Tërheqja e trupave ruse nga territori gjeorgjian e kontrasti ndërmjet Nato-s dhe Rusisë
sa vjen e rritet
(22.8.2008. RV)Ndërsa konfirmohet tërheqja e trupave ruse nga territori gjeorgjian,
e cila vetëm sa po ushqen polemika për ngadalësinë e saj, kontrasti ndërmjet Nato-s
dhe Rusisë sa vjen e rritet. Kremlini e çoi më tej krizën në Gjeorgji dhe pezulloi
marrëdhëniet ushtarake me Nato-n. Ministri i jashtëm Lavrov tha për shtypin se Nato-ja
ka nevojë për Rusinë aq sa Rusia ka nevojë për të. Nga ana tjetër OKB tashpërtash
nuk ka paraqitur ende asnjë mundësi kompromisi.
Vendimi i Rusisë për të
ndërprerë bashkëpunimin me Nato-n shqetëson Selinë e Shenjtë, sipas së cilës ato që
paguajnë për krizat e reja si edhe për garat e armatimeve janë gjithmonë vendet më
të varfëra. Kështu deklaroi në mikrofonin e Radio Vatikanit kryeipeshkvi Silvano Maria
Tomazi, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së OKB-së në Gjenevë.
“Në
qendër të vëmendjes është situata humanitare në Gjeorgji.” Kështu pohoi Martin Selmajer,
zëdhënësi i Komisionit të BE-ian duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse qeveria
europiane po punon për platformën e partneritetit strategjik me Rusinë, parashikuar
për mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE që do të mbahet me 5 dhe 6 shtator në
Avinjon. “Objektivi parësor është që ndihmat t’i arrijnë popullsisë. Të tjerat mund
të presin.” shtoi zëdhënësi Selmajer.
Ambasadori i ri amerikan në Moskë
Xhon Bejrl pranoi se përgjigja e Moskës ndaj sulmit gjeorgjian në Osetinë jugore qe
fillimisht më se e motivuar. Por më pas shtoi ambasadori amerikan, Rusia e teproi
sepse pushtoi pjesë të Gjeorgjisë duke cënuar kështu tërësinë tokësore të një shteti
të pavarur.
Ndërkohë një autokolonë e gjatë automjetesh luftarake ruse
është parë sot duke u larguar nga Gori në drejtim të Osetisë jugore. Lajmi u dha nga
disa gazetarë të pranishëm në vend e ështè konfirmuar edhe nga autoritet e Tbilisit.
Sipas tyre autokolona përbëhej prej afro 20 kamionash me qindra ushtarë.
E
ndërsa një pjesë e trupave ruse po largohet nga zonat e pushtuara, zëvendësshefi i
shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse Anatoli Nogovicin, deklaroi sot se Rusia
në rast nevoje mund ta rrisë numrin e ushtarëve të saj paqëruajtës në zonën e konfliktit
gjeorgjian.