2008-08-21 18:16:35

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Fëlis Lamënè, që luftoi për lirinë dhe të drejtën e votës për të gjithë".


(21.08.2008 RV)“Zoti e liria!”, kjo është motua e ‘Avvenires’, një gazete që drejtohet nga meshtari breton, Felis Lamëné, numri i parë i së cilës, datuar nëntor 1830, sapo ka dalë.
Për këtë kohë është një moto tepër e guximshme, për të mos thënë, zemrake.
Lamënè zgjodhi një term me të cilin do të bënte shumë më tepër armiq, sesa miq. “Liri” – fjalë e rrezikshme për rendin publik! Dy rrokje të vetme, brenda të cilave fshihet një fuçi baruti.Duke u nisur nga viti 1789, Franca më kot bën përpjekje për të gjetur një regjim politik të qëndrueshëm. Disa forma qeverisjeje i zënë vendin njëra-tjetrës: perandori, republika, mbretër… Gjatë shekullit XIX shumë valë revolucionare e bëjnë Francën të dridhet nga tmerri. Prandaj qeveritarët, të cilët sapo kanë hipur në fuqi e kanë frikë se do ta humbasin sakaq pushtetin, reagojnë duke e kufizuar në kulm lirinë që i japin popullit, e sidomos të varfërve, gjithnjë më të pakënaqurit, dmth burim i revolucioneve të reja! Ja, pra, pse termi ‘liri’ shumkujt i duket si të ishte i mbushur me lëndë shpërthyese, që mund t’i vinte flakën mbarë vendit.
Lamënè jo vetëm e përdor këtë fjalë të ndaluar, por flet gjërësisht për të në gazetën e tij, duke e shoqëruar edhe me terma të tjera, po kaq të rrezikshme, që ia prishin rehatin shumkujt. Për shembull, kërkon votime të gjithëmbarshme dmth të drejtën e votës për të gjithë. Në këtë epokë të drejtën e votës e kanë vetëm të pasurit: ky sistem quhet votim i kontrolluar. Të flasësh për votime të gjithëmbarëshme, do të thotë të kërkosh që të varfërit të jenë të lirë për të zgjedhur qeverinë, e edhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Vetëm një mendim i tillë i tmerron pushtetarët.
Lamënè e përballon këtë argument në emër të fesë. Sipas tij, Ungjilli u propozon njerëzve lirinë e kërkon që të krishterët të mos heshtin, por të veprojnë për ta përmirësuar botën.
Duke kërkuar disa liri (lirinë e votës, lirinë për të themeluar shoqata, për t’u mbledhur e për të mbrojtur interesat vetjake; lirinë për të shprehur opinionin në gazeta etj etj), Lamënè themelon një lëvizje, që quhet katolicizëm shoqëror. Sipas kësaj lëvizjeje, duhet luftuar për drejtësinë, e jo në mënyrë abstrakte, por duke marrë masa konkrete, në emër të Krishtit.
Gjithsei Kisha nuk është ende gati ta mbështesë këtë betejë. U kundërvihet reformave shoqërore, sepse i ka frikë revolucionet. Prandaj, në çastin e parë, papa e dënon katolicizmin shoqëror.
Të krishterëve të parë liberalë iu desh të armatoseshin me shumë duresë, por më në fund Kisha e dëgjoi zërin e tyre!







All the contents on this site are copyrighted ©.