2008-08-26 20:01:27

98 vjetori i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, të Lumes Nënë Terezë


(26.8.2008 RV)RealAudioMP3 Si sot 93 vjet më parë lindi Gonxhe Bojaxhiu, e Lumja Nënë Tereze e cila me 19 tetor të vitit 2003 lartohet në nderime të elterit. Figura më karizmatike e 1900-tës, Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht e u pagëzua më 27 gusht të vitit 1910, ndërsa u kthye në shtëpinë e Atit Qiello më 5 shtator të vitit 1997. Tërë jetën ia kushtoi të menjanuarve e të varfërve të Kalkutës e të botës mbarë, duke fituar dashurinë e më të varfëve ndër varfër, nderimin e të pushtetshmëve e admirimin e mbështetjen e Papëve.
Nënë Tereza qe dëshmi e gjallë e dashurisë së Zotit për njeriun, sidomos për më të varfërin e nevojtarin, i mjekoi plagët e njerëzimit të përbuzur e të mohuar. Mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq jetën dhe dinjitetin e njeriut, e atyre që shtypeshin e përbuzeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga vota, u dha vetëdijën se nuk ishin të tepërt e të harruar, por ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit yë gjithëpushtetshë, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e vet. Nënë Tereza dëshmoi e mishëroi Ungjillin e dashurisë me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes për më të varfërit, duke merituar më 1979 çmimin Nobel për Paqe.
Kudo shkoi, Nënë Tereza u përpoq të shuante etjen e Krishtit, etjen për Dashuri. Papa Gjon Pali II e quajti „dhuratë e Zotit për Kishën e për botën“, për t’u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhët më të përbuzurit ndërmjet vëllezërve e mortave tona. Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit të kryqëzuar. Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e sa shpirtërore, Misionaret e Dashurisë, për Atdhen e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin. Po e kujtojmë sot plot me emocion ditëlindjen e Nënë Terezës, shërbëtoren e madhe të të varfëve. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo deshi të zvogëlohej sa më shumë para syve të Zotit, duke u bërë shërbëtorja e më të vegjëlve. „Ti duhet të jesh dora e Provanisë Hyjnore kur nuk të shikon askush, në mënyrë që ata të cilët marrin të mira e ndihmë, t’i jenë mirënjohës Zotit e jo ty“, thoshte e Lumja Nënë Terezë. Kështu krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e ajo, simbol i dukshëm, i prekshëm i dashurisë së Tij Hyjnore. Mori mbi vete barrën e stër-rëndë të të gjithë të varfëve të botës, duke e ditur se kështu plotësonte vullnetin e Zotit të vet. Ky pra është edhe thelbi i përshpirtërisë së Nënë Terezës, që i ka themelet në dashurinë e pakufijshme të Atit Qiellor për të varfërit e të braktisurit, që gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit. Kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit që na la trashëgim e Lumja Nënë Terezë. Mbi këtë grua të madhe e të jashtëzakonshme të Zotit, ta dëgjojmë dëshminë e prifit shqiptar don Lush Gjergjit, famullitar i kishës Katedrale të Prizerenit….RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.