çdo njeriu që takojmë. Na ndihmo të jemi
misionarë të Krishtit, paqja jonë e shpresa jonë. Amen!
BESOJMA Shkolla
dhe bashkësia këndojnë Besojmën për të pohuar fenë e tyre Këngëtari: Besoj;
Besoj! Amen!
Shkolla: Besoj në Tënzonë, Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të dheut. E në Jezu Krishtin, Birin e tij një të vetmin,
Zotin tonë, i cili u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt, lindi prej Virgjirës Mari,
pësoi mundimet nën Poncin Pilat, u vu në Kryq, vdiq e u varros, zbriti në ferr, në
të tretën ditë u ngjall së vdekuri, u ngjit në qiell, rri në anë të djathtë të Tënzot,
Atit të gjithëpushtetshëm; prej andej do të vijë të gjykojë të gjallët e të vdekurit. Besoj
në Shpirtin Shenjt, në Shenjten Kishë katolike, në shoqërinë e shenjtërve, të ndiemët
e mëkateve, të ngjallurit e korpit, jetën e pasosur. Amen!
Lutja e besimtarëve: T'i
afrohemi fronit të hireve, duke besuar në ndërmjetësimin e Kryemshtarit të
madh, Jezu Krishtit, që ka marrë mbi vete fatin e njerëzimit, e tani, plot lavdi
pranë Atit, ndërmjetëson gjithnjë për ne. Ati ia besojmë lutjen tonë për
shpëtimin e njerëzimit, për paqen e harmoninë ndërmjet popujve dhe impenjimin
për ta lehtësuar vuajtjen e çdo njeriu.
Këngëtari: T'i lutemi Zotit! R/
Ardhtë mbretëria jote!
1. Frëngjisht: Apostullit Pjetër, simbol pushteti
e hallkë bashkimi, ia drejtojmë mendimin tonë e i lutemi për pasardhësin e Tij, Papën
Gjon Pali II, në 25-vjetorin e Papnisë së tij. Nëpër ndërmjetësi të Marisë, Nënës
së Kishës, jepi, o Zot, forcën ta përforcojë Kishën në fe e në shpresë, ta udhëheqë
në takimin me njerëzimin e kohës sonë, që të ndriçojë kështu situtatat e sotme me
dritën përherë të re të Ungjillit.
Këngëtari: T'i lutemi Zotit R/
Ardhtë mbretëria jote!
2. Arabisht: I drejtojmë sot sytë nga Virgjëra
Mari, ylli i ungjillëzimit. Ndihmona, o Atë, t'i përgjigjemi thirrjes sate për shenjtëri
dhe impenjimit misionar, përmes dëshmisë së jetës të jetuar në përkim me Ungjillin,
përmes bashkëpunimit në kumtimin e mbretërisë sate në të katër anët e tokës, përmes
solidaritetit për të ndihmuar njerëzit, që kanë tepër nevojë.
Këngëtari:
T'i lutemi Zotit R/ Ardhtë mbretëria jote!
3. Bengali O Jezu Krishti,
që u bëre i ngjashëm me ne, dëgjoje britmën e njerëzimit që vuan e shtypet. Duke të
ndjekur Ty, Nënë Tereza e Kalkutës u përkul pranë të gjithë vëllezërve e motrave,
të plagosur në korp e në shpirt. Bëj, o Zot, që ta shikojmë në çdo fytyrë njerëzore
fytyrën tënde, të shpërfytyruar nga vuajtja, nga keqtrajtimet e nga dhuna, të torturuar
nga shtypja, të fyer nga braktisja; kështuqë me mikpritjen e buzëqeshjen tonë, t'u
përçojmë të gjithëve rrezet e dashurisë sate.
Këngëtari: T'i lutemi
Zotit R/ Ardhtë mbretëria jote!
