Nato-Rusia: Vatikani shqetësohet për rrezikun e tensioneve të reja, sepse janë më
të ligështit, ata që paguajnë haraç.
(24.08.2008 RV)Vendimi i Rusisë për të ndërprerë bashkëpunimin me NATO-n e
shqetëson Vatikanin, sepse e di mirë që haraçin për tensionet e reja e për garën
e armatimeve, e paguajnë gjithnjë vendet më të varfëra. Këtë pohoi në mikrofonin e
Radio Vatikanit kryeipeshkvi Silvano Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë
pranë Zyrës së OKB-së të Gjenevës, të nesërmën e botimit në ‘L’Osservatore Romano’
të një artikulli, në të cilin shprehet i njëjti shqetësim. Sipas Imzot Tomazit,
nuk po përballohet si duhet çështja e çarmatimit atomik. Tensionet nuk zbuten, por
acarohen me vendosjen e raketave në Poloni, ndërsa pala ruse dëshiron t’i vendosë
të vetat në një zonë sa më pranë Evropës. Ecja në këtë rrugë nuk mund të mos ketë
pasoja të rënda, si në mungesën e komunikimit, ashtu edhe të ndërshkëmbimeve. Në se
globalizimi, që depërton nga pak kudo, do të kufizohet përsëri nga nacionalizmi e
proteksionizmi, rreziku i lindjes së problemeve të reja është i pashmangshëm.