2008-08-22 16:26:20

Me Nënë Terezën : “Buzëqeshini njëri-tjetrit!” .


(22.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sa kushton një buzëqeshje? E ku e ka burimin? Ndoshta kushton shumë, që kur njerëzit e kanë kaq të vështirë t’i buzëqeshin njëri-tjetrit. E ndoshta duhet të jesh i pasur, që të të bjerë në mend të vësh buzën në gaz, për vete e për të tjerët. Të jetë e vërtetë kjo? Përgjigjen do ta gjeni tek emisioni i nëntëmbëdhjetë i ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, titulli i të cilit është njëkohësisht ftesë për të gjithë: “Buzëqeshini njëri-tjetrit!”.

 
“Një herë shkova për vizitë në një strehë për pleqtë, një nga më të mirat në Angli, ku punonin edhe motrat tona.
Në këtë shtëpi jetonte një numër i kufizuar të moshuarish.
Nuk kam parë kurrë në jetën time sende aq të bukura, sa pashë në atë vend. Aroma, vepra arti, lule, libra… atyre njerëzve dukej se nuk u mungonte asgjë.. Dukej…
Ishin rrethuar nga të mirat. Megjithatë, mua m’u duk se diçka mungonte… Diçka tepër e rëndësishme, stolia më e çmuar në jetën e njeriut. Në fytyrat e njerëzve, të cilët i kalonin ditët e fundit të jetës në atë seli luksoze, nuk pashë as hijen e buzëqeshjes.
Rrinin të gjithë pa lëvizur, me sytë e ngulur tek porta.
E pyeta motrën, që drejtonte punën në këtë banesë:
“Motër, pse janë kaq të trishtuar këta njerëz, të cilëve nuk u mungon asgjë? Pse nuk shikoj asnjë duke vënë sadopak buzën në gaz?
(Ju kujtoj se unë jam mësuar të shikoj rreth vetes fytyra të qeshura: e kjo, sepse besoj, e madje jam e bindur se buzëqeshja lind buzëqeshjen, ashtu si dashuria, dashurinë).
Motra më dha këtë përgjigje:
‘Kështu ndodh ditë për ditë. Presin gjithnjë, me shpresë se ndokush do të kujtohet se nuk kanë vdekur akoma e do të vijë t’i takojë. Vetmia ua bren e ua grin shpirtin. E vijojnë t’i mbajnë sytë të mbërthyer tek porta, duke harruar gjithçka i rrethon’.
Ç’varfëri e tmerrshme është mungesa e dashurisë. Ç’mjerim, kur e ndjen se nuk të do askush, se askush nuk kujtohet për ty, nuk e di ku je e nuk vjen kurrë të të thotë një fjalë të mirë!
Para ca kohe, një grup i madh profesorësh nga SHBA-së, erdhi për të vizituar shtëpinë tonë në Kalkutë.
Para se të shkonin, më thanë:
“Na jep një këshillë, që të na ndihmojë për t’u bërë më të mirë!”.
U thashë:
“Buzëqeshini njëri-tjetrit” (kam përshtypjen se sot njerëzve nuk u mbetet kohë as për një buzëqeshje).
Njëri prej tyre vërejti:
“Nënë Terezë, shihet qartë se ju nuk jeni e martuar”.Iu përgjigja:
“Përkundrazi, jam, e ju siguroj se nganjëherë e kam të vështirë t’i buzëqesh Jezusit, sepse kërkon shumë nga unë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.