4. Shqip - Jezusi ka ardhur për
të shërbyer, jo për të qenë i shërbyer. Zoti i frymëzoftë udhëhqësit e kombeve, të
cilët me mirënjohje u përkulën para Nënë Terezës, për shërbimin e saj ndaj të varfèrve,
ta kenë për zemër të mirën e njerëzimit, të mos mbrojnë interesa të partijake e vetjake,
por të përpiqen për mirëqenien e të gjithëve, për paqen botërore, në drejtësi e respektim
të çdo personi e të çdo populli.
Këngëtari: T'i lutemi Zotit R/
Ardhtë mbretëria jote!
Maqedonisht
Njerëzimi ka nevojë
për punëtorë që vihen plotësisht në shërbim të Ungjillit e të vëllezërve. Rrite,
o Zot, zellin e bashkësisë së krishterë, që prej saj të lindin ungjillëzues të bindur,
guximtarë e të përgatitur, që të dinë të dallojnë nevojat, të kuptojnë shenjat e kohëve,
t'i kumtojnë botës së sotme Jezu Krshtin, i vetmi që mund t'i japë kuptim jetës njerëzore. Këngëtari:
T'i lutemi Zotit R/ Ardhtë mbretëria jote!
Rusisht:
I
drejtojmë sytë nga Maria, agimi i shëlbimit. Jepi, o Zot, shpresën të pa shpresëve,
ngushëllimin të vuajturve; forcoje impenjimin tonë për t'i ndërtuar njerëzimit një
botë më të mirë, për të zhdukur çdo dhunë, çdo shkelje të lirisë e të dinjitetit njerëzor,
për të krijuar vëllazërimin universal, përparimin e popujve e të kulturave të tyre,
për të nxitur dialogun ndërmjet feve!
Këngëtari: T'i lutemi Zotit R/
Ardhtë mbretëria jote! Ati i Shenjtë: Dëgjoji, o Zot, lutjet
që të drejtuam. Ti që dëshiron t'i shpëtosh të gjithë e që dërgove Birin tënd si
shërbëtor të planit tënd të dashurisë për njerëzimin, na ndihmo të ndërtojmë së
bashku me të mbretërinë tënde, që është jetë e vërtetësi, drejtësi e paqe, solidaritet
e bashkim. Shpirti yt na bëftë të kuptojmë se është më gëzim kur jep, sesa kur
merr, sipas fjalës së Jezu Krishtit, Zotit tonë, që jeton e mbretëron në shekuj
të shekujve. R/ Amen!
LITURGJIA EUKARISTIKE Ndërsa
Atit të Shenjtë i Paraqiten dhuratat për flijimin, vijon: Ndërmjet besimtarëve
që i paqesin dhurat Atit të Shenjtë është Age Bojaxhiu, mbesa e Nënë Terezës, e bija
e të vëllait, Lazrit. Kënga e paraqitjes së dhuratave (offertorio)
Psalmi
103. 33 Kam për t'i kënduar Zoti derisa të marr frymë, për t'i kënduar Zotit,
derisa të jetoj. Zoti e pëlqeftë këngën time, gëzim im është në Zotin.
Ati
i Shenjtë. Lutuni vëllezër, që flijimi im e juaji të dalë i pëlqyeshëm para
Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm. R/ Zoti e pranoftë nga duart tuaja këtë
flijë për lavd e lumturi të emrit të tij, për të mirën tonë e të mbarë Kishës së tij.
Ati
i Shenjtë:Pranoj, o Zot, dhurata e lutjet e Kishës tënde, ashtu si qe
i çmuarpara syve tuaj mundimi shpërblyes i birit tënd. Ai jeton e mbretëron
në shekuj të shekujve. R/ Amen
LUTJA EUKARISTIKE III Ati
i Shenjtë e fton bashkësinë të lartojë zemrën drejt Zotit në lutje e në veprimin e
hirit dhe të bashkohet me të në lutjen solemne të cilën, në emër të të gjithëve, ia
drejton Atit Hyjnor përmes Jezu Krishtit në Shpirtin Shenjt.
