2008-08-23 15:51:24

Rubrika 365 ditë:"Federik Ozanam dhe Konferenca e parë e Shën Vinçencit de’ Paoli".


(23.08.2008 RV)“Për shumë vjet ditëlindjen, Federik!”. E urojnë njëzëri Feliksi, Juli, Françesku, Pali, Agostini dhe Emanueli. “Gjë e bukur të mbushësh njëzet vjet, apo jo?”.
Për t’i dhënë një ngjyrim sa më gazmor festës, Feliksi nis të flasë për shokun me tonin e një profesori, që tregon jetën e një personaliteti të shquar:
“Federik Ozanam lindi në Milano, më 23 prill të vitit 1813…”.
“Si?, e ndërpret Juli, “paske lindur në Itali? Mendoja se kishe lindur në Lion!”.
“Prindërit e mi u kthyen në Francë, pasi kisha lindur unë”, shpjegon Federiku. “Jetova tetë vjet në Lion, por tani jam parizian, si ju. Por, të kalojmë në gjëra më serioze”, propozon duke qeshur, “jemi mbledhur për t’iu përgjigjur një sfide…”.
“I adhuroj sfidat”, ndërhyn Juli.
“Disa ditë më parë, një student që nuk beson në Zotin, na tha se të krishterët nuk janë të aftë ta përmirësojnë botën. Nuk mund ta lejojmë përhapjen e një mendësie të tillë. Duhet të gjejmë një mënyrë konkrete për të bërë diçka vërtetë të mirë e për t’i ndihmuar të tjerët”.
“A ke ndonjë ide ti, Federik?” - e pyet Agostini.
“Mendoj të krijojmë një grup njerëzish, që shkojnë rregullisht t’i takojnë të varfërit në shtëpitë e tyre. Si thoni?”.
“E pse të shkojmë? Për t’i shikuar nga lart-poshtë? Ç’kuptim ka të shkosh në shtëpitë e të varfërve, të rrish aty një çast e pastaj të kthehesh përsëri në shtëpinë tënde të bukur? T’ua lemë këto gjëra priftërinjve e murgeshave, që janë mësuar me këtë lloj veprimtarie!”.
“Agostin, është e vërtetë apo jo se të varfërit janë vëllezërit tanë? Nuk duhet të jetojmë pa i përfillur, si të mos ishin. E nuk duhet të synojmë vetëm gjëra të mëdha, që ndoshta nuk mund t’i realizojmë. Edhe duke bërë gjëra të vogla si këto, mund t’ia ndryshojmë faqen botës.
Pak kohë më pas, Federiku e miqtë e tij njihen me motrën Rozali, një rregulltare e palodhshme, që punon në një lagje të varfër të Parisit. Murgesha i njeh me disa familje, që e presin me kënaqësi ndihmën e tyre. Grupi i Federikut merr si model Shën Vinçencin de’ Paoli, që dha jetën për të varfërit dyqind vjet më parë. Lind, kështu, Konferenca e parë e Shën Vinçencit de’ Paoli. Shumë shpejt ky projekt tërheq një numër të madh studentësh të krishterë. E sot në mbarë botën numërohen më se dyzet e shtatë mijë konferenca. Janë grupe të vogla të krishterësh, që vihen në shërbim të të afërmit, duke ndjekur shembullin e Federikut e të miqve të tij. Ditën kur festonte njëzetvjetorin e ditëlindjes, Federik Ozanami nuk e dinte ç’ vazhdimësi të ndritur do të kishte ideja e tij!







All the contents on this site are copyrighted ©.