(26.08.2008 RV)"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa
i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra
ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Nënë Terezës, me shtat imcak,
por me besim shkëmbor, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur
të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër. "Hyji
vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë
dhe mëshirën eTij". Në shpirtin e saj, përplot
me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme :
"Të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore". Kjo
lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet i
vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit. Më e vogla e pesë fëmijëve të Nikollë
dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze, mori Kungimin e parë në moshën
pesë vjeç e gjysëm e u krezmua në nëntor të vitit 1916. Që ditën e Kungimit të parë,
ndjeu në zemër një dashuri të thellë për shpirtrat njerëzore. Me vdekjen e papritur
të babait, në sa Anjezja nuk i kishte mbushur endë 8 vjetët, për familjen filluan
vështirësitë ekonomike. Dranja, grua burrneshë, i rriti fëmijët plot dashuri, duke
ndikuar shumë në karakterin dhe rrugën e jetës që do të zgjidhte e bija. Më pas formimi
fetar i Gonxhes u thellua në famullinë Zemrës së Krishtit, nën drejtimin e jezuitëve,
në sa merrte pjesë gjallërisht ndër të gjitha veprimtaritë. Në moshën 18 vjeçare,
e shtyrë nga dëshira për t'u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha
lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe
me emrin "Motrat e Loretos", në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder
të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Në Kalkutë arriti
më 6 Janar të vitit 1929. Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër
Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St.Mary
për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti kushtet e përjetshme duke
u bërë, siç tha ajo vetë: "Vashë e Jezusit" për
"amshim". Që nga ajo ditë e tutje u quajt Nënë Tereza. Vazhdoi të jepte mësim
në St. Mary dhe më 1944 u emërua drejtoreshë e shkollës. Grua që ia kishte kushtuar
jetën lutjes, që i donte fort motrat dhe nxënëset e saj, Nënë Tereza jetoi e lumtur
në Loreto për njëzet vjet me radhë. E njohur për zemërgjerësi, bujari, guxim, aftësi
të posaçme në kryerjen e punëve më të rënda dhe për talent të natyrshëm organizativ,
ajo e jetoi përkushtimin e saj ndaj Jezusit, ndërmjet motrave, me besnikëri dhe gëzim. Më
10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për ushtrimet
shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu "frymëzimin" e ri, "thirrjen
brenda thirrjes". Atë ditë, si e qysh ajo nuk e tregoi kurrë, etja e Krishtit
për dashuri e për shpirtra njerëzore e pushtoi zemrën e saj dhe dëshira e flaktë për
ta shuar etjen e Zotit u bë qëllimi kryesor i jetës. Në javët dhe muajt e mëpasëm,
ajo nisi të dëgjonte një zë që i fliste shpirtit të saj e të shihte vegime. Krishti
i zbulonte kështu dëshirën e zemrës së Tij ndaj "njerëzve, që duke u flijuar
për dashurinë", "do të rrezatonin dashurinë e tij ndër shpirtra".
"Eja, të jesh drita ime"- iu lut - "nuk mund të shkoj vetëm".
E i tregoi sa vuante duke parë mospërfilljen ndaj të varfërve, sa i dhimbte, kur mendonte
se ata nuk e njihnin e sa dashuri të zjarrtë kishte për ta. Jezusi i kërkoi Nënë Terezës
të themelonte një bashkësi rregulltare, Misionaret e Bamirësisë, që do t'i kushtoheshin
shërbimit ndaj më të varfërve ndërmjet të varfërve. Kaluan rreth dy vjet arsyetimesh
e verifikimesh, para se Nënë Tereza të merrte lejen për fillimin e misionit të saj
të ri. Më 17 gusht të 1948-ës, veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe
la pas shpine kangjellat e kuvendit të Loretos, të cilin e donte aq shumë, për të
hyrë në botën e të varfërve. Pas një kursi të shkurtër pranë Motrave Mjeke Misionare
në Patna, Nënë Tereza u kthye rishtas në Kalkutë ku gjeti një strehë të përkohshme
pranë Motrave të Vogla të të Varfërve. Më 21 dhjetor shkeli për herë të parë në lagjet
e të varfërve: vizitoi familje, u lau plagët disa fëmijëve, u kujdesua për një plak
që dergjej në rrugë të madhe dhe për një grua që po vdiste nga uria e nga tuberkulozi.
