2008-08-20 17:15:50

Sot u përkujtua edhe i Lumi Bernard Tolomei, themelues i Olivetanëve.


(20.08.2008 RV)Gjoni, ky ishte emri i pagëzimit, të cilin më pas e ndërroi në Bernard, u rrit në gjirin e një familjeje të kamur të Sienës, në Itali. Kreu rregullisht studimet e arriti të bëhej profesor i drejtësisë në Universitetin e qytetit dhe kalorës i perandorisë. I sëmurë nga sytë e në rrezik të verbohej, iu lut Zojës së Bekuar ta shërojë. Si u shërua mrekullisht, vendosi të braktisë gjithçka, të bashkohet me anëtarët e shoqatës kushtuar Virgjërës Mari e t’i kushtohet krejtësisht lutjes e bamirësisë. Por kjo iu duk pak. Në moshën 40-vjeçare vendosi të ikte fare nga qyteti e të jetonte ndërmjet kodrave të shkreta, duke iu kushtuar plotësisht lutjes e pendesës. Këtu ai e disa miq të tij hapën shpella e nisën të jetojnë si vetmitarë. Disa vjet më pas, vetmitarët vendosën të krijojnë një bashkësi mbi Malin e Ullishtave, në juglindje të Sienës, Këtu, më 1319, u ngrit kuvendi i Shën Marisë, ku bashkësia e murgjërve jetonte sipas Rregullës benediktine. Bernardi kërkoi të zgjidhet si abat i parë, miku i tij Patricio Patrici, por më pas iu desh t’i bindet sivëllezërve, që e zgjodhën epror deri në vdekje. Ndërkaq themeloi dhjetra manastire dhe u bë epor i urdhërit të ri rregulltar, që njihet si ‘Urdhëri i murgjërve të bardhë”, sepse zgjodhën zhgunin e bardhë, për të nderuar Virgjërën Mari, për të cilën Bernardi kishte devocion të jashtëzakonshëm.
Ky Urdhër është i pranishëm edhe në fillim të Mijëvjeçarit të tretë e murgjërit vijojnë të jetojnë sipas rregullës benediktine me lutje, me punë e me veprimtari kulturore, që ndikuan e ndikojnë fuqimisht në Itali e në mbarë Evropën.







All the contents on this site are copyrighted ©.