Paralutja: Misteri
i Pashkëve dhe populli i Zotit
Ati i Shenjtë: Zoti
qoftë me ju! R/ E me shpirtin tënd! Lartojini zemrat! R/ I kemi në Zotin. Ta
falënderojmë Zotin, Hyjin tonë. R/ Është punë e denjë e e drejtë. Përnjëmend
është punë e denjë e e drejtë të të falënderojmë ty e të të lartojmë himinin e bekimit
e të lavdërimit, Hyj i gjithëpushtetshëm e i amshuar, nëpër Krishtin Zotin tonë.
Mahnitëse
është vepra e kryer prej tij në misterin e Pashkëve: ai na bëri të kalojmë nga skllavëria
e mëkatit dhe e vdekjes në lavdi e na bëri fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, njerëz
të shenjtë, popull i fituar prej tij, për t'i kumtuar botës pushtetin tënd, o Atë,
që nga errësira na thirre në shkëlqimin e dritës tënde. Për këtë mister shëlbimi,
të bashkuar me koret e ëngjëjve, shpallim plot gëzim lavdinë tënde:
SANCTUS
Lavdet
drejtuar Zotit nga ana e krijesave dhe e popullt kishtar: Ati
i Shenjtë: Tani po të lutemi përvujtërisht, dërgoje shpirtin tënd t'i shenjtërojë
dhuratat që po t'i paraqesim, që të bëhen Korpi e Gjaku i Jezu Krishtit, Birit tënd
e Zotit tonë, i cili na ka urdhëruar t'i kremtojmë këto mistere.
Rrëfimi
për themelimim e Eukaristisë: Natën në të cilën po tradhtohej, ai muar bukën
e, pasi të falënderoi, e bekoi, e theu, e ua dha dishepujve të tij e tha: MERRNI
E HANI TË GJITHË PREJ SAJ: KY ESHTË KORPI IM QË DO TË FLIJOHET PËR JU! Ati
i Shenjtë e larton hosten e shuguruar për t'ia paraqitur popullit dhe gjunjëzohet
në adhurim: Pasi kreu darkën në të njëjtën mënyrë, mori kelkun, e, duke të
falënderuar ty, e bekoi, ia dha dishepujve të vet e tha: MERRNI E PINI TË GJITHË
PREJ SI: KY ËSHTË KELKU I GJAKUT TiM, KELKU I BESËLIDHJES SË RE E TË AMSHUAR,
QË DO TË DERDHET PËR JU E PËR SHUMË TË TJERË NË SHPËRBLIM TË MËKATEVE. BËJENI
KETË NË KUJTIM TIM!
Ati i Shenjtë: Misteri i
fesë! Bashkësia: Ti që na ke shpërblyer me Kryqin tënd e me ringjalljen
tënde: na shpëto, o Shëlbues i botës.
Memoriali e oferta: Ati
i Shenjtë e bashkëkremtuesit: Duke përkujtuar vdekjen e Birit tënd shpëtimprurës,
të ngjallurit e lumnueshëm të tij e të ngjiturit në qiell, ndërsa presim ardhjen e
tij të dytë, po të falim ty, o Atë, në shenjë falënderimi, këtë flije të gjallë e
shenjte
Lutje drejtuar Zotit që ta pranojë këtë flije… Shikoje me
dashuri këtë dhuratë të kishës sate e pëlqeje flijen që ti vetë e deshe porsi peng
paqtimi.: Të gjithë neve që jemi duke u ushqyer me Korpin e Gjakun e Birit tënd,
na jep hiret e Shpirtit tënd Shenjt që të bëhemi në Krishtin një trup i vetëm e një
shpirt i vetëm.
… e që Shpirti Shenjt të veprojë për bashkimin tonë: Ai
le të bëjë për ne një flije të përhershme, të pëlqyeshme para teje, kështuqë të mund
të marrim pjesë së bashku me të zgjedhurit në trashëgim të mbretërisë tënde: me të
Lumen Mari, Virgjër e Nënë e Hyjit, me të gjithë Shenjtërit Apostuj, me martirët e
lumnueshëm, me të Lumen Terezë të Kalkutës e të gjithë shenjtorët, ndërmjetësit tonë
pranë teje.
