(25.08.2008 RV)Luigji IX, sovran i Francës, lindi më 25 prill 1215 në Puasi.
I kurorëzuar mbret i Francës, mori mbi vete, para Hyjit e para njerëzve, detyrën të
mbronte Ungjillin. Në vitin 1244 e kapën ca ethe të forta. Si u shërua, u vu vetë
në krye të një kryqëzate për çlirimin e Tokës Shenjte. Zbarkoi në Egjipt, ku i sulmoi
saraçenët pranë qytetit Damista. Por ndërsa vijonte beteja, në ushtrinë e tij u përhap
me shpejtësi murtaja, nga e cila u prekën me qindra vetë, e edhe mbreti. Si u shërua,
vijoi sulmet kundër turqëve, por u mund, u kap e u trajtua si rob lufte. Me që u lirua,
vijoi rrugën si shtegtar në Tokën Shenjte, ku kreu shumë vepra të mira. I kthyer në
Francë, qeverisi me drejtësi të krishterë e mëshirë, themeloi Sorbonën e përgatiti
një kryqëzatë të re. Por sapo arriti në Tunizi, një epidemi e fortë ia shkatërroi
ushtrinë. Kur ndjeu se po i afrohej vdekja, mbreti, që i përkiste Urdhërit françeskan
shekullar, kërkoi ta shtrinin mbi një krevat të mbuluar me hi e me grathore, ku dha
shpirt. Ishte data 25 gusht e vitit 1270. Ludovik është variant i emrit Klodoveo.
Në ikona paraqitet me simbolet e kurorës e të globit. Martiriologu Romak e përshkruan
kështu: “Shën Luigji IX, mbret i Francës, u bë i njohur për fenë e gjallë, si në
kohë paqeje, ashtu edhe në luftërat për mbrojtjen e të krishterëve, për drejtësi në
qeverisje, dashuri ndaj të varfërve e përballim me qëndresë të të gjitha fatkeqësive.
Si mori sakramentin e martesës, pati njëmbëdhjetë fëmijë, të cilëve u dha edukatë
të shëndoshë humane e fetare. Për të nderuar kryqin, kurorën me ferra dhe varrin e
Zotit, nuk kursei mjete, forca e as vetë jetën. Vdiq nga murtaja në fushimin e tij,
pranë Tunizit, në bregdetin e Afrikës veriore.