2008-08-22 16:26:06

Sot Kisha kremtoi Marinë Mbretëreshë e Universit


(22.08.2008 RV)RealAudioMP3 Festa e sotme, që përkon me atë të Krishtit Mbret, u themelua nga Piu XII në vitin 1955. Para reformimit të kalendarit liturgjik, kremtohej më 31 maj, si kurorëzim i devocionit të veçantë marian në muajin që i kushtohet Zojës së Bekuar. Ndërsa 22 gushti i takonte Zemrës së Papërlyer të Marisë. Pikërisht në këtë datë u caktua festa e Marisë Mbretëreshë, për t’i afruar pushtetin mbretëror të Virgjërës me lumnimin e saj përmes Ngjitjes në Qiell. Ky vend krejt i veçantë, pranë Krishti Mbret, vjen nga një numër i madh titujsh, të cilët shpjegohen nga Piu XII në letrën enciklike ‘Ad Coeli Reginam’ (11 tetor 1954), duke nisur nga titulli Nëna e Kokës dhe e gjymtyrëve të korpit mistik, për të vijuar me titullin ‘Perandoreshë e Shenjtë e Mbretëreshë e Kishës’, që e bëjnë pjesëtare jo vetëm të pushtetit mbretëror të Krishtit, por edhe të ndikimit të tij jetik e shenjtërues mbi gjymtyrët e Korpit mistik.Në latinisht fjala ‘regina’ (mbretëreshë) ashtu si fjala ‘rex’ (mbret), rrjedhin nga folja ‘regere’ (të mbretërosh, të sundosh). Po ta shikosh me syrin njerëzor, është e vështirë t’i japësh Marisë një rol sundues. Si mund ta shikosh si sundimtare, Atë që e shpalli veten shërbëtore e Hyjit e që e kaloi gjithë jetën në fshehtësi e në heshtje? Luka, në Veprat e Apostujve, e përshkruan Marinë pas ngjitjes së Krishtit në qiell, në mes të të Njëmbëdhjetëve, gjithnjë duke u lutur. E urdhërat nuk i jep ajo, por Pjetri. Megjithatë në këtë rrethanë, ajo është hallka që i mban këta burra, ende të papërforcuar nga Shpirti Shenjt, të lidhur ngushtë me të Ngjallurin. Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. E kësaj mbretëreshe i falen kombet e popujt, poetët e artistët e të gjitha kohëve, e edhe poeti anonim shqiptar, që i këndon:

“T’ falem, Mbretneshë, e bukura!
Mbi krye tand ndritë kunora,
Që e popujve edhè e kombeve
Desht me vendue dora,
Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave,
Toka ty t’ thotë se t’ don!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.