Lutja e ndërmjetësimit për botën e për kishën…
Një
bashkëkremtues tjetër: Bëj, o Atë, që kjo flije pajtuese të dalë për paqë e
për shëlbim të botës mbarë. Përforcoje në fe e në dashuri Kishën tënde shtegtare mbi
tokë, së bashkut me shërbëtorin tënd Shenjtin atë Papë Gjon Palin II, me urdhërin
e ipeshkvisë, me gjithë klerin e mbarë popullin, të cilin ti vetë e shpërbleve. Dëgjoje
lutjen e kësaj familjeje, të cilën e deshe në prani tënde. Bashkoi rreth vetes, o
Atë i mëshirshëm, të gjithë bijtë e tu të shpërndarë anë e kënd. …për të vdekurit. Pranoi
vëllezërit tanë të vdekur dhe të gjithë ata që u ndanë nga kjo jetë në hir tënd, ku
shpresojmë të hyjmë edhe ne; në mbretëri tënde, për të gëzuar së bashku me ta lavdinë
tënde. Në Krishtin, Zotin tonë, përmes të të cilit ti, o Hyj, i jep botës çdo të mirë.
Lavdërim për Trininë Shenjte. Ati i Shenjtë e bashkëkremtuesit: Nëpër
Krishtin e me Krishtin e në Krishtin, të qoftë ty, o Atë i gjithëpushtetshëm, së bashku
me Shpirtin Shenjt, çdo nderim e lavdi në shekuj të shekujve! Bashkësia:
Amen.
Në sa këndohet Amen i doksologjisë, kremtohet riti liturgjik "Arati"
sipas mënyrës së kuluturës indiane, ndërsa në gjuhën tamil, këndohet:
Të
adhurojmë, o Zot Zot, Fjalë e mishëruar, të adhurojmë me dritë Me dritën të
adhurojmë(2 herë)
Zot, ti që jep jetën, të adhurjmë me temjan ( kêm) Me
temjan të adhurojmë.
Zot, jeta jonë e drita jonë, të adhurojmë me lule Me
lule të adhurojmë. RITI I KUNGIMIT Lutja drejtuar Zotit Ati
i Shenjtë: Të mbështeur në fjalën e Shëlbuesit dhe sipas mësimit hyjnor marrim
guximin të themi: Bashkësia: Atynë, që je në qiell, i shenjtëruar qoftë
emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, si në qiell ashtu në dhe. Bukën
tonë të përditshme jepnae neve sot, e ndiejna ne fajet e mëkatet tona, si i ndjejmë
ne fajtorët tanë, e mos ne lërë të biem ne e keq, po largona prej gjithë së keq! Ati
i Shenjtë: Na çliro, o Zot, nga të gjitha të këqijat, na jep, me mirësi tënde,
paqe në ditët tona e, në sajë të mëshirës tënde, do të çlirohemi nga mëkati e do të
jemi të sigurtë nga çdo shqetësim, duke pritur me afsh të bardhën shpresë, ardhjen
e shëlbuesit tonë Jezu Krishtit.
Bashkësia: Sepse ty të përket mbretëria,
ty pushteti e lavdia në shekuj!
RITI I PAQES Ati i Shenjtë: O Zot, Jezu
Krisht, ti që u the apostujve të tu, "Po ju lë paqen, po ju jap paqen time; mos i
shiko mëkatet tona, por fenë e Kishës tënde e denjohu ta ruash në paqe e ta bashkosh
në dashuri sipas vullnetit tënd Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve! R/
Amen
Ati i Shenjtë: Paqja e Zotit qoftë përherë me ju! R/ E
me shpirtin tënd. Diakoni: Jepini njëri-tjetri shenjën e paqes. Të
pranishmit shprehin dëshirën e tyre për paqe me një gjest që i bashkon si vëllezër. Ndërsa
Ati i Shenjtë thyen bukën eukaristike, këndohet
Qingji i Hyjit: Shkolla:
O Qengji i Hyjit, ti shlyen mëkatet e botës Bashkësia. Ki mëshirë për
ne. Shkolla: O Qengji i Hyjit, ti shlyen mëkatet e botës Bashkësia.
