Rubrika 365 ditë: "Imzot Krua-Sor dhe ligji kundër shfrytëzimit të të miturve".
(25.08.2008 RV)“Duhet bërë diçka
pa tjetër! Nuk mund të vijohet më kështu!” Imzot de Krua-Sor, kryeipeshkëv i Ruâ,
qytet i Normandisë, zemërohet kur shikon si punohet në fabrikat e zonës. Jemi në vitin
1830 e rreth Ruâ janë ngritur shumë fabrika, të cilat prodhojnë pëlhura. Industria
tekstile është shumë e lulëzuar, por me ç’çmim? Në këto fabrika, që funksionojnë kaq
mirë, shumica e punëtorëve janë fëmijë. Në një kohë kur shkolla nuk është e detyrueshme,
shumë familje të varfëra shtrëngohen t’i çojnë fëmijët në fabrikë për të punuar e
për të fituar sadopak para. Sadopak, sepse të miturit nuk shpërblehen njëlloj si të
rriturit, ndonëse shpesh punojnë më shumë e më mirë. Pagë sa për të shuar urinë! Por
për familjet që nuk kanë gjë prej gjëje, është diçka. Ajo që e shkandullon Imzotin
Krua, nuk është ndryshimi i pagave. Për të është diçka e përbindshme t’i bësh fëmijët
të punojnë që në moshë të njomë! Të kalojnë ditë të pafundme duke thurur pëlhura para
makinave, shpesh herë tepër të rënda e të rrezikshme, pa pushuar asnjë çast. Kjo natyrisht
ua shkatërron shëndetin shumë para se të rriten. Madje nganjëherë nuk rriten fare,
sepse vdesin para kohe. Për një epokë, e cila mburret me progresin shkencor që ka
arritur, kjo është vërtetë çnjerëzore. Me që pronarët e fabrikave nuk duan ta
kuptojnë sa e rëndë është situata, kryeipeshkvi i Ruâ duhet t’i japë shoqërisë shtytjen
të bëjë një ligj. Vetëm shteti mund ta ndalojë punën e të miturve, e jo vetëm në Ruâ,
por në mbarë Francën, sepse imzot Krua-Sor e di mirë se fabrikat funksionojnë kështu
në të gjithë vendin. Me rastin e Krezhmëve të vitit 1838, kryeipeshkvi i Ruâ merr
letër e penë për të protestuar me forcë. Kërkon një ligj të hekurt, që ndalon mbytjen
e fëmijëve me punë. Imzot de Krua-Sor nuk është i vetmi që zemërohet, kur shikon
si shfrytëzohen fëmijët e njomë. Por është ipeshkvi i parë që kërkon t’i mbrojë me
ligj. E kërkesa e tij pranohet. Një politikan i krishterë, Montalambert, ua transmeton
deputetëve që hartojnë ligjet. Më në fund, në mars të vitit 1841, shteti e ndalon
me ligj punën e fëmijëve nën moshën tetë vjeç dhe vendos rregulla të mirëpërcaktuara
për normalizmin e punës së tyre nga mosha dymbëdhjetë deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç.