2008-08-26 18:06:44

365 ditë: "Gregori XVI i kundërvihet me forcë skllavërisë".


(26.08.2008 RV)I ndiqnin si kafshët, i zinin me rrjeta si egërsirat e i hiqnin zvarrë përdhe. E në se kundërshtonin, rriheshin për vdekje.
Të tjerë binin në kurthe. Të tjerë, akoma, lidheshin këmbë e duar me zinxhirë e mbylleshin në burg. Pastaj i çonin në ishullin e Goresë, në gjirin e Senegalit. Në skaj të Kontinetit të pafundmë, ku ishin lindur, Afrikës.
Të grumbulluar në burgje, jetonin në errësirë, në një vapë të padurueshme, ngarkuar me një duhmë, që të kujtonte qelbësirën e skëterrës. Disa çmendeshin e vriteshin sakaq. Të shkëputur me forcë nga familjet e tyre e nga fshatrat e tyre, zëvendësoheshin vazhdimisht me të tjerë. Britmat e tyre të coptonin zemrën. Por a ishte atje ndokush që e kishte ende zemrën në kraharor? Rreth tyre ishin krerët, ushtarët e bashkëpunëtorët e tyre - njerëz me ngjyrë, si ata, që u përkisnin të njëjtave fise, që deheshin, zgërdhiheshin, kënaqeshin me mjerimin e vëllezërve.
Pastaj arrinte dita e mallkuar, kur i nxirrnin nga burgu. Të verbuar nga drita, ngjiteshin përmbi anije, flakeshin në fund të hambarit e lidheshin me zinxhirë njeri pranë tjetrit, që të zinin sa më pak vend. Anija ngrinte spirancën, duke shënuar fillimin e një martirizimi të ri: niste lundrimi në det të hapur. E atyre u vinte për të vjellur, ditë-natë, derisa nuk dëshironin tjetër, veç vdekjes. Sa prej tyre mbeteshin të gjallë, pas një udhëtimit të tillë? Tregtarët e zezakëve i flaknin në det më të ligshtit.
Ata që arrinin në Amerikë, shiteshin dhe vuloseshin me vulën e pronarëve. Nuk ishin më njerëz. Qenë kthyer në skllevër.
Të bardhët e vijuan këtë tregti të ndyrë për tre shekuj me radhë. Më 22 shkurt 1992, Papa Gjon Pali II, duke vizituar ishullin e Goresë, e kujtoi këtë dramë të pafundme, me fjalët:
“Këta burra, këto gra e këta fëmijë ishin viktima të një tregtie të turpshme, në të cilën morën pjesë njerëz të pagëzuar, por që nuk e jetuan fenë e tyre”.
Siç pranoi Gjon Pali II, të krishterët morën pjesë në tregtinë e skllevërve zezakë, ose mbyllën njërin sy, në sa të tjerët e vijonin, ndonëse në rrjedhë shekujsh papët e dënuan disa herë.
Një nga papët më të papajtueshëm me këtë plagë të rëndë, qe Gregori XVI, që jetoi në shekullin XIX. Para se të zgjidhej, kishte grumbulluar qindra dëshmi për skellevërit. Në enciklikën e tij të vitit 1839, e quan këtë tregti “çnjerëzore e të turpshme”.
Të jesh i krishterë është e vështirë! Shpesh duhet të shkosh kundër paragjykimeve të epokës e të mbash qëndrim kundër njerëzve të veshur me pushtet. Siç na e kujton Gjon Pali II, nuk është aspak e lehtë ta jetosh fenë tënde!







All the contents on this site are copyrighted ©.