2008-08-24 12:45:47

Me Nënë Terezën :“Fëmija që më dhuroi sheqerin!”.


(24.08.2008 RV)RealAudioMP3 Ç’do të thotë të duash me dashuri të madhe? Thua duhen kryer vepra të mëdha, për të dëshmuar se di të duash me gjithë zemër? Duhen bërë dhurata të jashtëzakonshme? Duhen dhënë prova të vështira? Duhet flijuar jeta? Apor mjaftojnë edhe disa gjeste fare të vogla, për ta shprehur dashurinë e madhe, pa kusht, të thellë deri në dhimbje, të bukur deri në përtëritjen e shpirtit. Në emisionin e njëzetë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, Misionarja e Lume e dashurisë na siguron se mjafton vetëm një gjest i vogël, si ai i ‘Fëmijës që dhuroi sheqerin’:

“Ishte një fëmijë fare i vogël nga Kalkuta, ai që më mësoi ç’do të thotë të duash me dashuri të madhe.
Një herë na u mbarua sheqeri. S’e di sesi, por vocrraku hinduist katër vjeçar, që ndiqte shkollën tonë, mori vesh se Nënë Tereza nuk kishte më sheqer për fëmijët e saj.
Sa u kthye në shtëpi, u tha prindërve:
“Nuk do të ha sheqer për tri ditë, sepse dua ta ruajë për Nënë Terezën, që ka mbetur pa sheqer”.
Prindërit e tij nuk kishin ardhur kurrë në shtëpinë tonë për të dhuruar ndonjë gjë, por pas tri ditësh e morën për dore fëmijën e erdhën bashkë me të në shtëpinë tonë. Ishte sa grima. Në duart e njoma shtrëngonte fort një bocë me sheqer.
Kishte brenda sheqerin, që nuk e kishte ngrënë tri ditë me radhë. Po sa mund të hajë një fëmijë?
Ky vocrrak, që mezi ma shqiptonte emërin, më bëri një dhuratë tepër bujare: ai sheqer kishte brenda gjithë ëmbëlsinë e dashurisë për mua. Kjo më preku deri në fund të shpirtit.
E gjesti i tij më bindi se kur dhurojmë diçka për dashuri të Zotit, dhurata jonë fiton një vlerë të pallogaritshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.