E niste ditën me Jezusin në Eukaristi; pastaj, me rruzaren në duar, dilte për t'i
gjetur dhe për t'u shërbyer atyre që janë: "të braktisur, të padashur, të papërkujdesur".
Disa muaj më vonë, me të u bashkuan, njëra pas tjetrës, disa nga ish-nxënëset e saj. Më
7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e re të
Misionareve të Bamirësisë. Në muajt e parë të vitit 1960, Nënë Tereza filloi t'i dërgonte
motrat e saj në të katër anët e Indisë. E Drejta Papnore, lëshuar Kongregatës nga
Papa Pali VI në shkurt të 1965-ës, i dha zemër të hapte një shtëpi misionare në Venezuelë.
Menjëherë pas saj u themeluan shtëpi të tjera në Romë e në Tanzani dhe, pak më vonë,
në të gjitha kontinentet. Duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza hapi
shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin
Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën. Për t'iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike,
ashtu dhe atyre shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza më 1963 themeloi Vëllezërit
Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave;
më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të
Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur
për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët
e Sëmurë dhe të Munduar, njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të
cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej
me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë e shtyu të themelonte më pas Misionarët
Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve,
më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë,
si "rrugë e vogël që i çon në shenjtërim" ata, të cilët ishin një mendje
me karizmën dhe me shpirtin e saj. Gjatë këtyre viteve, në sa misioni i saj përhapej
me të shpejtë, bota filloi t'ia ngulte sytë Nënë Terezës dhe veprës që ajo kishte
nisur. Meritoi shumë çmime për veprën e saj, duke filluar nga Çmimi indian Padmashri,
në vitin 1962, për të vijuar me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen, më 1979, ndërsa
mjetet e komunikimit filluan t'i ndiqnin veprimtaritë e saj me interes gjithnjë e
më të madh. Si çmimet, ashtu edhe gjithçka që e vinte në qëndër të vëmendjes, i pranoi
"për lavdinë e Zotit e në emër të të varfërve". Gjithë jeta dhe vepra
e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e
dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri,
e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin. Por duhet theksuar edhe
një virtyt tjetër heroik i kësaj gruaje të madhe, i cili u bë i njohur vetëm pas
vdekjes së saj. E fshehur nga sytë e të gjithëve, e fshehur deri nga ata që i qëndruan
më pranë, jeta e saj e brendshme u vu në provë: pati përshtypjen e dhimbshme e të
vazhdueshme se ishte ndarë nga Zoti, madje se ai e kishte braktisur, ndërsa në shpirt
i rritej gjithnjë e më tepër dëshira për ta pasur pranë. Atë që po provonte e quajti
"errësirë". "Nata e dhimbshme" e shpirtit të saj, e cila nisi në kohën
kur sapo kishte filluar apostullimin mes të varfërve e që vijoi gjatë gjithë jetës,
e çoi Nënë Terezën në një bashkim edhe më të thellë me Zotin. Përmes errësirës, mori
pjesë mistikisht në etjen e Krishtit, në dëshirën e tij të dhimbshme e të zjarrtë
për dashuri, duke u njësuar me mjerimin e të varfërve. Gjatë viteve të fundit
të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza
vijoi t'i printe Kongregatës së saj dhe t'u përgjigjej nevojave të të varfërve e të
Kishës. Sot Kongregata 4000 motra, të pranishme në 730 shtëpi misionare, të përhapura
në 123 vende të botës. Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme,
të sapo zgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti.
Si pati takuar Papën Gjon Pali II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi
javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave. Më
5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane
e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në
Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi
e lutjeje për njerëz të besojmave të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë
dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur
e të bamirësisë së jashtzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit "Eja,
të jesh drita ime!", u bë Misionare e bamirësisë, "Nënë e të varfërve", simbol
i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit. Më
pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve
të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit.
Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me
ndërmjetësinë e saj.
Vatikan, Sheshi i Shën Pjetrit, 19 tetor 2003: Kremtimi
solemn i lumnimit të Nënë Terezës, i kryesuar nga Papa Gjon Pali II.