2008-08-21 16:30:13

Dhimbja e Papës për aksidentin e rëndë ajror në Spanjë.


(21.08.2008 RV)RealAudioMP3 Papa shprehu sot dhimbjen e tij të thellë për aksidentin e rëndë ajror, që ndodhi dje në Madrid, në aeroportin ndërkombëtar të Barahas, gjatë të cilit humbën jetën 153 vetë e 19 mbetën të plagosur. Katër nga të plagosurit vijojnë të jenë në gjendje shumë të rëndë.
Në një telegram, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, drejtuar kardinalit Antonio Maria Ruoko Varela, kryeipeshkëv i Madridit dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore spanjolle, Benedikti XVI siguron se e ndjen vetën shpirtërisht pranë familjeve të viktimave, se lutet për shpirtin e të vdekurve e për shërimin e shpejtë të të plagosurve. Si shenjë ngushëllimi e shprese në Zotin e ngjallur, Papa u jep të gjithëve bekimin e tij apostolik.Ndërkaq autoritetet vendase vijonë hetimet për shkaqet e aksidentit: në njërin nga motorët e avionit MD-82 të Shoqërisë Ajrore Spanjolle Spanair, me 172 udhëtarë në bord, që sapo niste fluturimin drejt Kanarieve, shpërtheu zjarri. Përpjekja urgjente për t’u ulur në pistë, përfundoi me coptimin dhe djegien e avionit. Me sa duket avioni kishte probleme teknike që para se të niste fluturimin.
Kryeministri Hosè Luis Rodriguez Zapatero, që u rikthye në Madrid, duke ndërprerë pushimet, mbajti një konferencë shtypi në aeroportin e Madridit, duke theksuar se qeveria e tij është tronditur thellë nga kjo fatkeqësi. Mesazhe ngushëllimi po arrijnë në Spanjë nga mbarë bota.







All the contents on this site are copyrighted ©.