2008-08-22 18:42:49

Selia e Shenjtë dhe Kisha katolike, në ndihmë të refugjatëve të konfliktit në Gjeorgji


(22.08.2008 RV)Benedikti XVI dhuroi një çek prej 125 mijë dollarësh në ndihmë të njerëzve që u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit në Osecien e Jugut. Njoftimin e jep, përmes agjensisë Zenit, imzot Gjuzepe Pazoto, administrator apostolik i latinëve të Kaukazit. Të dy thirrjet e Papës për paqe me rastin e lutjes së Engjëllit të Tënzot të 10 e 17 gushtit, vijojnë të kenë një jehonë të madhe në Gjeorgji. Në një vend me shumicë ortodokse – shpjegon imzot Pazoto – të gjithë u çuditën për interesimin kaq të vendosur të kreut të Kishës katolike e për pohimin se e ka në zemër popullin gjeorgjian e lutet për. Konflikti, që filloi më 7 gusht në Osecie – vijoi administratori apostolik – ka shkatuar panik të madh në gjirin e popullsisë, edhe në zonat që nuk janë prekur, siç është kryeqyteti, duke bërë të rikujtohen papritmas edhe ngjarjet e konfliktit që tronditi 18 vjet më parë Abkazinë. Refugjatët – shpjegoi akoma Imzot Pazoto – rreth 80-90 mijë – janë strehuar në 200 qendra në qytet. Ditët e para u zhytën në heshtje varri, nga që nuk gjenin fjalë për ta përshkruar dramën e tyre. Ndërkaq Karitasi dërgoi në qytezë një ngarkesë të madhe me sende ushqimore, sepse popullsia është vërtetë e uritur. Si qeveria gjeorgjiane, ashtu edhe Patriarkana – vijoi prelati - i kanë kërkuar ndihma Kishës katolike e po punojnë me zell të madh e me frymë të thellë bashkëpunimi. Popullsia gjeorgjiane pret shumë nga Bashkësia Ndërkombëtare, ndërsa ka frikë mos lihet vetëm. Këtë frikë e kanë edhe drejtuesit e Karitasit. Sot për sot – përfundoi imzot Pazoto- ndihmat ndërkombëtare nuk mungojnë, por situata mund të bëhet kritike, në se do vijojë konflikti. Në këtë situatë duhet që mjetet e komunikimit masiv të mos kërkojnë sensacionalizma, por të punojnë për të mirën e këtyre popullsive, t’i ndihmojnë ata që vuajnë e të japin informacionin më korrekt të mundshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.