2008-08-24 12:45:57

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Pjetër Maria Shanel, misionar në Futunë".


(24.08.2008 RV)RealAudioMP3 “Ej, ti, njeri i egër, si guxon të ulesh mbi gurin tim të shenjtë!”.
Pak a shumë këtë kuptim kanë fjalët që thotë me zë të lartë mbreti i Futunës, ndërsa vrapon i armatoisur deri në dhëmbë drejt Pjetër Shanelit. Misionari kërcen menjëherë në këmbë. Nuk i merr vesh fjalët e mbretit: jemi aty nga fundi i vitit 1837 e Pjetri sapo ka ardhur në ishullin e Futunës, në Polinezi. Prandaj nuk e flet akoma gjuhën e vendit. E vetmja gjë që kupton është që, me sa duket, guri mbi të cilin është ulur, nuk është një bankë e thjeshtë.
Mbreti qetësohet e Pjetri merr frymë i lehtësuar. Jeta e tij në ishull nuk do të jetë e qetë, do të jetë krejt e ndryshme nga e mëparshmja, kur ishte famullitar në një qytet ndërmjet Francës e Zvicrës. Mjafton pak e gjë për të bërë gabime, kur shkon në anën tjetër të botës...
E pra Pjetri është i lum. Prej kohe ëndërronte të bëhej misionar: jeta e tij meshtarake në Francë nuk i mjaftonte, e prandaj hyri në urdhërin e ri, në Shoqërinë e Marisë (anëtarët e së cilës njihen me emrin etërit maristë). Pak kohë më parë Papa u besoi maristëve misionin për ungjillëzimin e Oqeanisë.
Sapo nis misionin në Futunë, Pjetri e shikon se nuk do ta ketë të lehtë. Vështirësi nga më të ndryshmet e trazojnë rëndë jetën e misionarit. Në fillim mbreti e ministrat e tij qenë shumë kureshtarë për të njohur fenë e re, që vinte nga Evropa. Të ftuar në Meshë, mbetën pa gojë nga kremtimi sa i bukur, aq edhe i çuditshëm. Por dalë-nga-dalë Pjetri mësoi gjuhën e tyre dhe nisi t’u shpjegonte kush është Jezusi. Sa më shumë fliste, aq më armiqësor bëhej qëndrimi i mbretit e i rrethit të tij. Banorët e ishullit e kuptojnë se Pjetri erdhi aty për t’i bindur të heqin dorë nga doket e tyre pagane. Po ata s’e kanë fare ndër mend ta bëjnë këtë kthesë kaq të jashtëzakonshme.
Mbreti mërzitet gjithnjë më shumë nga predikimi i njeriut të ardhur nga larg. Më 28 prill të viti 1841, tri vjet e gjysëm pas arritjes së Pjetrit Maria Shanel, sovrani merr një lajm, që e tmerron. I biri do të kthehet në fenë e krishterë. Krejtësisht i tërbuar, jep urdhër që misionari të dënohet me vdekje. E urdhëri zbatohet sakaq. Por mbreti nuk i kishte menduar pasojat e kësaj vdekjeje. Banorët e Futunës, ndryshe nga sovrani i tyre, kishin nisur ta donin gjithnjë më shumë misionarin. Mahniteshin nga durimi i njeriut që kishte ardhur nga larg e buzëqeshja e tij ua kishte fituar zemrat. Kur ai ishte gjallë, nuk patën guxim për t’u bërë të krishterë, por vdekja e këtij burri shenjt, i bindi. E kështu, pothuajse menjëherë pas vdekjes së tij, të gjithë banorët e ishullit kërkuan të marrin sakramentin e Pagëzimit. E të mendosh se Pjetër Maria Shanel nganjëherë mendonte se nuk do t’ia arrinte kurrë kësaj dite…







All the contents on this site are copyrighted ©.