Ki mëshirë për ne. Shkolla: O Qengji i Hyjit, ti shlyen mëkatet e botës Bashkësia.
Ne jep paqen ne. Ati i Shenjtë: Lum ata që janë të ftuar në
darkën e Hyjit: ja Qengji i Hyjit, ai që shlyen mëkatet e botës. Bashkësia:
O Zot, unë nuk jam i denjë të marr pjesë në tryezën tënde, por thuaje një fjalë të
vetme e unë do të shpëtoj! Ati i Shenjtë dhe bashkëkremtuesit kungohen me Korpin
e Gjakun e Krishtit. Edhe besimtarët marin Kungimin shenjt.
Kënga
e Kungimit Shkolla: Goja ime lavdëron Zotin sot e përgjithmonë. Bashksia
përsërit:
Psalmi 144 O Zot, Mbreti im, dua të të lavdëroj
e emrin tënd ta bekoj në amshim e përgjithmonë.R/
I mirë është
Zoti me të gjithë,
mirësia e ti shtrihet mbi të gjitha krijesat. Të
lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat tuaja, të bekojnë besimtarët. R/
Këndojnë lavdinë e mbretërisë sate,
e flasin për pushtetin tënd, për
t'u treguar njerëzve mrekullitë e tua, dhe lavdinë e ndritshme të mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e gjithë shekujve,
pushteti yt
shtrihet nga breznia në brezni!R/
Këngë: Kush do të na ndajë?
Kush
do të na ndajë nga dashuria jote?
Vuajtja, ndoshta, apo shpata? As
jeta as vdekja nuk do të na ndajë Nga dashuria e Krishtit!
Kush
do të mund të na ndajë nga paqja e tij,
persekutimi, ndoshta, o dhimbja? Nuk
ka fuqi që të na ndajë nga ai që vdiq për ne.
Kush do të na
ndajë nga gëzimi i tij?
Kush mund të na e rrëmbejë ndjesën e tij? Askush
në botë nuk mund të na largojë nga jeta në Krishtin Zot.
Ati i Shenjtë:
Të lutemi: Shenjtëroji, o Zot, e përtëriji besimtarët e tu që i
ftove në këtë tryezë dhe shpërndaji mbi të gjithë njerëzit, përmes veprës së Kishës,
frytet e shëlbimit të fituara nga Krishti në kryq. Nëpër Krishtin Zotin tonë. R/
Amen.
RITI I PËRFUNDIMIT Bekimi Ati i Shenjtë: Zoti
qoftë me ju! R/ E me shpirtin tënd! Ati i Shenjtë: Qoftë bekuar
emri i Zotit. R/ Tash e përgjithmonë. Ati i Shenjtë: Ndihma jonë
është në emër të Zotit. R/ Ai bëri qiellin e tokën Ati i Shenjtë:
Ju bekoftë Hyji i gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti Shenjt R/Amen. Diakoni:
Mesha u krye: shkoni në paqe. R/ Falënderojmë Hyjin. KËNGA
PËRFUNDIMTARE Krishti fiton Krishti fiton, Krishti sundon, Krishti
do të mbretërojë! Gjon Palit II, pasardhës i Shën Pjetrit e
bari i gjithë grigjës së Hyjit, Zoti i dhëntë paqe, jetë e shëlbim!
Ardhtë
gëzimi i Krishtit! Ardhtë paqja e Krishtit! Ardhtë mbretëria e Krishtit!
TREGUESI I
Shënime biografike për Shërbëtoren e Zoti, Terezën e Kalkutës.
II
Përgatitja e kremtmit
II Kremtimi i Eukaristisë
Riti
i Hyrjes Riti i Lumnimit Liturgjia e Fjalës së Zotit Liturgjia
Eukaristike