2008-08-25 17:30:23

Papa dje gjatë Koncertit në Kastel Gandolfo: Franc Shubert është një gjeni i ndritur i muzikës, që e nderon kulturën dhe përshpirtërinë e Austrisë së krishterë.


(25.08.2008 RV)RealAudioMP3 Një mbrëmje e bukur, e kaluar duke ridëgjuar disa pjesë të famshme muzikore, që ngjallen emocione të fuqishme shpirtërore. Njëkohësisht, rast për të vërejtur, me kënaqësi, përkimin e poezisë me muzikën”. Këto janë disa nga fjalët që tha mbrëmë Benedikti XVI, duke falënderuar artistët, të cilët dhanë për nder të tij një koncert në Selinë papnore. Ivon Tomoianu në violonçel e Kristof Kornaro në pianofortë luajtën ‘Shtegtim dimri’ të Franc Shubert, cikël këngësh me tekst nga lirikat e Vilhelm Myler.
Dy muzikantët e interpretuan me pasion veprën e kompozitorit të famshëm, frymëzuar nga teksti i 24 poezive të shkrimtarit po aq të famshëm gjerman. Në Sallën e Zvicëranëve të Pallatit Apostolik u përhap melodia delikate, që siç u shpreh Papa, të depërton në thellësitë e shpirtit, duke të bërë të provosh atë që ndjenë dy artistët, kur e krijuan kryeveprën, njëri me fjalë, tjetri me tinguj. Ja një fragment i poezisë së muzikuar:
“Erdha në këtë botë si i huaj,
si i huaj po ik.
Një çast maji mua më dhuroi
ca tufa lulesh,
në sa vasha më kujtonte dashurinë,
mëma - martesën.
Po maji vate shkoi.
Tash bota zhytet në trishtim,
e shtegu varroset nën dëborë!”.
Ishte shkurti i vitit 1827 kur Franc Shubert shkroi notat e para të ‘Shtegtim dimri” të Mylerit, që nis me një ‘Gute Nacht’ – ‘Natën e mirë’. Të bën të meditosh me një meditim, i cili vjen duke u thelluar, në sa ndjek fjalët e muzikuara:
“Pse u shmangem shtigjeve,
shkelur shtegtarësh të tjerë
e shtigje të pashkelura kërkoj,
shkëmbijve që flejnë nën dëborë!
As faj as mëkat s’kam bërë.
Pse iki pra prej njerëzve?
Pse një dëshirë e marrë
Më shtyn drejt viseve të shkreta?”.
Kështu vijon toni melankolik, të cilin muzikanti zgjedh për vargjet e Mylerit, ton që buron sidomos nga zhgënjimet e jetës.
“Lind kështu një afresk, që shpreh shqetësimin e përditshëm, mallin për të kaluarën, në ecjen drejt së ardhmes. Gjatë rrugës, e kaluara: dëbora, pejzazhi, sendet, njerëzit, ngjarjet, gjithçka, ringjallen në kujtesë, përmes rrjedhës përvëluese të kujtimeve”.
Kështu u shpreh Papa, pasi kishte ndjekur intrepretimin e propozuar në një mënyrë të re, me zevendësimin e zërit njerëzor nga penelatat muzikore dridhëse të violonçelit:
“ Nuk i dëgjuam fjalët e poezisë, por ndjenjat që përmbajnë, të shprehura me ‘zërin’ gati njerëzor të violonçelit”.Shuberti – nënvizoi Papa – bëri të tingëllojë përsëri poezia e të flasë muzika. Në kryeveprën e tij “Shtegtim dimri”, kompozitori austriak krijon një atmosferë vetmie të trishtuar, shkaktuar nga sëmundja e gjatë e nga zhgënjimet profesionale:
“Shuberti i ri, spontan e plot fantazi na e komunikoi edhe ne mbrëmjen që jetoi e provoi. Duhet kujtuar se ky gjeni i shquar i muzikës, që e nderon qytetërimin evropian dhe kulturën e përshpirtërinë e Austrisë së krishterë e katolike, e meriton plotësisht famën universale.
Në përfundim Papa kujtoi edhe se muzikanti i madh austriak e shkroi ‘Shtegtim dimri’ në vitin 1827, një vit para se vdekja t’i trokiste në portë, në sa mbushte 31 vjeç.







All the contents on this site are copyrighted ©.